

Nga Nehas Sopaj
Poeti dhe Heroi i Popullit, Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethina e Deçanit, nga një familje e varfër. Vritet nga UDB-ja jugosllave më 17 janar 1982, në Untergrupenbah (Gjermani). Jeta e poetit me kitarë, siç e mbajnë mend shokët e tij të shumtë, ka qenë e vështirë, po më e vështirë vdekja e tij tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë.
Vepra letrare:
1. Fluturojnë e bien (1975)
2. Kanjushë e verdhë (1978)
3. Shenjat e shenjta (1979) poezi.
4. Vepra letrare (1992) poezi, prozë, dramë.
Bali Katravella, poemth lirik
Më je bërë si Bali Katravella
nuk i fsheh …oçet në diell
Autori
iu ça balli
nga uji i ftohtë i burimit
u mëshoi daireve
tek priste t’i piqej man
t’i varej uji në përroskë
të dilte në arë?
– nuk kishte
as llugë
do të hynte drejt e në këngën popullore
po ç’e do, as gazeta s’e kapi dot kurrë
emrin e tij
dhe u nis këmbë për rrugë
te Ura e Zallit
e kaparisi pajtonin
gratë e paskëshin ftuar fshehurazi
në një dasmë të huaj
siç bëjnë me të prore kur e gjakojnë makinën e avullit
i vetmi njeri në fshat
që nuk çon dashuri tinëz botës
iu ça balli
nga uji i ftohtë i burimit
a ju ka ndodhur, në fotografi
në fotografi ta shihni
ta shihni njeriun e viteve ‘20
në fshatin e parmendave
të misrit të kuq
ta shihni
rrëzë gardhi ma daire
njeriun me tesha të bardha
me këpucë të rripta
me flokë të gjatë
e të mëlmuar
me vaj ulliri?
është Bali Katravella
me rrobat e ngushta
që i kanë hyrë në ujë
nga të larit e shpeshtë
kokën e tij prej tuli
asnjëherë s’e gërvishi
plisi i bardhë deveje
as gishtërinjtë s’ia lagu
uji i ftohtë në llugë
dimrit
ku i gjen, ore
hej, ku po i gjen
dasmat e botës
e ahengjet
në këtë ankth urie
Bali Katravella
i pari
e ka parë aeroplanin
e ka lidhur i pari kravatën
dhe i pari ka hipur
në qerren me qe
Bali Katravella
gjuetar
e ka ndjekur
kafshën më të butë të fshatit
i ndërsyer nga briri
dhe hukama e huaj
ai di çka s’dinë
e pyesin ç’shkruan gazeta
e ai s’di të lexojë
në shehër e njohin
i madh e i vogël
e nuk i ngjesin bishta
u ka dhënë bozë xharrahëve
dhe është përkulur
pa vënë dorë në zemër
duke përshëndetur
njeriun e zi
në kalë të bardhë
i çohet cepi i setrës
i bëhet gungë
dy dhëmbë m’i ka
prej sermi
Bali Katravella
pasi të ketë ngrënë mirë
rrush e mish
e çliron rripin
dhe gogësin
mysafir
në fshatin e lindjes
vjen në pikë të ditës
me kokë të lidhur
dhe ulet në log të burrave
s’ta pret fjalën e urtë
mban vesh
nganjëherë e shqepin dru
natën
njerëz si ai të panjohur
zgoreve të liga
pusive frikëndjellëse
njerëz që djersiten
si ai
nga helmi i urrejtjes
në praninë e tij urtakët
bëjnë kryqe me fjalë:
“Bjer kah s’i pret tehu
e fjala s’i ka takat”
kur merr thatësi e madhe
me Bali Katravellën
njerëzit flasin për flladin
dhe për vithet e Shkurtës
e ka, thonë, një shok kalë
të bardhë si bora e Strellcit
a e Trojës
e merr dairen në dorë
dhe del as për lypë e as për kreni
një copë laps me majë të thye
të përlyer në xhep
kush e pati gjak
iku nëpër botë
të mos stërpiken të tjerët
kur vjen Bali Katravella
i paftuar në dasmë
burrat s’mund ta përzënë
dasmorët ikin një nga një
dhe turpshëm del mëngjesi
e kanë ftuar këtë dhëmbëmpirë
ta vrasë lugatin
e t’ia djegin varrin
e t’ia ngulin në zemër
hurin e zi
të farës së ligë
është më i lig se fruthi
i mbyti të gjithë fëmijët
nënat e të cilëve u larguan
të turpëruara nga vdekja e tij
Bali Katravella
historia e daulles sonë
çka s’nxjerr gryka e pusit natën
vjell gryka e tij
dhe rrah pastaj teli
në zyrën e Kalit të Bardhë
në Strellc.
Emri i Jusuf Gërvallës është një nga emrat më emblematikë të poezisë, përkatësisht të letërsisë shqipe për shumë arsye, para se gjithash, për shkak se ai për mrekulli bën pajtimin e veprës (poezisë, prozës dhe dramës) me jetën e tij, duke e flijuar më të shtrenjtën, jetën. Duke qenë një nga emrat e rrallë që i qëndroi besnik vokacionit të tij të lindur – poezisë, poezia e këtij poeti sot me krenari na i zbukuron prezentimet tona antologjike me fjalët që kumbojnë bindshëm me madhështinë e verbit të tij poetik, duke na e ruajtur të gjallë kujtimin për të, ne që e kemi njohur me gjallje. Poeti me kitarë, Lorka shqiptar që e qante me lotë gjuhën shqipe, i la për kujtim tatuazh poezitë më të bukura shqipe të viteve ’70, etapës së viteve më të lavdishëm të letërsisë shqipe kur ai tok me shokë defiluan dhe ndërtuan kullën e bardhë të poezisë, për çka është pak të thuhet për veçantinë e veprës së tyre.
Është vështirë të thuhet diçka të re për poezinë e këtij poeti, kur për të janë thënë kaq shumë fjalë miradie, në vend të kësaj njerëzit kryesisht flasin për aktivitetin madhor të çlirimit të Kosovës; vështirë, sepse ta thuash atë që e ndjen, lehtë mund të ndodh që fjalët të dalin të ngjyrosura ndërkaq njerëzit ndjenjave zakonisht nuk u besojnë. Nga këndi ynë i sotëm, e vërteta e Jusufit vjen si nga një pus i thellë prej nga do ta nxjerësh atë më të rëndësishmen, ajo s’ta qet në dritë margaritarin e humbur përgjithmonë, jetën e tij të fikur nga armiku. Flija e tij për lirinë e Kosovës, aktiviteti që zhvillonte në ilegalitet, tani kur poeti s’është më ndër të gjallët, forca e emrit të poetit sikur duan t’i kapërcejnë vlerat e poezisë së tij me ndjenjat tona të feshitizimit, që gjatë mëkimit të tepruar, nganjëherë del e gënjyer. Prandaj, në shkrimet për poezinë e Jusuf Gërvallës, sidomos në ato që lidhen me ambientin dhe kohën e viteve ’70 kur formohet poeti, duhet gjykuar esullt sa do që ekziston një substrat gjuhësor uniform te disa krijues të cilët kanë ngjyrë dhe vokacion të përbashkët si ai. Në gjuhën e poetit, në trajtë interference, shëtit një terren rrëshqitës për spekulime përherë.
Nga tre librat poetikë Fluturojnë e bien, Kanjushë e verdhë dhe Shenjat e shenjta, poezia e Jusuf Gërvallës është e veçantë për shumë arsye. Poezia e tij, ngjajshëm si edhe poezia e Teki Drevishit, Selman Jusufit, e me vonë edhe të Shkëlzen Halimit e të ndonjë tjetrit, karakteristikë e tyre e përbashkët është rrëfimi i cili është pastër lirik dhe i cili fundekrye është metaforë kontekstuale me petk figurash të clat kryesisht janë të tabanit popullor dhe të cilat, gjatë lojës me fjalë, plotësisht ndryshojnë dhe modernizohen. Rrëfimi i poetit nis nga ambienti i vendlindjes; shtëpisë, nënës dhe vazhdon me vashën, kroin, shevarin dhe në një varg figurash tjera ornamentike lirike, të dala nga kujtesa kombëtare shqiptare, nga jeta e thjeshtë e ambientit të familjes, që është karakteristikë e poezisë së librit të tij të parë, për të dalur më vonë, në dy librat e tjerë, në rrafshe dhe fokuse tjera të reja, kryesisht si poezia simbolike që shplon një univers personal lirik, një varg kuptimesh të reja semantike që vijnë kryesisht nga burimësitë dhe artefaktet biblike, mitike dhe legjendare, siç janë shenjat e shenjta, libri, fshehtësitë e tij, testamenti etj., gjithçka që nis ta rrisë imazhin e një rrëfyesi syrealist që do të depërtojë drejtpërdrejt në thelbin e verbit të tij që është shpalim konkret i temave që shtjellohen.
Nga tërësia e poezisë së Jusuf Gërvallës, lexuesit mësojnë për natyrën e vargut të tij të thyer tek rrëfen për jetën dhe që tregon përmallshëm për mikrokozmosin e vendlindjes, për nënën, arkën, ftonjtë dhe për botën në miniaturë brenda së cilës pllakos dhembja e njerëzve, për shtëpinë, vashën, vatrën, thikën, shpatën, shtizën, topuzin, kroin, Nerudën, për gjithçka që buron nga mimezisi poetik të unit krijues. Nga ky mikrokozmos, lind kënga e Bali Katravellës që është fokusi ynë i shtjellimit.
Kënga e Bali Katravellës është mbase shembulli tipik i një hartimi më lirik të Jusuf Gërvallës në të cilin poeti e derdh talentin e tij të skalitësit të vijave më të holla karaktereve njerëzore që, të shtrënguar ta jetojnë jetën, për të mbijetuar, e nxjerrin shpirtin e tyre në dritare dhe luajnë me të si duan. Bali Katravella, tërë jetën e kalon nëpër dasma, sepse s’di ç’bën tjetër, e shtyn si në teatër, atje ku jeta jetohet dhe luhet, edhe atë, luhet në sy të të gjithëve. Poeti do të tregojë se jeta e njeriut ekziston si në një lojë dhe në të vlerat morale shpesh s’janë më ato që i mendojmë se janë. I mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj të letërsisë të cilët edhe i përkthente, Jusuf Gërvalla xixat e një modernizmit të veçantë i nxuri sa nga jeta e rëndë po kaq edhe nga letërsia që e lexonte dhe i përkthente. Ishte përkthyes i mrekullueshëm dhe mund të themi se nuk përkthente por shqipëronte. Hartimet letrare që i përkthente, i bënte të kenë sintaksë të mirëfilltë shqipe (kujtojmë këtu veprat e D. Kish, M. Selimoviq, Zh. Çingo, M. A. Asturias, F. Kafka, Xh. Xhojs, E. Heminguej etj).
Pikërisht qëndrimi qëmtues i fjalëve të rralla të gjuhës shqipe, botës folklorike shqiptare, në poezi ka rezultuar në frymëzimin e Bali Katravellës brenda së cilës, krahas latimit të figurës së njeriut të vogël, popullor, krijon edhe kreaturën groteske të ëndrruesit, poetit, në konditat e një kohe dhe një ambienti siç ishte fati i shqiptarit të Kosovës dhe në përgjithësi të shqiptarëve të ish Jugosllavisë, fat i robit klasik, dhe njeriut me shpresë të thyer që vetëm mund ta ëndrrojë lirinë dhe jo edhe ta posedojë atë.
Poezia është kallëzim lirik për Bali Katravellën, jetën e tij në lojë. Kush është Bali Katravella? Në kulturën popullore shqiptare të Kosovës ekzistojnë një varg kallzimesh komike për njeriun me këtë emër, por ekziston edhe një roman me emër homonim të Ymer Shkrelit që është figura qëndrore e protagonistit që stigmatizon fatin e njeriut të vogël popullor i cili është lodër e pushtetit dhe i cili s’ka tjetër rrugë pos të përfundojë në xhoker i tij, në një lloj lakeji të cilit i këndohet kënga e keqe. Me qëllim që ta paraqesë tipin e njeriut të manipuluar, ose “njeriun e zi / në kal të bardhë“, poeti e shkroi poemthin e gjatë Bali Katravella tek i cili, jo pa mund dhe pa mjeshtri, ia vizaton vijat e karakterit komik dhe groteks.
Ndryshe nga poezitë e tjera të autorit të cilat zakonisht janë të shkurtëra, ky hartim i tij dallon dukshëm nga krijimet e tij të tjera, sepse ajo i kalon më shumë se 100 vargje. Poezia është e qëllimshme dhe sado me një ndrojtje të theksuar, është e shkruar me disa shtresa kuptimi që do ta nxjerrin në dritë jetën kolektive shoqërore shqiptare duke i vënë në spikamë njerëzit e rëndomtë dhe të vegjël, shtresën e njerëzve të keqpërdorur. Figura e Bali Katravellës prej së largu është figurë groteske, atë poeti ndërton me një skalitje mjeshtërore: kallëzimi për të rrjedh sipas të folurit me rrotulla me një nëntekst të bujshëm me ngjyra komizmi, varësisht nga veprimet e heroit dhe vetëm nga një shpërthim i papritur sarkastik mezi arrin ta përmbulojë ironinë therrëse të folësit lirik. Do të hynte drejt në këngën popullore / po ç’e do, as gazeta s’e kapi dot / emrin… e njeriut” që e stigmatizon poeti emrin – Bali Katravella / historia e daullës sonë, prototipin tonë groteks. Ja edhe kjo: Çka s’nxjerr gryka e pusit natën / vjell gryka e tij / dhe rrah pastaj teli / në zyrën e Kalit të Bardhë / në Strellc, në një nga katundet e Deçanit.
Në formë të një rrëfimi të drejpërdrejtë, me thyerje të vargjeve në mes të secilës kadencë, poeti flet për mjerimin social dhe kombëtar të shqiptarëve në kohë të Jugosllavisë. Përmes heroit grotesk, Bali Katravellës, të ngritur në nivel të personazhit komik që e përflet kënga popullore, poeti i këndon tragjikës dhe mjerimit social dhe kombëtar të shqiptarëve të të dy Jugosllavive, të asaj Cariste të viteve ’20-ta dhe asaj Titiste të viteve’70-ta (a ju ka ndodhur, në fotografi / në fotografi ta shihni / ta shihni njeriun e viteve ’20…) Këndi prej nga e sheh poeti kohën e viteve ’20, janë vitet ‘70-ta (për këtë, shih vitin 1979 ku u botua poezia) është dritarja prej nga shihet groteska e Bali Katravellës, njeriut që i kanë hyrë pantollonet në ujë nga larjet e shpeshta sa herë që shkonte nëpër dasma, është rrugë dhe itinirarit i “heroizmave“ të tij: i pari / e ka parë aeroplanin / e ka lidhur i pari kravatën / dhe i pari ka hypur / në qerren me qe… / ai di çka s’dinë / në shehër e njohin / i madh e i vogël / e nuk i ngjesin bishta… / u ka dhënë bozë xharrahëve… / dy dhëmbë m’i ka prej sërme / Bali Katravella / pasi të ketë ngrënë mirë / rrush e mish … / nga njëherë e shqepi dru / natën…
Me vargje të këputura përgjysmë, groteska për Bali Katravellën zhvillohet në vetë të tretë (ai di çka s’dinë) ndërkaq rrëfimi i ngjyrosur emocionalisht shpesh ndryshon terkur gjersa numërohen “heroizmat“ (jo edhe pa element të theksuar komizmi) për ta bërë më interesant rrëfimin, poeti përdor eufemizma dhe pasthirrma të tipit: ku i gjen, ore / hej , ku po i gjen, e nganjëherë përdor ndonjë antitezë (njeriu i zi / në Kal të Bardhë), krahasime (është më i likt se fruthi) dhe metaforën “solemne” – Bali Katravella / historia e daullës sonë që më vete ka idioma të abstraksionit e të komizmit njëkohësisht.
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË ME POEZI TË JUSUF GËRVALLËS: KANGA QË DO T’I KËNDOJ ASAJ…