Nënë, në çdo çast të vështirë të jetës sonë na falje veç dashuri!

Ndarjen, me ty nënë nuk e kam ndërmendur asnjëherë në këtë stinë fundvjeshte.
Si në këtë ditë, me krijesën e kipsit tim, me barkun te buza, shkove në spitalin e lindjes që të më nxirrje në jetë. Shkove bashkë me fundvjeshtën e ngarkuar, kur rrotat e qerreve thyheshin nga bollëku.
Shumë vite më vonë, po këtë fundvjeshtë ike, ike si ahere, kur më dhe qumështin e parë në gjirin tënd e pëkëdheljen që më mbeti si lulekëmbanë.
S’e prisja këtë ndarje në të njejtën datë..!

Nga Vladimir Muça


Tani, dyer të mbyllura të shikimit tënd, dyer të hapura mallimi qëndrojnë mes qiellit e tokës. Çelsat e dyerve i ka veç shpirti im që zien nga përvëlimi. Në qenien time, zemra jote, me zulmet e një asteroidi atje, ku të prehet shpirti platitet mbi gurin e pragut, në atë prag ku dilje çdo mëngjes e çdo mbrëmje e më hapje trinën me çelsin tënd të shikimit.
Kënga e mallit s’i ngjante asnjë partiture të kompozitorëve të mëdhej. Asnjë çelës soli s’e hapte fillesën e asaj kënge, që vinte nga tempulli i frymës të përjetësimit, të altarit prindëror.
Këtu në mërgim, lavdia ime është shkruar në pentagramin e rërës, buzë detmërgimit dhe po aq mbi krahët e mundit pelegrin.
Ndaj lakmoj më shumë atë gurin e pragut tënd të mallimit se sa rrafshinat e xhveshura, ku mblidhen asetet e një poeme të madhe të asgjësë.
Këtu në mërgim, larg pragut tënd, era me tornadot e saj na rrëfen piraterinë shpirtërorë të gjyshërve tanë. Thatësira e grykëshpirtit na rrëfen gabimet që bëjmë ne brezi i të humburve, kur braktisëm diellshikimet e vendlindjeve e, si kalorësi me frerë e yzgjeni të këputura, shalon pelën e hazdisur të dëshirave.
Që atëhere, kur ike Ti, në hyrjen e shtëpisë time, në shenjë mirënjohje, dashurie, mbolla lulekambana. Sa herë që kaloj pranë tyre, ato më përshëndesin me tënden ledhati, si atëhere kur për të parën herë më more në gji.
Unë, tani i burrëruar, ia marr këngës nën zë në heshtjen time të përralltë.
Moj lulekambanë mbjellë në saksi…!
Më je më e shtrenjta lule shpirti…!
E këndoj në shpirt e fytyra jote zbret nga kaltërsitë me napën borë të bardhë, mbi thinjat e mendimeve, si shtojzavalle, më pret çdo ditë në pragun e fëminisë me thirrmën:
-Mirëseerdhe bir..!
Nga sytë e mi, si dy krojet e Kolzës, rrjedh çurg dhimbja dhe malli që s’ mu ndalën kurrë dhe tani që u bëra gjysh e nipi yt u bë burrë.
Ndarjen tënde nga ne nuk e pranoi as lulekambana, s’e pranoi mëllenja, bishtlëkundësi, kumuria, pëllumbat. Ata të presin para pragut të vish nga ajo tjetër botë e t’i ushqesh me thërrimet e kokodashëve të dashurisë tënde.
Cicërimat e tyre çdo ditë jehojnë cep më cep të oborrit, zemër më zemër të kujtimit e qenies tënde, duke blatuar në përjetësi.
Më vinë ato cicërima gjer këtu në mërgimin e largët. E unë, në irisin e syve të tua shoh më shumë se kurrë cirkun e vërshimit të lojrave e magjistrimeve, yshtur nga keqdashësit e mi, mes social- mashtrimeve.
Tani që Ti s’je më, mes rrëzëllimeve të tua, që vinë nga yjësitë, shoh çdo ditë mëngjesin që shëtit me gishtin ogursjellës përmes thirrjeve në ogurzezat metingje.
Mërgimi, i pandjeshëm, në qoshkun e vet, qorrollepset mes rrënojave e premisave. Vandalët me fjalorin e përditshëm të mashtrimit më tundojnë; ” Këtu çdo gjë është e re”, e re si guacka e pajetë e lënë në breg nga zulma e një dallge.
Këtu, mes shpirtvdekurave guacka, kënga ime është po aq e huaj dhe e pa zë, sa fishkëllima e zërit në guackën e një perle të vjedhur.
Sivjet, në motin tënd, lulekambana dhe pjergulla e rrushit plak, nga ligështia pa prá degët i ka lëshuar tokazi, si të dojë me u përqafu me qënien tënde, përzier me tokën valë.
Më dhemb shpirti kur shikoj lulekambanën dhe pjergullën të zvargur nga mungesa e kujdesit tënd.
Hap dritaret e mallëngjimit dhe perdet e qendisura me grepin e durimit e të përkushtimit tënd. Gishtrinjtë e mallit sjellin në fytyrën time një kujtim gjithë shend.
Dy duart i ve në mollzat e faqeve të kuqëluara, si ato dy shegët e fundvjeshtës, që i ruaje për mua çamarrokun e larguar që fëmi.
Sodis hapësirat me sytë e mi gjer tek ty, deri vonë, atëhere, kur ylli i mbrëmjes më mori në gji me nina- nana, me njimend se ai yll je Ti.
Dashuria për ty nënë, tani që u bëra gjysh, më shumë se kurrë më ngjason me pafajësinë e një fëmije. Gjithçka buron nga brenda shpirtit, rrebelohet ndaj çdo përpjekje për t’i shtypur nga ngushtësirat ekonomike, sociale, konceptet e reja mbi jetën dhe familjen. Ajo qëndron brenda meje e pastër, siç na mësove ti nënë:
” Dashuria dhe nevoja janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Zulmë e parasë ka bërë që bota rreth teje të mos e njohë fisnikërinë e zemrës.”
E si ta harroj Nënë, kur ti, për të më larguar nga kjo yshje, me urtësinë tënde më thoje:” Gjuha, biri im, ndodhet mes zemrës dhe mendjes, ndaj mos u rrëmbe, gjyko me mendje e pesho me kandarin e zemrës.”
Unë e mbaja kyçur zemërimin tim e në këshillën tënde i kaloja fjalët nga zemra në zemër, më parë s ti kaloja nga goja te veshi.
Në çdo çast të vështirë të jetës sonë na falje veç dashuri e nga kjo, dikush nga ne kalonte malet e jetës e dikush, duke u tretur në kthjelltësinë e syve të tua, bëhej mal.
Kështu ti ushqeje ëndërrat, se nga jeta jote e dije, se mosrealizimi i një ëndrre është më e rëndë se një vdekje; ndaj sakrifikoje aq shumë me shpirtin, trupin tënd të cfilitur, me të vetmin qëllim, të na shihje kaluar mbi pegasin e ëndërrave tona. Botën e ndryshojnë njerëzit, që ndjekin ëndërrat e tyre gjer në të fundmet realizime.
Si sot më kujtohesh, e kërrusur mbi vllajat, me kep në dorë tek çapisje bimët. Ne të thërrisnim të hanim bashkë manat e mbledhur, Ti na përgjigjeshe me urtësinë tënde, me atë thënien biblike -edhe pak bir, kush punon me dorë përtace, varfërohet; dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.
Kësisoj, Ti na ushqeje dhe tolerancën e komunikimit duke na paisur me botë më të moralshme.
Nuk do ta harroj gjer në fundjetë, do ia lë nipave e mbesave si amanet fjalëurtën që më thoje sa here, kur vija i mëzitur nga grindjet me shokët e klasës dhe të lagjes. Duke më përkëdhelur krelat, më shikoje në bebe të syrit e më thoje:” …bir duke rrahur kosin nxirret gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak, duke ndrydhur mërinë prej saj del grindja, ndaj mos e mba mërinë brenda, por nxirre nga shpirti, flake tutje, larg jetës tënde, larg shoqërisë.”
Unë, edhe tani i moshuar, si Ti kur ike e na le veç këto kujtime plot dashuri, dal në dritare dhe gjurmoj yllin e karvanit kah lindja. Më i shndritshëm më duket horizonti në atë yllësi ku shtëpinë e përjetshme e ke tani Ti.
Si fëmijë vë duart në formë borie e bëj ta- ta- taaaa. I thirmoj shtëpisë ku më linde, lulekambanës, pjergullës së vjetër, vështrimeve të tua, zërit tënd plotëruar me ledhatime. Tani këto ëndërra nuk dua t’i kashais në shtratin tim, krah shprese ata dua të më bëhen, siç ishte për ty babai në amëshim. Kujtimi prindëror të më ndjekë si pulëbardhë në rrugëtimin tim plot dallgë e unë, në bashin e kujtimeve, të lundroj deteve të trazuar duke përshpirtur mbi ndarjen prindërore pa kthim.
Si vallë ikën kështu nënat, me kaq shumë dhimbje e kaq shumë dashuri?!
Kur hapa fletën e re të ditarit për kaptinën e re të një jete, shkronjat më ngatërroheshin me një alfabet tjetër zemre, më ngatërroheshin me shkronjat, që mbeten nga tingujt e fundshpirtit të nënave.
Shkronjat më vinin nga foleza nën brinjë, si hieroglife shpirti, me atë tisin bardhor të napës së nënës që mbante mbi krye si fisto boreale e një agimi të ri përjetësimi.
E gjej ngushëllimin në ato shkronja zemre, pika loti e vazhdoj me jetën time të ushqej jetën e fëmijve me zërin tënd, shpirtin tënd Nënë.
Akujt e mungesës zen e shkrihen nga ngrohtësia e fjalëve të tua, që treten në mendimin tim. Me ty e dashur Nënë, brezat rilindin si feniksi nga hiri i tij.
Sa herë që zgjohem, me kujtimin tend, s’do jem shpirtplagosur, s’do jenë mëngjese lotësh të rrugëve pa krye, por dritë në vargje shprese, hambar mirësie.
Oh, sa mire, kur nënat i ke kudo, në shpirt e mbi krye.

Postmortum
2001

ObserverKult

Kliko edhe:

NDUE DEDAJ: NËNË PASHAKOJA DHE NËNË PASHKJA E GJAKOVËS