Nëntori paralajmërohet si afat i finalizimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore

Nëntorin e ka paralajmëruar ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, si afat kur do të dorëzohet në Qeveri Projektligji për trashëgimi kulturore. Këtë e ka bërë të martën derisa u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve, anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Dumoshi ka folur edhe për Xhaminë e Gurit, që tash gati një dekadë është peng i restaurimit. E sa i përket shndërrimit të ish-Burgut të Prishtinës në muze, ajo ka thënë se për këtë është formuar një grup punues.

“Ne jemi duke punuar dhe jemi në fazën përfundimtare. Deri në nëntor duhet të dorëzojmë gjashtë ligjet e parapara në programin e Ministrisë. Uroj që ju si deputetë t’i jepni rëndësinë dhe komentet e juaja për kalimin e Projektligjit të trashëgimisë”, ka thënë Dumoshi. Por atë projektligj nuk kanë mundur ta çojnë përpara disa qeveri, shkruan ‘koha ditore’.

Për herë të fundit, në korrik të vitit 2018, Ministria e Kulturës i ishte rikthyer hartimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore. Brenda gjashtë vjetëve për herë të tretë ky institucion kishte nisur tentimin të hartojë një dokument, i cili do të vinte edhe rregulla të reja sa u përket ruajtjes e menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Grupi punues ka punuar për Projektligjin, i cili do ta zëvendësonte Ligjin e vitit 2006 dhe do të përmirësonte “lëshimet” e dy komisioneve paraprake, njëri i emëruar para shtatë vjetësh, në kohën kur ministër i Kulturës ishte Memli Krasniqi, e tjetri i formuar më 2015, nga pasardhësi i Krasniqit në MKRS, Kujtim Shala.

Në vitin 2014, Qeveria kishte pranuar një draft të Projektligjit për trashëgimi kulturore. Por asokohe për shkak të zgjedhjeve dhe konstituimit të ri të Kuvendit dhe të Qeverisë, Projektligji ishte kthyer në pikën zero. Grupi i ri punues i formuar në fillim të vitit 2015 kishte hartuar një draft. I njëjti draft ishte miratuar në Qeveri. Por në ditën e 6-të të prillit, ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, e kishte tërhequr atë nga Kuvendi me arsyetimin se duhet plotësuar e harmonizuar me konventat ndërkombëtare e direktivat e UNESCO-s, meqenëse Kosova asokohe ia kishte mësyrë që të bëhej pjesë e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara. Ligji për trashëgimi hyn në pakon e ligjeve me interes vital. Kësisoj, për miratim duhen dy të tretat e dyfishta, që nënkupton se duhet të marrë edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave. Pra, varet nga 20 vendet e rezervuara për pakica në Kuvendin e Kosovës. Gazeta kishte marrë vesh që po në ditën që Projektligji do të nxirrej në votim, autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar ish-kryeministrin, Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por Projektligji përcaktonte se bëhet fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës.

Të martën Dumoshi është pyetur edhe për gjendjen e Xhamisë së Gurit ose Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë. Sipas saj, punimet në atë monument do të mund të përfundonin me 20 mijë euro, por Komuna e Prishtinës nuk është duke investuar.

Projekti për restaurimin e Xhamisë së Gurit, i nisur gati një dekadë më parë, vazhdon të mbetet i papërfunduar. Punimet janë ndërprerë qysh prej vitit 2013, e në “dosjen” e këtij projekti bëjnë pjesë edhe dënimet e zyrtarëve të shtetit për keqpërdorim të buxhetit, neglizhenca e joserioziteti. Rasti i këtij monumenti është një prej dëshmive konkrete të qasjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore. Mbi gjysmë milioni euro ishin investuar nga Komuna e Prishtinës dhe janë bërë më shumë se dy vjet prej kur Komuna e Agjencia Turke për rindërtim dhe Zhvillim kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për ta përfunduar punën në këtë xhami. Por projekti nuk ka nisur ende të implementohet.