Sergej Esenin: Unë kaq pak kërkova në këtë jetë…


Një kaltërsi e butë që nuk përshkruhet,
natyrë e qetë, siç pas stuhisë në verë,
dhe shpirti im i flakëruar nis e shuhet,
tek trëndafilave dhe mjaltit, u marr erë.

I qetë dhe unë. Koha ka bërë punën e vetë,
por për sa shkuan nuk trishtohem as mallkoj,
si kuajt e një trojke që gjëmuan si tërmet,
dhe brodhën botën me shkëndijat nën potkoj.

Që pluhur përreth ngritën. Që lanë gjurmë.
Që treten fërshëllimat djallëzore.
Dhe përmbi pyll, akoma sot, plot zhurmë,
ndihen si gjethe, q’i shkund bryma mëngjesore.

Një paralajmërim? Jehonë që vjen larg?
Të tërë këtu mbajnë frymën qetësisht.
Por ne me ju u bëmë një rresht, një varg,
shtigjeve të stuhishme, mrekullisht.

Le t’i shikojmë me radhë ç’kemi jetuar,
ç’u bë dhe çfarë nuk ndodhi në k’të vend,
të falim gjithë ata që rëndë na kanë shituar,
a patën faj ata, a ne nuk kishim mend.

Pranoj që gjërat kështu janë, vërtetë,
por më vjen keq që as tridhjetë pa shkuar,
unë që kaq pak kërkova në këtë jetë,
mes tymit të tavernës jam harruar.

Por lisi i ri hedh rrënjë e çelet prapë një ditë,
dhe jeshilon si bari në bregore…
Oh, ti rini e vrullshme me guxim plot dritë,
e artë dhe madhështore!

1925

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: Tani e tutje nuk do vuaj…