Nga shtatori, në Çikago katedra e parë e albanologjisë në historinë e universiteteve amerikane

Në shtator, në Universitetin DePaul në Çikago, me fillimin e vitit të ri akademik, pritet të fillojë punën edhe një katedër e re, ajo e studimeve albanologjike, e para e këtij lloji në universitetet amerikane. Kjo shënon një moment të rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare, thotë drejtori i katedrës, Dr. Gazmend Kapllani.

Programi i studimeve albanologjike pritet të jetë gati në shtator, me çeljen e viti i ri akademik, thekson Kapllani.

“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda këtij viti çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet. Do jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim diploma studentëve tanë. Dhe do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe dhe nga na tjetër ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”, tha ai.

Fushat e studimit, z. Kapllani thotë se do të jenë gjithëpërfshirëse, prandaj pret interesim të madh edhe nga studentë të huaj.

“Do kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore sepse Albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra neve do të mundohemi të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore që mos t’i flasë vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesorë i yni, por t’i flasë çdo studenti nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, tha zoti Kapllani për ‘Zërin e Amerikës’.

Themelimi i katedrës u bë i mundur nga një donacion i një filantropi shqiptaro-amerikan.

“Emri i tij është Hidai Eddie Bregu dhe unë kam nderin që të jem drejtori i parë i katedrës dhe do bëj ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë dhe emrin dhe vizionin e tij. Ai ishte njeri me një vizion të jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra për mua është model i patriotit bashkëkohor”, tha zoti Kapllani.

Z.Kapllani fton komunitetin shqiptaro-amerikan të marrë shembull nga vepra e filantropit Hidai Eddie Bregu në mënyrë që projekte si kjo e katedrës të mos ndalen vetëm në Çikago.

“Një katedër nuk mund të ndryshojë historinë brenda një viti ose brenda dy vitesh, por ajo që mund të bëj është që të bëhet një bërthamë dhe një shembull. E para në përhapjen e ideve, e dyta duke i dhënë aq sa mundet, duke nxjerr në pah vet shqiptaro-amerikanët në radhë të parë dhe Albanologjinë e cila ka qenë pothuajse joegzistente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e treta ajo që ne shpresojmë është që do mundemi që të inspirojmë edhe njerëz të tjerë që të hapin programe të tjera në universitete të tjera amerikane. Imagjinoni sikur te kishim dy programe te tjera. Ndoshta eshte e veshtire per ata qe nuk jane ne boten akademike ta kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo për statusin e vetë shqiptarëve por edhe për zhviullimin e studimeve albanologjike që do të thotë të studimeve që kanë të bëjnë me kulturën, gjuhën dhe historinë tonë”, tha z.Kapllani.

I themeluar në vitin 1898, universiteti DePaul në Çikago është universiteti më i madh katolik në Shtetet e Bashkuara/VOA.