“Nënës sime nuk i shkruaj letër”, poezinë e Riza Brahollit e lexon Teuta Shaqiraj


Nënës sime nuk i shkruaj letër,
Se ajo vetë kurrë s’më ka shkruar
Me zogjtë rri e flet si askush tjetër
I kon dhe me një zë të ngashëruar
S’lë mall e nuk le plagë pa treguar.

“Ta njihnit birin tim…! Si ai s’ka.
Mbi libra nuk mbyll sy, me yjet gdhin.
Kam frik’ se Ynëzot katar m’i dha
të rëndën barë deri në mallkim
Mbi karta të firaksë i vogli im.

E kisha aq të sjellshëm, aq të urtë
Ta përkëdhelja kohë kisha plot
Porse një ditë ja, te shkallë e gurtë
Ja mu këtu ca vjete porsi sot
“Do ik – më tha, – ca ëndrra s’i mbyt dot.”

I njomki im, si ju kur nxirrni fletë,
Një sy e kish te qielli, një te mua
Në ethe ish e kishte aq të nxehtë
Me ballin verdhur, bërë si limua
“Ta dish o ma, ta dish sesa të dua,

Por natën kur gjith’ bota shket në gjumë.
Më vjen një zë prej ëndrre e më zgjon
Ashtu si përmbi fusha zbret një lumë
Në deje, nëpër eshtra më vërshon
Dhe s’di me ç’agullira më pushton

Nuk di të them se ç’është në të vërtetë
Një ëngjëll, mbase djall apo një grua
Porse baritja e saja nëpër fletë
tek shkel me gjurma shiu nëpër mua
më ndjell të ngas pas saj, më bën ta dua”.

I thashë – në do një grua ta gjen nëna.
Më thuaj bir e nëna të bën dy.
E gjithë shtëpia diell të marrë brenda
Prej sëre e prej dere mos ketë sy
ta shohë dot; do jetë veç për ty.

-Më tha: – ti mos u trisht e mos m’u vra
Më prit te shkallë e gurtë si nga mot
Një ditë do të kthej këtu o ma
Këtu ku fjala mbillet lot më lot
Kaq thirrje nuk ka burr’ t’i mbajë dot.

Tani merak kam vënë e nuk di
Se shpirti s’m’i mban më, as shpina vitet
Dhe mua plakën gjallë kushedi
në do më gjejë kur pragut t’i avitet
kam frikë birit zemra, ç’do t’i vritet!

Nënës nuk i shkrova asnjë letër,
As nëna ime kurrë s’më ka shkruar
Por sonte në dritare malli i vjetër
Më bëhet zog me zëra të munguar
Më bën fole në zemrën e penduar.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Nëna nuk shkruante letra”


Lexo edhe:


RIZA BRAHOLLI: TË DESHA…! TË DUA!