
Në datat 8–10 tetor 2025, Tirana do të kthehet në qendër të letërsisë bashkëkohore me zhvillimin e Festivalit Ndërkombëtar Letrar për të Rinj “Tirana Gate”, në edicionin e tij të 11-të.
Tema qendrore e festivalit, “Mesdheu: Akti i qëndrimit”, bashkon autorë, përkthyes dhe studiues nga vende të ndryshme të Mesdheut dhe Evropës për të reflektuar mbi fjalën, kujtesën dhe rezistencën kulturore në kohët bashkëkohore.
Në këtë frymë, programi i festivalit përfshin panele, lexime poetike, performanca dhe diskutime që prekin temat e identitetit, kujtesës, trupit, kufijve dhe qëndresës përmes letërsisë.
Më 8 tetor, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, do të zhvillohen pesë panele që trajtojnë lirinë e fjalës, letërsinë e re digjitale dhe qytetet mesdhetare si hapësira të përplasjes dhe ëndrrës. Në mbrëmje, autorë nga vende të ndryshme do të lexojnë krijimet e tyre, ndër ta edhe zëra nga Suedia, Italia, Serbia, Turqia, Mali i Zi dhe Kosova.
Më 9 tetor, fokusi kalon tek “Mesdheu i identiteteve”, “Kujtesa përtej kufijve” dhe “Mesdheu si prag: trupa, kufij, përkatësi”, ku do të diskutohet mbi migrimin, gjuhën, përkatësinë dhe mënyrën se si letërsia ruan kujtesën e përbashkët.
Në fund të ditës, festivali do të mbajë një sesion të veçantë nën thirrjen “Palestina flet / Stop gjenocidit – Unë jam nga atje / Mahmoud Darwish”, me lexime poezish, dëshmi video dhe pjesëmarrje të poetëve e artistëve nga Gaza.
Ky është një prej momenteve më domethënëse të edicionit, që e shndërron festivalin në një platformë solidariteti njerëzor përmes artit dhe fjalës.
Në ditën e tretë, më 10 tetor, panelet do të përqendrohen në mitin, migrimin dhe rikthimin, me diskutime mbi mënyrën se si letërsia moderne ringjall rrëfimet e lashta dhe i përkthen ato në një gjuhë të re për brezat bashkëkohorë.
Në fjalën e saj, drejtoresha Irena Toçi thekson:
“Mesdheu mbetet një ftesë e përhershme për të mos harruar, për të mos u tërhequr, për të mos humbur mes dallgëve.
Festivali është një akt i përbashkët qëndrimi, një homazh ndaj hapësirës që e mban njeriun dhe kulturën të gjallë.”


“Tirana Gate” tashmë është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare rajonale, një pikë takimi ku letërsia e të rinjve ndërthuret me zërat e afirmuar të Mesdheut.
Ky edicion i njëmbëdhjetë vjen si dëshmi se fjalët mund të ndërtojnë ura më të forta se kufijtë, duke i dhënë Tiranës për tri ditë me radhë rolin e kryeqytetit të rezistencës poetike mesdhetare.
DREJTUESET E FESTIVALIIT:


PROGRAMI






ObserverKult






