Nga Albana Murra
Të kthehesh në atdhe, është sigurisht një nga përjetimet më të bukura, eksperienca nis që me udhëtimin drejt tij. Në këtë rast për mua ishte dhe një gëzim tjetër sepse do të shkoja për herë të parë në Angli, para se të mbërrija në destinacionin final. Dikur ishte tokë e ndaluar për mua ndaj dhe entuziazmi ishte edhe më i madh. Fluturimi ishte tejet i këndshëm, isha kujdesur që të ulesha pranë dritares, të kundroja nga dritarja e një avioni për mua është një “must”. Anglia ishte e gjitha e veshur me një petk të gjelbërt, petk që ngjallte shpresë dhe jepte jetë.
Përjetimi më mbresëlënës ishte vizita në bibliotekën “Bodleian”. Ajri brenda ishte magjik, vetëm fakti që isha e rrethuar me libra mijëra vjeçarë, që nuk mund t’i prekje, mund vetëm t’i shikoje të emociononte. Librat që ndodheshin aty mund t’i lexonin vetëm studentët e universitetit të Oxford-it. Mund të shkoje të lexoje brenda bibliotekës vetëm nëse ishe kërkues shkencor dhe përmbushje një sërë kërkesash burokratike e të pafundme. Guida na shpjegoi shumë në lidhje me themeluesin, i cili kishte punuar fort që emri i tij të mos harrohet. Në tavanin e bibliotekës përpos simbolit të bibliotekës ishin dhe inicialet e tij të thurura kudo. Thomasit nuk i pëlqente asnjë vepër e Shekspirit, ndaj ai asokohe nuk kishte asnjë vepër të Shekspirit në bibliotekë. Ai nuk përtonte dhe shkonte në vende të ndryshme të Europës që ta pasuronte bibliotekën me veprat që ai i përcaktonte të mirëqena për të qenë pjesë e bibliotekës së tij. Nga dritaret e bibliotekës dukej biblioteka tjetër, ato lidheshin përmes një tuneli që kishte shërbyer e shërbente ende për studentët. Një grua, emrin e të cilës nuk e mbaj mend kishte shpikur një mekanizëm që i shpiente komunikimet nga njëra bibliotekë në tjetrën. Vizita në bibliotekë më solli dëshirën e madhe për të qenë dhe njëherë studente, por studente universitetit të Oxfordit kësaj here. “Harry Poter” e shumë seriale e filma të tjerë kishin xhiruar e do të xhirojnë skenat e tyre në “Boldleain”, duhet t’ia ndjesh aromën që ta kuptosh më mirë përshkrimin që i kam bërë.
Vizita ime vijoi për në tokën amë, Shqipërinë. Është e çuditshme se si gjithmonë kemi një nxitim për të arritur kudo edhe pse është krejt e panevojshme. Njerëzit nuk dinë në përgjithësi të mbajnë radhën, iu duket sikur po humbasin kohë. Kohë për të shkuar ku? Kohë për të bërë çfarë? Nëse të pret një takim pune, është plotësisht e kuptueshme nëse vonohesh sepse po vjen nga një fluturim, e njëjta gjë dhe nëse ke lënë një orar për ndonjë vizitë mjekësore ose diçka e ngjashme. Gjithsesi besoj se të gjithë duhet të bëjmë diçka që eksperienca të tilla mos përsëriten më sepse janë tejet të pakëndshme, ata turistë që kanë ardhur për herë të parë vetëm nga kjo eksperiencë, do ta mendojnë disa herë para se rikthehen apo t’ia rekomandojnë dikujt Shqipërinë pas këtyre ngjarjeve që kanë parë e jetuar në vetën e parë në aeroport.
Duhet të fillojmë të zbatojmë rregullat, të mbajmë radhën sepse për një arsye ekzistojnë, është përgjegjësia e të gjithëve ne së bashku t’a përmirësojmë imazhin që kombet e tjera kanë për ne, le të fillojmë duke mos hedhur plehra në rrugë se kjo është padyshim alfa. Kjo është alfa që dhe pasardhësit tanë të frymëzohen për të ndërtuar biblioteka të ngjashme me “Boldleian” e kështu me radhë.
Jemi pikërisht ne që e duam Shqipërinë që do të rikthehemi gjithmonë tek ajo, jemi ne që i nxjerrim në pah sepse kemi pika reference, le të shërbejnë këto pika reference si pika frymëzimi gjithashtu që dhe Shqipëria të jetë jo vetëm vendi me bregdetin, gastronominë, kulturën dhe historinë e pasur por dhe vendi ku njerëzit janë plot edukatë dhe e respektojnë lirinë e tjetrit në nivele për t’u admiruar.
ObserverKult