Nesër, takim me shkrimtarin Adem Gashi

adem gashi antologji atdhedashuri

Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon aktivitetin letrar “Takim me shkrimtarin Adem Gashi në Skenderaj”.

Takimi mbahet nesër nga ora 14:00, në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, sheshi “Adem Jashari”, Skenderaj.

“Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” ka nderin që programin e saj letrar për realizimin e takimeve me shkrimtarë në qytete të ndryshme të Kosovës do ta fillojë në qytetin emblemë të lirisë sonë, Skenderajin, në të cilin do të zbresë shkrimtari ynë i njohur, Adem Gashi. Andaj, jemi të kënaqur që këtë program letrar e fillojmë me këtë qytet e me këtë poet të majave të larta estetike”, thuhet në njoftim.

Adem Gashi u lind më 18/10/1953 në Nekoc të Drenasit.

Poeti, prozatori, publicisti Adem Gashi veprimtarinë letrare e ka nisur para 46 vjetësh, kurse botimin e librit të parë para 39 vjetësh. Ka shkruar poezi, prozë të shkurtër (tregime) dhe të gjatë, publicistikë dhe ka marrë pjesë, me kumtesa, në disa konferenca shkencore në Kosovë dhe Shqipëri, për letërsinë shqipe.

Adem Gashi ka botuar 24 libra (romane, eseistikë, tregime e poezi). Ka fituar rreth 50 çmime letrare. Tetë libra të tij janë lauruar me çmimet më të larta kombëtare (libra të vitit).

Ka qenë, për disa vjet, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Në Panairin e Librit Prishtina 2018 nga Shoqata e Botuesve të Kosovës është shpallur SHKRIMTAR I VITIT.

Është anëtar i redaksisë së revistës për letërsi, kulturë, gjuhë, media, “Akademia” dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik.

Është prezantuar në dhjeta antologji të lirikës shqipe.

Kritika shqipe e ka thënë që sa kohë fjalën për poezinë e tij: një ndër poetët më të mirë të sotëm shqiptar.

Shkrimtari Adem Gashi jeton dhe vepron në Prishtinë.