Nga Fiqirete Shehu te Vaçe Zela, moda dhe veshjet e VIP-ave para viteve ’90-të

Nga imazhet e fundviteve ’90, kur diktatura ishte në grahmat e saj, të krijohet ideja se shqiptarët janë veshur keq. Të gjithë njëlloj, me modele të vjetruara…, efekt i modelimit të “njeriut të ri socialist”.

Por nuk ka qenë kështu. Kjo, ishte vetëm dukja. Me aq sa mundeshin, edhe kur nuk mundeshin, shqiptarët janë përpjekur të duken bukur. Të ndiqje modën ka qenë dëshirë, pasion i madh për brezin e viteve ’60-’70, edhe pse pak televizorë, informacion, revista apo publicitet mode kishte në qarkullim. Ndonëse preferencat ishin dhe mbeteshin perëndimore, në kushtet e izolimit, kontaktet me këto vende fqinje ishin minimale, ndërkohë që lidhjet dhe ndikimet vinin nga shtetet lindore, kryesisht Bashkimi Sovjetik e më vonë Kina, kur shqiptarët imitonin masivisht kinezët.

Teuta Tërshana me mikeshën e saj Flora Kati (Kllajxhi)

Huazimi nga “vëllezërit” kinezë

Uniformiteti në veshje u huazua nga “vëllezërit” kinezë, njerëz të veshur të gjithë njëlloj, madje edhe me kasketa në kokë. Por nga e kaluara, bashkë me shijet ishin të mbartura edhe tradita në qepje, me profesionistë e rrobaqepës të kohës së Italisë. Madje, për shumë vite qepja e një fustani apo një kostumi është realizuar nga rrobaqepësit privatë, që kishin një klientelë speciale me persona të zgjedhur publikë, besnikë, por dhe të politikës, nga gratë e njohura, bashkëshorte të udhëheqësve të shtetit, por edhe artiste elitare për kohën. Teuta Tërshana ka qenë një instruktore-modeliste e njohur në Tiranën e atyre viteve.

Tiranë, dyqan mode në kohën e Italisë, 1940

Një rrobaqepëse e talentuar, që me aftësinë e duarve të saj dhe fantazinë, zbukuronte çdo moshë. Ishte shumë e re, as 20 vjeçe, kur tek ajo shkonin të qepnin vajzat më të bukura dhe të suksesshme të kryeqytetit, nga Vaçe Zela, Helena Kadare, Vera Bekteshi, madje ishte privilegj të qepje tek ajo.

Një histori jo e zakontë e saj, fillimet, sfilatat, kontrollet e “Lagjes”, rreziku të qepje një minifund dhe moda që reklamohej te revistat shqiptare të kohës. “Ishim pesë fëmijë: unë, Bardhyli, Shqipja, Afërdita dhe Ismaili. Me punën time nxirrja të ardhura e ndihmoja familjen”, tha kohë më parë për gazetën Teuta, gjatë dhënies së kësaj interviste ishte 84-vjeçare, dhe që jetonte pranë “Piazza Liberta”, në qendër të Firences, së bashku me familjen.

Si iu futët rrobaqepësisë, është traditë e familjes?

Kemi qenë një familje artistike në shpirt, të gjithë të lidhur me modën, qepjet. Shqipja qepte te Salloni i Modës për Burra, ndërsa Ismaili ose Mali ishte i njohur me profesionin zbukurues vitrinash. Për fat, të gjithë vëllezër e motra jetojmë.

Teuta, si e keni filluar?

Ka qenë një rrobaqepëse armene këtu në Tiranë e moshuar, ajo më mori në patronazh, duke evidentuar tek unë talentin e lindur dhe dëshirën e madhe për këtë profesion. Më pas, te Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi” kam qenë instruktore, nga ku dolën shumë rrobaqepëse që u bënë të njohura më vonë. Pastaj kam punuar si modeliste në NPV (Ndërmarrja e Prodhimit të Veshjeve), ku edhe dola në pension.

Sot, kulmi i një sezoni mode janë sfilatat, a kishte në kohën tuaj?

Ato ishin sfilata të vobekta, mediokre, pa kualitet e mbështetje monetare. Ato ishin të kufizuara, gjithçka e sajuar vetë apo me konfeksionet personale, ose të qepura apo ideuara nga unë dhe grupi im. Një herë në vit mund të jenë zhvilluar në mënyrë spontane, jo të organizuara.

A kishte në Tiranë një dyqan mode?

Dyqani në krye të Rrugës së Dibrës ishte i vetmi në Tiranë, ku pasi blije copën, detyrimisht qepjen duhet ta bëjë aty, për burra. Copat ishin të mira, të bukura, me kualitet. Misto Prifti ishte njëkohësisht përgjegjës i dyqanit, por edhe një profesionist i vërtetë në të qepur, të tjerët rrobaqepës ishin të punësuar, nga të cilët kujtoj edhe specialistët Ernet Cini, Margarita Xhumari.

Nuk kishte revista, reklama, si qarkullonin modelet më të fundit, si përhapeshin, ku i gjenit?

Në mungesë të materialit figurativ, si revista mode etj., fantazia e lindur ishte ajo që e ushqente kompozimin e qenies femër e mashkull. Revistat e huaja të modës ishin të ndaluara si “shfaqje e huaj” dhe dorazi futeshin nga Italia.

Dyqani i modës në Rrugën e Dibrës

Një ndër to ishte “Mani di fatta”. Në revistat e pakta shqiptare të kohës, në faqet e fundit publikoheshin apo jepej informacion mbi modën, fustanet, për sezonet dimër, verë apo veshjet në plazh, deri edhe veshjet në fshat. Këto modeloheshin nga specialistë të Byrove Teknike dhe realizoheshin në seri në NPV-të.

Pavarësisht fantazisë, ishit të detyruar të ruanit kornizat, kishit frikë se mos rrëshqisnit në “shfaqje të huaja?”

Sigurisht! Minifundi ishte rrezik për të gjithë, pasi tërhiqte vëmendjen. Isha e kujdesshme që fustani apo fundi të mos kalonte pak mbi gjurin, ose të ishin të shkurtër, apo dekolteja të ishte e hapur. Ajo konsiderohej një punë klandestine dhe unë punoja në një dhomë. Shpesh në shtëpi vinin kontrolle nga “Lagjja”, pasi më ndiqte “njolla në biografi”, në momente të veçanta, sipas situatave politike, por fatkeqësisht për ta, nuk gjenin gjë. Edhe për një fakt, pasi tek unë qepnin gratë e atyre që drejtonin shtetin.

Çfarë makine qepjeje kishit?

Një “Singer” të trashëguar të familjes, ku mungonin proceset që janë sot dhe puna e dorës, në brendësi të konfeksionit, ku ky proces realizohej si një qëndisje e vërtetë. Copat vinin me klering tregu dhe te hekurat mbrapa Mapo-ve kishte radhë të madhe. Të siguroje 2 metra copë, flije e gëzuar deri sa ta qepje.

Cilët ishin klientët tuaj?

Kam pasur shumë. Ato ishin mikesha, pastaj kliente që më nderonin dorën, duke më dhuruar një sadisfaksion për punën time. Vajza e femra të bukura, që i jepnin e i transmetonin emocion kryeqytetasve për sa i përket pamjes dhe çdo gjë që vishej prej tyre kërkohej të imitohej nga kushdo.

Mund të na tregoni disa prej tyre?

Nuk di nga ta filloj. Ka qenë gruaja e ambasadorit rus, shumë e spikatur. Pastaj gratë e udhëheqësve, nga F. Kati, P. dhe K.Kati, F. Shehu, L. Hazbiu etj.. Apo V. Bekteshi, A. Alibali, që ka luajtur Mamicën te Skënderbeu, E. Kadare, V. Ibrahimi, G. Vendesha balerina e njohur, Flora Kalljaxhi (Kati), T. Muzhani, V. Zela, L. Papa, A. Take, M. Xhepa, A. Rasku me nënë polake, E. Qeteshniku, E. Qazimi, A. Kati etj., jo vetëm të njohura për nga bukuria, por femra që natyra i kishte dhuruar sharmin feminil, sikur ato ishin bërë nga dora e njeriut.

Gra rrobaqepëse, pasi kanë përfunduar kursin e rrobaqepsisë

Realizonit veshje plazhi?

Jo, pasi ato të biankerisë, si veshje plazhi etj., kryheshin nga disa profesionistë të specializuar, si në privatë apo kur prodhoheshin në seri në NPV. Por, kishte edhe nga ata që kishin mundësinë apo favorin të sillnin veshje nga jashtë shtetit.

Kur ishte fluksi më i madh i qepjeve?

Me afrimin e jubileve, kryesisht për netët festive, si ajo e Vitit të Ri. Më vinin gratë, klientet e përhershme, ndër to Flora Kati (Kallajxhi) dhe bashkëkompozonim modele të përshtatshme vetëm për atë natë apo sipas rastit, pasi gratë apo familjet e njohura frekuentonin lokalet kryesore të Tiranës, si Hotel “Dajti” apo Vollgën.

Teuta, sa kushtonte qepja e një fustani apo e një veshjeje tjetër?

Kostumi kushtonte lirë, rreth 1,500 lekë më kujtohet, ndërsa fustani 100 lekë. Angazhimi estetik, fantazia nuk paguhej..

Si i kujtoni vitet ’80, kur të gjithë visheshin uniformë?

Sigurisht që, ato janë vite apo ka qenë një periudhë ku çdo pasion e dëshirë në veshje u godit, u venit. Të gjithë u strukën, u tërhoqën, pak frekuentonin dhe të qepje privatisht, fshehurazi, edhe për mua ishte e rrezikshme. Pra, ajo ka qenë ndarja në një farë mënyre me punën, qepjen private. Ndërkohë unë punoja në NPV, ku qepjet servireshin nga zyra e modeleve të kësaj ndërmarrjeje. Të gjitha uniformë për popullsinë.

E ruani miqësinë me ish-klientet tuaja?

Sigurisht, madje sa herë që vij në Tiranë, me to takohem. Kujtojmë gjithçka, madje shumë prej tyre i ruajnë ende fustanet e qepura tek unë. “I kam në varëse dhe i mbaj me kujdes,- më tha një mikeshë,- pasi edhe sot më duket sikur kam trupin aty brenda”.

Jetoni në Italinë e modës, e dinë që keni qenë modeliste?

Po, dhe një herë, për respekt ndaj gruas së një mjeku, i qepa një kostum dhe pas kësaj mjeku i befasuar, i entuziazmuar më solli një buqetë me lule dhe më tha: “Ti je piktore e vërtetë e trupit të një gruaje”.

Gra rrobaqepëse që kanë përfunduar kursin e Teuta Tërshanës

Moda në qytet, fshat e plazh nga revista “Ylli”

Në revistat “Ylli”, apo “Shqiptarja Sot”, që kushtonin 20 lekë, si ndër më të rëndësishmet revista-popullore, ku krahas ngjarjeve politiko-sociale-kulturore, në faqet fundit ka pasur edhe pak modë, me skica, vizatime, deri në detaje, ku jepej mënyra e realizimit të një fustani, nga prerja, qepja dhe ngjyrat e preferuar.

Modelet që reklamoheshin nga revistat “Ylli” e “Shqiptarja e Re”

Modelet ishin projekte të Byrosë Teknike të NPV nga piktorë e modelistë të saj, që ideonin duke i shoqëruar edhe me kodin përkatës. Madje, deri edhe rroba pune e veshje për fshatin reklamoheshin, por në këtë rast të modeluara nga specialistë të Byrosë Teknike të Bashkimit Qendror të Kooperativistëve. Pastaj veshja në plazh, nga fustanet te rrobat e banjës dhe këshillat në qepjen e tyre.

Ja, disa modele:

Fustan i thjeshtë: Qepet me katër copa gjysmëveref. Rripat dhe pjesa e përparme bëhen me katër copa një ngjyrshe, ndërsa pjesët e tjera me copë me pika, vija apo lule të vogla

Rroba banjë dyngjyrëshe: Pjesa lisho të ketë ngjyrën e vijave të pjesës tjetër të rrobave të banjës.

Fustan me kopsa deri në fund: Filetot mund të vihen në ngjyrë tjetër, që kombinon mirë copën e fustanit. P.sh bojë qielli me blu, rozë ose të bardhë me pika të kuqe, etj.

Fustan me tiranda: Në qoftë se fustani qepet me copë lisho, pjesët e tjera bëhen me pikë, katrore, ose me vija të përshtatura me ngjyrën e tij.

Fund i thjeshtë: Qepet me poliestër, ose basme lisho ose me lule

Fund veref: Qepet me copa të hedhura njëra mbi tjetrën, kopsa me dok, poliestër ose basmë./Uvil Zajmi-Panorama.com.al (*Intervista është realizuar kohë më parë)

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

FRANG BARDHI, AI QË E MBROJTI SKËNDËRBEUN NGA SLLAVËT

ObserverKult