Nesër në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë mbahet takimi letrar, “Fjala ime ka etje”

Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, nesër (7 mars), duke filluar nga ora 15.30, do të organizojë takimin letrar “Fjala ime ka etje” me mësueset, profesoreshat dhe gazetaret të cilat kanë qenë prijatare të poezisë në Kosovë.

“Si kujtesë për motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi të cilat e hapën Shkollën e Parë Shqipe në Korçë, më 7 mars 1887 kjo ngjarje titullohet ‘Fjala ime ka etje'”, thuhet në postimin në faqen në Facebook të kësaj biblioteke.

Gjatë këtij takimi letrar do të lexohen, po ashtu krijime të poeteshave të ndjera dhe do të interpretohen këngë shqiptare.

Shkolla e vashave

Shkolla e vashave u hap më 7 mars të vitit 1891. Ajo u ndërtua si shkollë me program bashkëkohor, megjithëse të gjithë e dinin që ajo kishte karakter kombëtar për faktin se e ngritën jashtë çdo ndikimi të ndasive fetare dhe të gjitha mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit, Parashqevia botoi abetaren shqipe dhe arsimi në Shqipëri mori një hov të madh.

Si mësuese, motrat Qiriazi u shquan për pasionin, vullnetin, këmbënguljen, për qartësinë e misionit të tyre, për frymën e kërkesave për ta ngritur shkollën e vashave në nivelin më të mirë të shkollave të kohës. Parashqevia dha një shembull tjetër duke hartuar programe arsimore për qeverinë e Ismail Qemalit, që përbënte një rast të rrallë në fushën e mendimit pedagogjik. Programi i saj i kushtonte më tepër vëmendje mësimit, shkrimit e leximit në gjuhën shqipe e të aritmetikës. Shkollën filluan ta ndiqnin jo vetëm nxënëse nga qyteti i Korçës, por edhe nga fshatrat rreth e rrotull Korçës e rrethet fqinje.

Motrat Qiriazi themeluan shoqatën “Ylli i mëngjesit” në ShBA ku dhe botuan këngën e Alfabetit Shqip. Numri i parë i revistës “Ylli i Mëngjesit” doli më 15 janar 1917. Ajo kishte 32 faqe. Që në krye, poshtë titullit të revistës, jo pa qëllim, Parashqevi Qiriazi theksonte karakterin kombëtar, duke e paraqitur atë para lexuesve të huaj dhe bashkëatdhetarëve si “revistë dyjavore shqiptare, kushtuar ndriçimit e naltësimit të popullit shqiptar”.

Në këtë revistë zinte vend të rëndësishëm Fleta e editorit, të cilën e përgatiste vetë. Në rubrikë trajtoheshin probleme të arsimit, edukatës dhe parimeve morale. Parashqevi Qiriazi ka meritën se solli në shkrimet dhe revistën e saj mendimin më të përparuar arsimor të kohës.

ObserverKult


Lexo edhe:

“POETËT E ETNISË”, TAKIM ME KRIJUESIT QË JETOJNË JASHTË KOSOVËS- ORGANIZOHET NGA BIBLIOTEKA “HIVZI SULEJMANI”