Poezi nga Sergej Esenin
Nënokja ime,
Rro si mund të rrosh,
Më prek ky mall, kjo dashuria jote,
Po veçse ti
Aspak s’mund ta kuptosh
Më se jetoj
E ç’bëj mes kësaj bote.
Andej tani ka dimër
Dhe përnatë
Ti mendjen vret nën hënë në vetmi:
Sikur dikush e tund qershinë e thatë
Dhe nën dritare shund si hi.
E shtrenjtë!
A vallë flihet në tufan?
Oxhaku qan,
Ankohet me rënkime,
Si varr më duket shtrati me jorgan,
Më duket se më shpien në varrime.
Si mijëra psalltër pisër të këqinj
Këndon përshpirtjen era
Përmbi tokë,
Mbledh toka borën si qindarkat në pëqinj
Dhe s’kam mbi varr
As grua dhe as shokët!
Pranverën mbi çdo gjë do shpirti im,
E dua gjinë e detit,
Kur merr frymë,
Ku duket si anije në lundrim
Çdo ashkël,
Kur përrenjtë e turbullt shfryjnë.
Por një pranverë që me zjarr e pres
Revolucion të madhërishëm unë e quaj
Dhe veç atë josh,
E përshëndes
Dhe pikëllohem, tretem edhe vuaj.
Por ah, këtë pisllëk- planet të ftoftë
As diell… shpesh e shpejt s’e nxeh,
Ndaj unë si poet me shpirt të dobët
Mërzitem
Çmendem
Shaj,
E gota ngre!
Por koha vjen,
Nënokja flokëbardhë,
Vjen kohë e pritur shumë e na rrëmben,
Ndaj s’rrimë kotë me armët radhe-radhë,
Dikush me top
Dhe tjetri me kalem!
Harro për paret
Hiçit mos ia var!
E çfarë humbje?
Ju këto m’i thoni?
S’jam lopë, hergjele apo gomar
Që grazhdit të më nxirrni kur të doni!
Do bjerë ora
Vetë do të dal,
Kur topi mbi planetin të qëllojë,
Dhe kthehem në shtëpi, të blej një shall,
I blej babait ato e çka të dojë…
Tani tufan
Si mijëra psalltër të këqinj
Këndon përshpirtjen era
Përmbi tokë.
Mbledh toka borën si qindarakt në pëqinj
Dhe s’kam mbi varr
As grua dhe as shokë!
*Titulli i origjinalit: Përgjigje
Shqipëroi: Dritëro Agolli
ObserverKult
Lexo edhe: