Nëse Roma nuk u “ndërtua brenda një dite”, atëherë sa kohë u desh?

Siç e dinë të gjithë, dhe e thotë edhe shprehja e urtë: Roma nuk u ndërtua brenda një dite. Atëherë sa kohë u desh për t`a ndërtuar këtë qytet të madh të botës antike? E vërteta është me nuanca, dhe varet nga mënyra se si e formuloni saktësisht pyetjen.

Sipas legjendës, Roma u themelua në vitin 753 Para Krishtit. Por hulumtimet sugjerojnë se qyteti e pati fillesën e tij si një vendbanim i vogël bujqësor rreth vitit 600 Para Krishtit. Cilado qoftë data zyrtare e themelimit, në shekujt që pasuan, ndërtuesit romakë do të ndërtonin disa nga veprat arkitektonike më të famshme që u panë ndonjëherë në botën antike.

Megjithatë, shumë nga idetë e zbatuara nuk ishin të tyret. Nga ujësjellësit dhe harqet, tek digat dhe kupolat, romakët ishin mjeshtra të përmirësimit dhe zgjerimit të ideve ekzistuese. Amfiteatri fatkeq i Pompeit, Koloseu dhe Panteoni i famshëm ishin disa nga ndërtesat romake që ishin të pakonkurrueshme për kohën e tyre.

Rrënojat e tyre i magjepsin ende sot vizitorët. Roma e arriti kulmin e periudhës ndërtimore afërsisht midis vitit 40 Para Krishtit dhe vitit 230 Pas Krishtit. Më pas, kombi e humbi pasurinë e tij, teksa qeveria e tij qendrore u destabilizua. Shembja e Perandorisë Romake ndodhi në vitin 476 Pas Krishtit, kur depërtuan fiset gjermane.

Pra, sipas datave të ofruara nga historianët antikë, u deshën plot 1.229 vjet për të ndërtuar Romën, duke e llogaritur këtë shifër që nga themelimi dhe deri në shembjen e saj. Qyteti antik u banua nga 500 mijë deri në1 milion njerëz në shekullin II pas Krishtit.

Godinat kryesore u ndërtuan kryesisht përpara dekadave të fundit të perandorisë. Kjo do të thotë se u deshën afërsisht 800 vjet për të ndërtuar Romën antike në kulmin e saj. Pjesa më e madhe e historisë më të hershme të Romës ka humbur në kohë.

Sipas historianëve antikë romakë, shumë vepra të mëdha të letërsisë, u shkatërruan bashkë me pjesën tjetër të qytetit gjatë plaçkitjes së Romës nga Galët në vitin 390 Para Krishtit. Fatmirësisht, disa historianë –që të gjithë të lindur shekuj më vonë – shkruajnë versionet e tyre të historitë gojore, duke na dhënë disa elementë për të kuptuar të ashtuquajturën Periudha e Mbretërve.

Legjenda na tregon se Roma u themelua në 21 Prill të 753 Para Krishtit, një datë e saktë e dyshimtë e regjistruar nga historiani i shekullit I Markus Varro. Një historian tjetër, Tit Livi, thotë se Roma u themelua nga dy vëllezër binjakë, Romuli dhe Remi.

Imazhi i tyre portretizohet shpesh në mitet romake si 2 foshnja që pinë qumësht në gjinjtë e një ujkonje. Kur u rritën binjakët nuk ranë dakord se kush duhet të sundonte qytetin pasi të ishte ndërtuar, ndaj Romuli e vrau vëllain e tij, duke rrëmbyer mantelin e mbretit të parë të Romës.

Sipas mitit romak, Romuli hartoi ligjet, formoi ushtritë dhe zhvilloi sistemet shoqërore dhe fetare të qytet-shtetit. Madje ai thuhet se themeloi senatin e parë. Pikërisht gjatë së njëjtës Periudhë të Mbretërve u ndërtua për herë të parë Circus Maximus, një nga arenat më të mëdha sportive të ndërtuara ndonjëherë.

Livi thotë se Romuli organizonte gara më karroca në atë vend. Gjithashtu Romuli ndërtoi mure përreth qytetit, duke i bërë ata gjithnjë e më të mëdhenj, me synim zgjerimin me territore të reja dhe me planifikimin enjë popullsie të madhe, që ai shpresonte se do të kishte një ditë Roma.

Por studime më moderne e kanë hedhur poshtë këtë ide. Muri më i vjetër mbrojtës i njohur që përfshin qytetin quhet Muri Servian, i emërtuar sipas mbretit të gjashtë të Romës, Servius Tulius, qenë fakt shumë kohë para se të ndërtohej muri në shekullin IV Para Krishtit. Në shekujt që pasuan, muret do të shtyheshin më larg në fshatrat përreth, ndërsa popullsia e Romës do i tejkalonte kufijtë ekzistues të qytetit.

Gërmimet në kodrat përreth Romës, tregojnë se njerëzit jetonin atje që prej vitit 1000 Para Krishtit. Pastaj, fermerët vendas filluan ngadalë të kalonin nga një jetë rurale në atë brenda mureve të një qyteti që po rritej gradualisht. Tani e dimë që historia e origjinës së Romës doli nga kulturat që jetuan në atë rajon për shekuj me radhë para themelimit legjendar të qytetit. Njerëzit Latium flisnin një gjuhë pararendëse të latinishtes dhe punonin në një rajon të vogël me tokë vullkanike pjellore, afër lumit Tiber në Italinë qendrore. Këta fshatarë u përleshën me civilizimin etrusk aty pranë.

Dhe si një lëvizje mbrojtëse kundër fqinjëve të tyre, fermerët nga i gjithë rajoni u mblodhën bashkë dhe hodhën bazat për atë që do të bëhej qyteti i Romës, diku rreth shekullit VI Para Krishtit. Republika Romake filloi rreth vitit 509 Para Krishtit, dhe zgjati deri afërsisht në vitin 31 Para Krishtit.

Gjatë asaj periudhe u ndërtuan tempuj të mëdhenj si Panteoni dhe vendet e argëtimit të zgjeruara, si Circus Maximus, që deri në atë moment ishte zgjeruar nga një pistë për kuaj në një arenë më të përshtatshme. Menjëherë pas saj nisi epoka e Romës Perandorake, pikërisht kur Oktaviani mundi Mark Antonin dhe Kleopatrën e Egjiptit në betejë.

Më pas, Oktaviani mori emrin August dhe u bë Perandori i parë i Romës. Këshilltari më i besuar i Augustit ishte Markus Agripa, një gjeneral, politikan dhe ndërtues i njohur Romak. Ai pati një rol qendror në ndërtimin e ujësjellësve të Romës, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërtimin e banjove publike dhe mbjelljen e kopshteve të mëdha.

Rreth vitit 80 Pas Krishtit, u kompletua Koloseu në qendër të qytetit të Romës, duke siguruar një hapësirë për rreth 60.000 spektatorë për të parë ndeshjet e gladiatorëve. Ajo është pa dyshim godina më madhështore dhe e famshme që Roma ndërtoi ndonjëherë. Në shekujt që pasuan, një sërë epidemish, pushtimesh dhe luftërash civile, do ta gjunjëzonin Romën. / Bota.al