“Zorba” është një novelë letraro-filozofike e shkruar nga Nikos Kazantzakis. Kjo novelë u publikua për herë të parë në vitin 1946 dhe në vitin 1964 u realizua edhe si film.
Novela përshkruan jetën e një intelektuali të ri, grek, i cili ka marrë vendimin për të braktisur jetën e tij vetmitare midis librave në mënyrë që të hidhet në krahët e eksperiencës së jetës dhe të përjetimit me ndihmën e njeriut misterioz që ai takon, Aleksis Zorba.
Stili
Si shumica e novelave të botuara në vitet 1940’edhe “Zorba” përmban një dialog harmonik mbi idetë dhe ekzistencializmin e njeriut duke i lënë hapësirë lexuesit përmes personazheve që të mund të thellohet dhe njëkohësisht të reflektojë mbi temat që parashtrohen. Karakteristikë tjetër e veprës është që bart hijet e dramës dhe këtë e arrin përmes dy personazheve që na ofrojnë një dualizëm, i cili mund të sintetizohet përmes intelektit, përshkrimit të udhëtimeve që bëjnë personazhet së jashtmi e së brendshmi, dhe ndërveprimit me personat e rinj që takojnë dy personazhet tanë. Karakteristikë unike e veprës është mjeshtëria me të cilën autori përkthen pyetjet dhe shqetësimet e njeriut që nga agu i historisë në një dialog harmonik duke na ftuar që përmes letërsisë dhe dialogut, të reflektojmë filozofikisht.
Analizë e personazheve
Rrëfimtari
Shkrimtari apo rrëfimtari paraqet në të vërtetë një autobiografi intelektuale të autorit të veprës, Nikos Kazantzakis. Shkrimtari paraqet njeriun “apollonian” apo teorik i cili nuk hidhet tek eksperiencat pasi merr parasysh të gjitha detajet duke qenë se zotëron një lente këndgjerë dhe frikërat e ndalojnë që të ndërmarrë guximin për të qenë aktiv dhe për të përjetuar. Krahas kësaj tek shkrimtari vëmë re një formim shumë të mirë intelektual por jo emocional. Përgjatë librit kjo vihet re edhe kur vejusha për të cilën shkrimtari ndjente po vritej nga turma, ai nuk kishte guxim për të bërë asgjë. Mungesa e guximit i kishte ngrirë dalëngadalë idealet që ai kishte arritur përmes intelektit të tij. Shkrimtari vihet re që universalizohet apo simbolikisht transformohet dhe merr pamjen e secilit prej nesh pasi është në kërkim të lirisë por vetëm përmes mendjes dhe jo harmonisë mendje-trup. Kjo është arsyeja përse shkrimtari së brendshmi para se të njohë Zorbën gëzon një lloj melankolie dhe shqetësimi të brendshëm pasi kupton nevojën e tij por nuk mund ta realizojë atë së brendshmi, pa një shkak të jashtëm, pra pa një mësues. Analogjikisht, kjo është dilema e parë që trazon mendjen dhe ndjenjat e të gjithë heronjve modernë apo klasikë. Zorba është “momenti” kur shpirti i aventurës lind dhe dija teorike fillon ndërthuret me atë praktike duke u transformuar në një dituri aktive dhe universale.
Zorba
Në epokën tonë Zorbat janë të rrallë. Zorba është mishërimi i njeriut i cili nuk e ka shkëputur kordonin nga Toka. Pa e interpretuar këtë negativisht, po flasim për njeriun “dionisiak”, i cili është maturuar përmes eksperiencës dhe përjetimit jetësor. Zorba jeton dhe është protagonist i jetës dhe jo vëzhgues i saj. Entuziazmi dhe të shikuarit e çdo gjëje si për herë të parë, janë karakteristikat filozofike që vulosin karakterin dhe parimet e Zorbës. Zorba ka djaloshërinë dhe përvojën, ashpërsinë dhe fisnikërinë, luftëtarin dhe filozofin të integruara harmonikisht në karakterin e tij. Ky karakter aktiv dhe i shëndetshëm ka lindur si pasojë e eksperiencës dhe diturisë së përftuar përmes saj.
Zorba nuk sheh probleme por sfida, nuk sprapset por godet me fuqi për të vazhduar përpara dhe i bie sandurit (vegla muzikore e tij) për ta kthyer çdo lloj akti në gëzim dhe reflektim mbi mundësinë e të shijuarit të jetës, pa u shqetësuar shumë për kuptimin e fshehtë të saj, pasi kuptimi i fshehtë i saj, sipas Zorbës, është të jetuarit atë.
Çfarë mësojmë nga vepra?
Vepra bën të mundur që të kuptojmë që të gjitha llojet e natyrave kanë mënyrën e tyre unike të së vëzhguarit e të krijuarit raporte me botën dhe nuk bartin raporte hierarkike me njëra-tjetrën. Përmes veprës, secili prej nesh ka mundësinë të reflektojë mbi jetën, miqësinë, nderin, vdekjen, filozofinë, luftëtarin e shumë koncepte të tjera që shoqërojnë mendjen njerëzore ndër epoka.
Rrëfimtari na mëson përmes shndërrimit të tij përgjatë veprës, se mund të mësojmë nga kushdo nëse nuk përqendrohemi tek detajet e kota, por tek elementët esenciale që gjenden tek secili.
Zorba na mëson që të jemi aktivë, ta gëzojmë përvojën tonë dhe të kuptojmë plotësinë që përshkon panorama e secilit prej nesh nga një natyrë më pak e ngjashme me secilin prej nesh. Personazhi ynë na mëson ta shndërrojmë eksperiencën jetësore në moment dhe dituri qenësore, pra universale.
Nëse po lexon “Zorbën” dhe nuk po lufton me veten, atëherë ktheju përsëri faqeve të mëparshme!
Përgatiti Arbër Metuku, Botime Akropoli i Ri
ObserverKult
Lexo edhe: