Nga “Gjaku i Arbrit” te “Flaka e maleve”, kontributi Bruno Shllaku në kinematografinë shqiptare

Aktori i shquar i teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Bruno Shllaku festoi dje 65-vjetorin e lindjes.

Bruno Shllaku lindi në Shkodër, më 3 shkurt 1956. Jetën artistike e ka filluar që në moshën 11-vjeçare duke u aktivizuar në dramën “Udha e Zavalinajve” dhe një vit më vonë në dramën “Qelia Nr. 7” me teatrin “Skampa” të Elbasanit.

Bruno Shllaku jetonte në atë kohë në Elbasan, pasi babai i tij Lec Shllaku, ishte themeluesi dhe regjisori kryesor i teatrit “Skampa”. Bruno Shllaku u bë pjesëtar i trupës së teatrit “Migjeni” në vitin 1982. Gjatë kësaj periudhe 39-vjeçare në teatrin “Migjeni” aktori Bruno Shllaku ka interpretuar në 36 premiera. Nga fundi i viteve ’80, Bruno Shllakun e shohim edhe në rolin e regjisorit, ku me trupën e teatrit “Migjeni” ka venë në skenë 7 premiera. Gjatë karrierës së tij artistike, ai është dalluar dhe në realizimin e roleve në kinematografi duke realizuar rreth 20 role. Bruno Shllaku është vlerësuar me çmime të ndryshme në festivalet teatrore.

Si shumë artistë të tjerë, ai do të largohej nga Shqipëria në fillim të viteve ’90 për në Greqi ku edhe atje do të hapte një teatër për fëmijë në gjuhën greke. Ai rikthehet sërish në Shqipëri në vitin 2005, ku sërish do të emërohej aktor dhe regjisor në teatrin “Migjeni”. Ai do të rifillonte edhe një herë tjetër një karrierë të suksesshme si regjisor me shfaqjen “Mirandolina” e Goldonit, me të cilën pati një sukses të jashtëzakonshëm.

Me këtë shfaqje, Bruno Shllaku mori pjesë edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2005” që u zhvillua në qytetin e Fierit ku u vlerësua si një nga performancat më të mira të këtij festivali.

Artisti Shllaku ka interpretuar edhe shumë role të rëndësishme edhe në kinematografinë shqiptare. Disa nga rolet e tij më të suksesshme janë, “Gjaku i Arbrit”, shfaqja teatrale vënë skenë në vitin 1982, “Çështja e Blertës” në 1985, “Golgota e shqipes” në 2005, “Nënë Tereza” në 2008, “Një natë pa dritë” në 1981, “Flaka e maleve” në 1982, “Dasma e shtyrë” në 1984, “Balada e Kurbinit” në 1989, “Busulla” 2008, “Gjallë” 2009, “Burrneshat” në 2014 etj.

Aktori Bruno Shllaku ka dhënë një kontribut të madh në artin shqiptar si aktor, regjisor, shkrimtar dhe skenograf, gjë për të cilat është vlerësuar shumë herë në festivale dhe evente të ndryshme artistike./ATSH