Kisha e Shën Sotirës ndodhet në jug-lindje të fshatit Vuno, në krahë të rrugës automobilistike që të çon drejt gjirit të Jalit.
Kisha mbart vlera të rëndësishme historike, pasii në datë 19-29 maj 1907, Mihal Grameno me anëtarë të tjerë të çetës së Çerçiz Topullit, përhapnin gjuhën shqipe nëpërmjet teksteve mësimore, duke përdorur si vendëstrehim kishën e Shën Sotirës. Për këtë arsye kisha ruhet si një monument me vlera të rëndësishme historike.
Ajo është një kishë e thjeshtë me përmasa 4.4×9.5 m, me naosin që ndahet nga altari me një ikonostas të thjeshtë muri, i pajisur me dy hyrje. Brenda në absidë dhe në kamaren pranë saj ruhen gjurmët e vetme të afreskut që dikur zbukuronte muret e brendshme të kishës./ObserverKult