Janë të rrallë ata që e dinë origjinën e vërtetë të fjalës nostalgji. Nuk është fjalë greke, edhe pse tingëllon e tillë dhe është e përbërë nga fjalët greke « nostos » – kthimi, dhe « algos » – dhembja.
Semantikisht, nostalgjia është pra dhembja e kthimit, është njëkohëisht dhembja që na mundon kur jemi larg dhe vuajtjet që përjetojmë për t’u rikthyer, vuajtjet gjatë rrugës së kthimit.
Homeri, poeti i verbër grek i cili me siguri kurrë s’ka ekzistuar, në poemen e tij monumentale Odisea, përshkruan perpiecitë e kthimit të Uliksit, heroit të endur me vite. Filozofja franceze Barbara Cassin mendon se Odisea është par excellence poema e nostalgjisë. Megjithatë, kujton ajo, « nostalgjia » nuk është fjalë greke dhe nuk gjendet askund në vepren e Homerit.
Nostalgjia është në fakt fjalë gjermane nga Zvicra. Është në të vërtetë emri i një sëmundjeje të identifikuar në shekullin e XVII-të. Në vitin 1678, mjeku zvicerian Jean-Jacques Harder, e krijon këtë neologjizem me bazë greke për ta përshkruar « mallin për shtëpinë, për vendin », Heimweh në gjermanisht, nga i cili vuanin mercenanrët zvicerianë besnikë dhe të kushtueshëm të Mbretit francez Luigjit XIV. Sipas Barbara Cassin**, kjo fjalë e re, dmth fjala nostalgji, mendohet se u ripërdorë dhe u sistemua si term në vitin 1688 në tezën e mjekësisë që Jean (Johans) Hofer nga qyteti Mulhouse i Francës, paraqiti në Universitetin e Bazellit. Në studimin e tij Hofer tregon rastin e një të riu nga kantoni i Bernit, i cili ishte në gjendje shumë të keqe por u shërua gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi, madje ende pa arritur ne shtëpi.
Çështja e « mallit për vendin » merr dimension ushtara në atë kohë sepse ushtarët zvicerianë dezertonin sapo dëgjonin këngën tradicionale të çobanëve nga alpet, « le ranz des vaches » – këngën e lopëve. Aq e dashur ishte kjo këngë për zvicerianët, shkruan Rousseau në « Fjalorin e muzikës », cituar nga Cassin, saqë dënohej me vdekje kushdo që e këndonte, sepse veç dëgjimi i saj shkaktonte lotë e mërzi të pa përballueshme tek ushtarët. Malli për vendin, për shtëpinë pra, konsiderohej sëmundje. Ata që ishin larg, ishin të sëmurë dhe asnjë bar apo mjekim nuk i shëronte më mirë dhe më shpejt sesa kthimi në shtëpi.
Sot fjala nostalgji është e rehatuar gjuhësisht dhe e pranuar në gati të gjitha gjuhët e botës. Për çudi, edhe gjermanët sot e perdorin në versionin « grek » edhe pse fjalen e tyre kuptimplote « Heimweh » e kanë në përdorim. Fjala gjermane përsëri mbetet semantikisht më adekuate për ta përshkruar mallin për shtëpinë, për vendin, sepse e ka bazë fjalën Heim – shtëpi. Por, edhe kuptimi i nostalgjisë, në versionin e shekullit XVII është i plotë. Megjithatë, në përdorimin e sotëm, ne e nostalgjinë e shohim vetëm si sinonim të mallit, mungesës apo si kujtim për diçka që ka ndodhë dhe ka kaluar. Në realitet, nostalgjia nuk është diçka që ka ndodhë por diçka që është duke ndodhë. Nëse ka dhembje, mall dhe synim kthimi atëherë ka nostalgji.
Si shqiptarë, ne e njohim këtë ‘sëmundje’ më shumë se mercenarët zvicerianë. Ne që kemi gati dy mijë vjet që jemi, në një formë ose në një tjetër, larg vendit, larg shtëpive tona. Ne nuk kemi pasë këngë pastorale si zciverianët për t’na kujtuar rrugën e kthimit por një melodi merzie e loti ka shekuj që na trazon zemrat për një vend, për një shtëpi që kurrë s’u bë e jona. Kur Rousseau flet për lotët e ushtarëve helvetikë, mua më kujtohen lotët tanë, lotët e baballarëve tanë, lotët e nënave tona në pritje e përcjellje të pandalura, në përqafime të ngutshme rrugëve e aeroporteve të botës. Mendoj për gjithë ata prindër që i takuan fëmijët e tyre në pleqëri sepse udhëtimi i tyre kishte zgjatë më shumë se ai i Uliksit në poemen e Homerit. Nostalgjia jonë s’ka qenë veç dhembja për kthimin në shtëpi por edhe dhembja e atyre që në shtëpi e prisnin kthimin.
Derisa ushtarët zvicerianë janë shëruar prej kohësh, ne vazhdojmë të vuajmë nga nostalgjia, kjo sëmundje e mallit për vendin dhe për shtëpinë.
A do shërohemi ndonjëherë ?
Nezir Kraki, Paris, 11 prill 2020.
°°°
P.s. **Barbara Cassin, La nostalgie, quand donc est-on chez soi, Editions autrement, Paris, 2013. Ky shkrim, ka për burim kryesisht librin e Barbara Cassin, filozofe dhe filologe franceze, specialiste e Greqisë antike dhe antare e Akademisë franceze.
ObserverKult