
Me një mbrëmje letrare në homazh të akademikut Rexhep Qosja, sonte në Muzeun e Kalasë së Ulqinit hapet edicioni i 34 i manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”.
Mbrëmja e hapjes i kushtohet jetës dhe veprës së shkrimtarit, teoricienit dhe studiuesit të letërsisë, akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në prill të këtij viti.
Për jetën dhe krijimtarinë e Qosjes do të flasin shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni dhe botuesja Irena Toçi, ndërsa pjesë nga krijimtaria e tij do të lexojë aktori Naim Berisha. Mbrëmjen do ta moderojë poeti dhe studiuesi i letërsisë, Haxhi Shabani.
Në dy mbrëmjet e tjera autoriale të këtij edicioni do të prezantohen krijimtaria dhe puna studimore e shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë Anila Mullahi-Elezi dhe Gëzim Aliu.
“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” tashmë përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare dhe kulturore të Ulqinit dhe të shqiptarëve në Malin e Zi. Përmes traditës dhe trashëgimisë së saj, manifestimi ka konsoliduar një vend të veçantë në hartën e festivaleve letrare shqiptare në rajon dhe në Malin e Zi.
Aktivitetet zhvillohen në hapësirat historike të Kalasë së Ulqinit, duke ndërthurur letërsinë me trashëgiminë kulturore të qytetit.
ObserverKult

Lexo edhe:






