Neviana Shehi: Trëndafil i përmalluar

Edhe sonte ti hyre lehtë – lehtë në pritjet e mija
me një trëndafil të përmalluar mbrëmje në buzë.

Se mohoj
U drodha paksa dhe u mrekullova
ndjenjat kanë pamjen tënde
të bukura, magjepse dhe
me të njëjtin trëndafil mbrëmësor në buzë.

Erdhe ashtu siç të prisja
I bukur, i ëndërrt dhe me pak ankth në buzëqeshje
Erdhe si aromë, për të më dehur sërish nga e para
dhe për të ma bërë më të dukshme
domosdoshmërinë e qenies tënde.

I dashur,
unë kam dëgjuar për çuditë që bën dashuria
por qëndrimi larg teje
më mëson
të të rikrijoj prej ajri
ashtu siç krijoi njeriun e parë nga balta Krijuesi

Dhe pse s’është i lehtë rikrijimi
sepse ti
je kaq i bukur dhe i tejdukshëm njëherësh
si pritjet e mija
dhe si puthjet.

Sa shumë do të doja të kisha sot pranë
të m’i fryjë pak flokët
dhe buzët e mija
eh, largësitë janë kaq mizore!

Mbrëmë ti hyre si një imazh drithërues brenda meje
dhe unë kuptova
sa shumë të ndjej
sa shumë…