Nesër, ekspozita individuale e artistit Burim Gashit “Heshtje e rëndë”

Nesër, në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës hapet ekspozita individuale e artistit Burim Gashit “Heshtje e rëndë”, kuruar nga Manya Gramsch.

Gramsch për veprat e Gashit të përzgjedhura për këtë ekspozitë, thotë se përçojnë ndjenja të përziera, pasi në to ndjehet atmosfera traumatike që vjen nga lufta dhe përvojat përsonale të njerëzve përreth autorit apo edhe të vetë atij.

Tutje Gramsch vlerëson teknikën e punës së Gashit, ku materialet e përzgjedhura për të punuar me to shkaktojnë, sipas saj, kontraste që reflektojnë mbi peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person.

Në vazhdim mund ta lexoni deklaratën e plotë të kuratores Manya Gramsch:

Të shikosh një peizazh të natyrës së qetë mund të jetë relaksues madje edhe i gëzueshëm. Por ndonjëherë ato pamje sjellin ndjenja të përziera. Në disa vende ka një heshtje të rëndë në ajër, një pasiguri që mund ta ndjeni edhe pse nuk mund të shihni asgjë. Kjo atmosferë mund të bëhet edhe më e fortë nëse dini për historinë e atij vendi ose nëse kërkoni përgjigje që nuk mund të gjenden.

Ekspozita `heshtja e rëndë`, tregon veprat e fundit të skulptorit kosovar Burim Gashi dhe tregon pasojat emocionale të ngjarjeve traumatike që ishin krijuar nga lufta, dhuna dhe paqartësia për njerëzit e zhdukur. Në këtë seri të re të veprave Burimi tregon shumë përvoja personale dhe traumatike që lufta dhe dekadat në vijim i kanë shkaktuar atij dhe njerëzve përreth tij.

Duke shikuar veprat e tij vërehet se materiali i skulpturave monumentale nga çeliku shkakton një kontrast të vrazhdë me format organike, rrjedhëse të pamjes filigrane të skulpturave dhe instalacioneve. Forma dhe materiali i veprave të artit reflektonte mbi peshën subjektive që shtrihet mbi çdo person dhe gjithashtu shtrojnë pyetje se çfarë po ju bën kjo peshë njerëzëve nëse vazhdojnë ta mbajnë atë në heshtje.

Në veprat e tij Burim Gashi jo vetëm që po i hap veten audiencës, por gjithashtu krijon një hapësirë të ndjeshme për të reflektuar, menduar dhe folur për përvojat, emocionet dhe kujtimet individuale dhe kolektive.

_________________________________

Skulptori Burim Gashi është i lindur në Prishtinë, në vitin 1973.
Studimet themelore i kreu më 1998, në Fakultetin e Arteve – Dega e Skulpturës, në Universitetin e Prishtinës, në klasën e Profesorit Agim Çavdarbasha. Studimet Postdiplomike, i kreu po ashtu në Drejtimin e Skulpturës, në të njejtin Fakultet. Gjatë studimeve dy herë është shpallur student i dalluar në Skulpturë.
Burim Gashi që nga viti 2004 është i zyrtar i lartë për cilësi në Departamentin e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit. Gjatë kësaj kohe ka pasur pozita të ndryshme në këtë ministri, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Arsimit të Lartë, që e ushtron edhe tani.
Që nga viti 2011 është i angazhuar edhe si Mësimdhënës në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Arteve të Bukura, në Universitetin e Prishtinës.
Në vitet 2004 – 2008 ishte anëtar i Bordit të Galerisë së Arteve të Kosovës.
Burim Gashi është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë Kosovës (Gjermani, Francë, Indi etj.), duke qenë fitues edhe i disa çmimeve prestigjioze, për skulpturë e vizatim./ ObserverKult