“Është një keqkuptim i zakonshëm, kur thuhet se majmunët janë një hap larg nga të qenit njerëz, apo se janë një hallkë e ndërmjetme. Në fakt nuk është kështu”
Në vitin 2017, komediani amerikan Tim Alen shkroi në Twitter një pyetje, që zbuloi se sa pak kupton ai mbi evolucionin. Dhe duket se nuk është i vetmi. Postimi i tij mori gati 50.000 Like dhe 13.000 retweet.
Shumë njerëz që reaguan ndaj postimit të Alen, donin të dinin gjithashtu përgjigjen e pyetjes që ai shtroi:”Nëse kemi evoluar vërtet nga majmunët, pse ka ende sot majmunë?”.
“Përgjigja e shkurtër është se ne nuk kemi evoluar nga asnjë prej kafshëve që janë sot të gjalla”- thotë Zak Kofran, antropolog në Kolegjin Vasar. Kjo do të thotë, se njerëzit nuk kanë evoluar nga gorillat që shohim në kopsht zoologjik, apo shimpanzetë me të cilat bëjmë foto në një safari.
Evolucioni- prejardhje e modifikuar
“Është një keqkuptim i zakonshëm, kur thuhet se majmunët janë një hap larg nga të qenit njerëz, apo se janë një hallkë e ndërmjetme. Në fakt nuk është kështu” thotë Kofran.
Çarls Darvin, natyralisti më i njohur për teoritë e tij të përzgjedhjes natyrore, e përshkroi evolucionin “si një prejardhje me modifikim”.
Pra kjo do të thotë, që njerëzit e kanë origjinën nga paraardhësit e zakonshëm të majmunëve. Nga ata që kanë jetuar miliona vjet më parë, një proces i referuar si “prejardhja e përbashkët”. Ndërsa ne ndajmë prejardhjen tonë me këto kafshë, gjatë rrugës, pra gjatë miliona viteve, ne të gjithë ndryshuam.
Shkëputja e njerëzve nga linja e majmunëve shimpanze ka ndodhur midis 9.3 dhe 6.5 milion vjet
“Secili nga ne u përshtat me mjediset tona apo rrethanat specifike”- shton eksperti. Besohet se kjo shkëputje e njerëzve nga linja e majmunëve shimpanze ka ndodhur 9.3 – 6.5 milion vjet më parë. Përfundimi është se, të gjithë njerëzit janë majmunë. Si të tillë, të gjithë njerëzit janë të lidhur me majmunët e tjerë.
“Ky koncept i lidhjes universale, në fakt është shumë modest. Ne ndajmë paraardhës me thuajse gjithçka që është e gjallë sot në Tokë”- shprehet Kofran. Me fjalë të tjera: ne jemi të gjithë pasardhës të një specie të vetme, që ka jetuar miliona e miliona vite më parë.
Kjo do të thotë se njerëzit kanë lidhje me balenat, peshkaqenët, pemët, krimbat dhe bakteret. “Kur përmendim evolucionin, ne flasim më shumë për majmunët, pasi ata janë të afërmit tanë më të afërt të gjallë sot”- thotë eksperti.
Kofran flet edhe për një tjetër keqkuptim të zakonshëm. Atë se njerëzit nuk po evoluojnë më. Në fakt të gjitha kafshët në Tokë po vazhdojnë të evoluojnë, dhe këtu përfshihen edhe njerëzit. Ne priremi ta shohim evolucionin përmes një lenteje të përqendruar tek njeriu, shton ai.
“Ne nuk jemi kulmi i evolucionit. Është e gabuar të besohet se gjithçka po evoluon drejt njerëzimit. Në fakt, evolucioni nuk ka një qëllim. Si shoqëri, ne përdorim termin evolucion me shumë domethënie sociale dhe e mendojmë atë si përmirësim”- thotë Kofran.
Një keqkuptim tjetër, është ai që e sheh evolucionin si një proces linear. Se ai ndodh në një vijë të drejt, nga primitive në të avancuar. Por më e saktë është ta mendojmë evolucionin si një proces “degëzimi”. Pra krijimi i një grupi të ri organizmash nëpërmjet “divergjencës evolucionare” nga një paraardhës i përbashkët/Discover Magazine
ObserverKult
Lexo edhe:
EVOLUCIONI: KËTO JANË 10 MISTERET E NJERËZIMIT