Nga Vaçe Zela te Ronela Hajati: Krahasoni këngët e festivalit, ku ishin e ku janë (VIDEO)

Festivali i Këngës në RTSH është festivali më i madh për artistët shqiptarë, ëndërr për secilin prej tyre si dhe njëra nga ngjarjet kulmore artistike shqiptare.

Gjithçka nisi në vitin e largët 1962, duke shënuar fillimin e një udhe për këngën shqipe që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Nismëtarët e këtij festivali ishin përgjegjësi i redaksisë së muzikës në Radio, Abdulla Grimci, dhe redaktori i po kësaj redaksie, Vath Cangu, në të njëjtën kohë autorë këngësh.

Festivali u zhvillua në skenën e Operas, që në atë kohë ndodhej në ndërtesën e Konservatorit të Tiranës. Festivalet e para quheshin vetëm “Festivali i Këngës në Radio” sepse akoma nuk kishte transmetim ne televizion.

Në festivalet e para nuk thuheshin autorët e këngëve

Në festivalet e para, gjatë netëve të festivalit, nuk thuheshin autorët e këngëve. Vetëm në fund kur jepeshin çmimet thuheshin autorët e këngëve fituese. Ideja ishte për të mos influencuar jurinë. Mbas festivalit, kur transmetoheshin në radio, thuhej vetëm kompozitori. Prandaj, disa herë mungon autori i tekstit (që mund të plotësohet nga të tjerë).

Në dallim nga Sanremo ku, në mënyrë normale jepeshin një çmim i parë, një i dytë e një i tretë, në festivalet tona, s’dihet përse, u dhanë një çmim i parë, dy të dyta e tre të treta, me përjashtime të rralla (përveç festivalit të 11-ë).

Ja pse u eleminuan këngët e Vaçe Zelës

Kjo gjë vazhdoi deri në Festivalin e 29-ë. U eliminuan dy këngët më të bukura të Vaçe Zelës (“Erë pranverore” dhe “Lemza”) duke u konsideruar tepër moderne për atë kohë, dhe nuk u transmetuan më. Kështu, juria nuk e pa të arsyeshme të japë asnjë çmim të parë.

Prandaj, Vaçe Zela mori me meritë çmimin e parë si këngëtare, por jo kënga e saj “Femija i parë”, e vetmja e saj që hyri në finale e që ka marrë çmim të tretë dhe nuk qëndrojnë thëniet e disave se, mbas disa vitesh RTSh i ka dhënë çmimin e parë kësaj kënge. Nuk ka ndodhur kurrë dhe askund që, mbas disa vitesh, të jepet çmimi i parë për një festival. Këtë e vërtetojnë edhe intervistat e dhëna nga kompozitori Mark Kaftalli, pjesëmarrës dhe fitues i çmimit të dytë në festivalin e parë, intervista te cilat gjenden ne you tube.

Festivali i 11-të, shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata

Ky udhëtim nuk ishte edhe i lehtë për artistët shqiptarë. Gjithka duhej të ishte në “linjë” me politikën e kohës. Kështu në Festivalin e 11-të që u mbajt në vitin 1972,  shkaku i akuzave se po përhapte kulturën borgjeze (dicka e shpallur në kundërshtim me parimet shtetërore) perëndimore, shumë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit u dënuan me burgime të gjata. Regjisor i festivalit ishte Mihal Luarasi.

Ndër vite kanë ndryshuar edhe tematikat e këngëve, madje në vitet e ’90 ta me rënien e diktaturës, teksa ndryshimi më i madh u bë në vitin 2003, ku që nga ky vit fituesi i Festivalit të Këngës e ka përfaqësuar Shqipërinë në festivalin e madh Evropian “Eurosong”. Fituese e këtij edicioni ishte kënga “Dua të bëhem imazhi yt”, kënduar nga Anjeza Shahini.

Vaçe Zela mban rekordin, fitoi 11 herë këtë Festival

Por është një emër i përveçëm, i këngës së lehtë dhe asaj moderne – një shpirt që u deh në lirinë e skenës dhe i fali Shqipërisë, motivet e rrënjosura në kujtesë. Është Vaçe Zela!

Ndërsa Festivali i Këngës, shënoi këtë vit, edicionin e 60-të, Vaçe Zela ka rrëmbyer trofeun e festivalit, plot 11 herë. Ky është rekordi që Vaçe Zela, e mban në këtë festival të njohur.

Festivali i sivjetmë “skandaloz”

Festivali i sivjetmë ishte jubilar, i 60-ti me radhë. 

Drejtimi artistik i këtij festivali i ishte besuar kantautorit Elton Deda, ndërsa regjia u bë nga Redi Treni dhe skenografia nga Albi Çifligu.

Në rolin e Drejtorit të Festivalit, në këtë edicion jubilar ishte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm në RTSH, Martin Leka.

Ronela Hajati u shpall fituese e edicionit të 60-të këngës në RTSH. Me këngën “Sekret”, Ronela do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision që do mbahet në Torino të Italisë në 2022.

Menjeherë pas saj u rendit Alban Ramosaj me këngën “Theje”.

Diskutime të mëdha ka ngritur kjo fitore e Ronelës teksa disa mendojnë se teksti nuk përcjell asnjë lloj mesazhi dhe se kënga nuk duhet të merrte çmimin e parë. 

Një prej tyre është këngëtari Stefi Prifti, i cili ka shprehur hapur irritimin e tij më anë të një statusi në rrjetin tij social Facebook, ku shkruan se kjo fitore i duket degraduese dhe fton ndjekësit të lexojnë tekstin e këngës dhe të japin mendimin e tyre. 

Tallava në RTSH: “Hajde, shkojmë në Eurosong”

Festivali në RTSH shënoi regres në edicionin e 60-të. Kështu shprehet kompozitori Miron Kotani, i cili dhe më parë, ka pasur kritika rreth zhvillimit të tij. Sipas Kotanit, festivali nuk solli gjë të re.

“Ky festival nga ana e krijimtarisë shënoi vetëm numrin e radhës në koefiçentin e festivalit, por nuk solli asgjë të re në krijimtari. Madje, për mendimin tim, ka bërë regres krahasuar me festivalet, sidomos ashtu si e prisnim ne edicionin e 60-të, që të ishin markat më të njohura të krijimtarisë dhe interpretimit”, – thotë kompozitori.

Sipas tij, shumë këngë pjesëmarrëse që ishin në edicionin e 60-të, nuk duhet të ishin në festival.

“Festivali si tallava, një mish mash stilesh që janë jashtë traditës sonë muzikore të festivalit. Ka shumë këngë, që nuk duhet të ishin në festival” – vëren ai.

Për kompozitorin Miron Kotani, Festivali i Këngës në RTSH ishte shtëpia e fundit, ku ruhej tradita. Por sipas tij, prej vitesh stile për të qenë në modë e kanë deformuar këngën tonë profesionale.

“Për shembull, këngë si “Me tana”, apo këngë të tipit alla BBF, një gjellë stilesh gjoja për të qenë në “modë” kanë deformuar prej vitesh këngën tonë profesionale. Tani edhe ky festival nuk i shpëtoi kësaj inercie, që siç thashë, me tendencën drejt “Eurosongut”, ka deformuar festivalin e traditës.

Për shembull, këngët e Alban Ramosajt, apo Ronela Hajati, etj., si stil nuk mund të qëndrojnë në festival”, thotë Kotani. Festivali i këngës u zhvillua në tre net në Pallatin e Kongreseve, por për kompozitorin Miron Kotani problem ishte dhe skenari.

“Varfëri e madhe në skenar”, – thekson ai.

Me kritika kompozitori Miron Kotani thotë se ajo panoramë për të kaluar lumin nuk justifikon 60-vjetorin.

“U kënduan shumë këngë, që nuk ishin këngë festivalesh e munguan autorët më të spikatur në vite. Për të ardhur keq mospërfshirja e anashkalimi i shumë artistëve të mëdhenj të këngës sonë. Një panoramë sa për të kaluar lumin me shoqërim thjesht në pianofort nuk justifikon 60- vjetorin gala” – vlerëson Kotani.

Aurela Gaçe: Njëherë i quani tradhtarë dhe më pas i ngrini në piedestal

Por kishte edhe të tillë që i dolën në krahë Ronela Hajatit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Aurela shkruan se çdo vit në lidhje me fituesit ka diçka që thuhet mbrapa. Ajo risolli në vëmendje fitoren e këngëtares Rona Nishliu e cila në fillim u “kryqëzua”.

Dhe më pas kur arriti që të renditej në vendin të pestë e lavdëruan dhe krejt papritur u bënë “krenarë”. Ajo shkruan se në Shqipëri e njëjta gjë ndodh edhe me futbollistët të cilët njëherë i shajnë dhe më pas i ngrenë në piedestal.

“Festivalet…konkurrimet…gjithmonë sjellin edhe gjykimet. Lind gjithmonë pyetja, e meriton apo jo? Nuk ka rëndësi se kush fiton, është gjithmonë fituesi i rradhës…. Gjithmonë ka një pse, pse ky ose ajo?, shkruan Aurela.

Në vazhdim mund t’i lexoni tekstet e këtyre dy këngëve:

“Sekret”- Ronela Hajati

Teksti: Ronela Hajati
Kompozimi: Ronela Hajati
Orkestrimi: Marko Polo

Hej, a i kujton ato netë?
Mbetën vetëm sekret
Hej, a i kujton ato netë?
Mbetën vetëm sekret
Hej, a i kujton ato netë?
Mbetën vetëm sekret

Ej, ej, ej, ej, ej, ej, ej

Po vjen djali nga malet
Dhe tek unë sot do falet
Nuk e di a do ndalet
Hajde t’i, hajde t’i falim mëkatet
Për këtë vajzën do vije
Dhe krejt botën ta lije
Unë jam diell nuk jam hije
Ti i je i imi, djalë prej Shqipërie

Hej, a i kujton ato netë?
Mbetën vetëm sekret
Baby shija jote, shijes sime
Peng i ka mbet
Hej, a i kujton ato netë?
Nuk janë më një sekret
Por unë nuk e di, nuk e di
Si kam me u ndi

Nuk e di, si për tjetrën m’ke lon
Edhe sot un po du me ta thon
Edhe një, edhe ty
Unë, ty, tre, ta marrsha
(Ta marrsha, ta marrsha)
(Ta marrsha, ta marrsha)
(Ta marrsha, ta marrsha)
(Ta marrsha, ta marrsha)

Ma ke bo jetën si lojna, avion
Ma ka lon, ma ka lon
Nuk di nji tjetër, se pishmon
Ma ka lon, ma ka lon

Hej, a i kujton ato netë?
Mbetën vetëm sekret
Baby shija jote, shijes sime
Peng i ka mbet
Hej, a i kujton ato netë?
Nuk janë më një sekret
Por unë nuk e di, nuk e di
Si kam me u ndi

Nuk e di, si për tjetrën m’ke lon
Edhe sot un po du me ta thon
Edhe një, edhe ty
Unë, ty, tre, ta marrsha
(Ta marrsha, ta marrsha)
(Ta marrsha, ta marrsha)

Ma kadalë, ma kadalë, ej
Ma kadalë, ma kadalë, ej

Theje”- Alban Ramosaj

Teksti: Alban Ramosaj
Kompozimi: Alban Ramosaj & Marko Polo
Orkestrimi: Marko Polo

Leje
Pse se sheh se ça kam bo unë mas teje?
Me çfarë ftyre guxon me dalë para meje?
Se di edhe se sa zemra duron therjet
Po hajde theje

Theje, theje
Luj e luj me mu, ah s’ke faj se un’ të du
Theje, theje
Luj e luj me mu, s’kam ça bëj se unë të du

E mbaj një sy mbyll, jo jo, ti s’ke gabu
Lej naj llaf pa thënë, se s’du me të largu
Lotët e mi jo s’nalojn t’u piku
Najher thum të dua se të du du
Najher thum të dua se të du du
Najher thum të dua se të du du

Theje, o ti theje
Ti luj e luj me mu, hajde luj, se un të du
Theje, o ti theje
Luj e luj me mu, hajde luj, se un të du

Leje
Me çfarë ftyre guxon me dal, para meje
Ma kthe kohën që ta dhash un ti ktheje
E di çke? U djegsh në ferr se e pa fe je
E pa fe je

Theje, o ti theje
Ti luj e luj me mu, hajde luj, se un të du
Theje, o ti theje
Luj e luj me mu, hajde luj, se un të du

(Theje, o ti theje)
(Ti luj e luj me mu, hajde luj, se un të du)
(Theje, o ti theje) Oh, ti ktheje, ti ktheje
(Luj e luj me mu, hajde luj, se un të du)
Kthema kohën që m’more.

Këngët fituese që i mbijetuan kohës nga Festivalet e kaluara

Teksa po flitet për edicionin e sivjetmë, nuk mund të mos i ikim krahasimit me këngët fituese të vieteve, dekadave të kaluara, të cilat dëgjohen me ëndje ende sot e asaj dite.

Në vazhdim ju sjellim disa prej tyre:

Fëmija i parë“- Vaçe Zela

Muzika : Abdulla Grimci
Teksti: Dionis Bubani
Këndon: Vaçe Zela:

Teksti: Fëmija i parë

Si sot një vjet më parë jam martuar
Dhe të lumtur rrojmë ne,
Dikur isha çapkëne por jam shtruar,
Nisa në familje një jetë të re.

Kam qenë në rini shpesh e gëzuar,
Ëmbël qeshën sytë e mi,
Por sot me një gëzim të madh jam zgjuar,
Ndjeva ndoshta më të shtrenjtën lumtuni.

Dua të këndoj,
Gjithë botën ta lajmëroj,
O miqtë e mi,
Më lindi një fëmijë.

Unë e ëndërroj,
Mezi pres që ta shikoj,
Ta përkëdhel ta puth me dashuri.

Dua të vallëzoj,
Gjithë botën unë ta përqafoj,
Trashëgimtari im jeton.
Tralala, ma të lumtur s’ka,
Se mua “mami” do më thotë,
Me lulëzim edhe shkëlqim,
edhe natyra po më uron.

Fëmija është shpresa e shtëpisë,
T’ardhmen tonë përshëndet,
Dhe vjen me gaz ky fryt i dashunisë,
Ëndërra e çdo zemre që me mall e pret.

Prandaj dhe unë e dua aq shumë,
Porsi drita e syve të mi,
Kur ndoshta do më lerë edhe pa gjumë,
Vetë unë do ta mbaj,
në krahë me dhimbshuri.

Kënga e nënës”-Sherif Merdari

Teksti: Agim Shehu
Muzika: Agim Prodani


E lehtë është jeta kur di që kam nënë
N’çdo çast t’vështirë e ndjej pranë
Në breng e halle ajo më ka qënë
Rreze që dritë shpërndan


Nënë, emër i dashur për mua
Më je e shtrenjtë, të të dua
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi

Një nënë, vetëm një nënë ka në botë
Ëmbël tingëllon zëri i saj
O bir fëmijës ajo do t’i thotë
Qesh e ndriçon zemër e saj


Nënë, emër i dashur për mua
Më je e shtrenjtë, të të dua
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi


Kur zemra rreh në gëzime e dëshprime
Tek ti mendimi më shkon
Pran teje ndjehem më e dashur, më trime
Më e lumtur se botë e tërë

Nënë, emër i dashur për mua
Më je e shtrenjtë, të të dua
Sa jetë e tërë për ty unë thurr melodi

Vajzë moj, lule moj”, këndon Tonin Tërshana

Teksti: Adelina Balashi
Muzika: Luan Zhegu


Pikoi vesa e mëngjesit,
Hapi dielli syrin e zjarrtë
Nëpër fushë ç’ta ndieva hapin,
Shoqe moj!

Bëj të them një fjalë të ëmbël,
Po ti ikën bëhesh erë,
Rend e qesh por si një flutur
Nëpër fushën tonë të gjerë.


Do të vij si fllad i majit,
Do të gjej, moj lule fushë
Faqet ç’t’u bënë flakë të kuqe,
kur të thashë: do të marr nuse.

Në mes shoqesh ty të gjeta,
Gruri i artë dallgëzonte,
Nëpër fushë ç’ta ndjeva zën,
Shoqe moj!

“Jon“- Ardit Gjebrea

Muzika: Ardit Gjebrea
Teksti: Zhuliana Jorganxhi

Më erdhe në një kohë të dëshpëruar
Me dhimbje… Jon!
Kur anijet si fantazma
Nëpër det me aventura
Klithnin: Liberta !

Dhe sytë i kish aty gjithë Shqipëria,
Ajo dinte si duronte
Po i shkuleshin filizat
Deti u bë mal me njerëz,
E toka det me lot.

Dhe ty për herë të parë të puthte drita
Ti linde… Jon!
Nuk e dije ç’ish gëzimi
As dhimbja as mjerimi,
Qe flakë, godet e rrudhë një tokë.

Sot me gjithë foshnjet në botë je njësoj
Si ata ti qesh e luan,
Kjo është vetëm nisja juaj,
Por do rritesh do kuptosh,
Se fatet s’janë njësoj!

Bekimin merr nga mua
O shpirt i patrazuar
Një fjalë të thënë ma dëgjo:
Zinxhira të praruar ty kanë për të ofruar
Por prapë je skllavëri


Jon, ky emër marrë nga deti,
Jon, me këngë vale tund djepin,
Jon, dhe ti ja ndjeve aromën,
Ta kesh per jete me vete…

Jon, po të lundrosh me këtë emër,
Jon, e të takohesh me vëllezër,
Jon, do të mjaftojnë dy duar,
Të thuash se je, ti je je Jon!

 “Nuk e harroj”- Irma dhe Eranda Libohova

Teksti: Haxhi Rama
Kompozoi: Agim Krajka

Ndodh në jetë
që papritur një njeri të bëhet kaq i shtrenjtë
dhe portreti tij i çiltër
në çdo hap të ndjek ngado në ditë e net.

Jo, jo, jo unë kurrë s’e harroj
me shikimet që më falin dhe çdo fjalë të ngrohtë
sytë e qeshur të atij djali
që mes jush nga zemra vjen e më uron.

Shpesh e kërkoj
nëpër udhët e atdheut ku me këngë unë shkoj
nuk e di se ç’më rrëmbeu
dhe kërkoj që kënga ime të jetoj.Dhe prapë tani mes jush po e kërkoj
në mijëra njerëz sytë e tij unë t’i dalloj
të vijë ai një fjalë të më thotë,
kjo kënga jonë refren do të mbetet përgjithmonë.

 “E duam lumturinë”- Parashqevi Simaku

Teksti:  Agim Doçi 
Kompozoi: Pirro Çako

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet.

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë.

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë.

Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë.

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
askërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë.

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e gëzon…

Mos ja u prishni ëndërrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë.

“Kur e humba një dashuri”- Manjola Nallbani

Teksti Jorgo Papingji
Kompozoi: Vladimir Kotani

Dashurinë e parë dhurova
për të njohur një njeri
dhe mësova të mos gaboj
kur e humba këtë dashuri.

Me puthje gënjeshtare
ma mësove dashurinë
e pastër isha fare
e nuk e njihja pabesinë.

Por ja që nisi era
ranë fletët një nga një
jeta ëndrra s’ka ngahera
ka dhe lot e tradhëti.


Dashurinë e parë dhurova
për të njohur një njeri
dhe mësova të mos gaboj
kur e humba këtë dashuri.

Zemrën time e lëndova
e plagosa në rini
por pranvera sërish do vijë
dhe do sjellë tjetër dashuri.

O dashuri
sekreti i moshës që na rinon,
ti papritur vjen
dhe krejt papritur si era shkon.
Oh, eja, eja, dashuri,
eja, eja, përsëri,
merrma dhimbjen time
dhe më ndiz një zjarr të ri.


Dashurinë e parë dhurova
për të njohur një njeri
dhe mësova unë të mos gaboj
kur e humba këtë dashuri.

Zemrën time e lëndova
e plagosa në rini
por pranvera sërish do vijë
dhe do sjellë tjetër dashuri.

Dhe mësova unë të mos gaboj,
kur e humba këtë dashuri.

“Pyes lotin”- Elsa Lila

Teksti: Enrieta Sina
Kompozoi:  Valentin Veizi

Të flisja gjuhët e gjithë botës
e të mos ndjeja dashurinë,
do isha si një gur i heshtur
këmbanë harruar në vetmi.

Të gjithë pasurinë e ndaja,
të mos shihja varfëri,
të digjej trupin do ta falja,
e le të bëhej hi.

Se ëndrrat edhe shpresat,
pa dashurinë janë thjesht një iluzion,
ndaj dua o njeri, t’i fal pak dashuri,
pa të çfarë është kjo botë, a e kupton?

Se loti që pikon, një zemër lëndon,
i vogël na duket, i madh sa një glob.
O botë e di se ç’të mundon,
se ka njerëz sot dhe duan vetëm lot,
s’njohin dashurinë, s’njohin mirësinë.

Të flisja gjuhët e gjithë botës
e të mos ndjeja dashurinë,
do isha si një gur i heshtur
këmbanë harruar në vetmi.

Të gjithë pasurinë e ndaja,
të mos shihja varfëri,
të digjej trupin do ta falja
e le të bëhej hi.

Dashuria, ëndrra, shpresa
kë të zgjidhja nga të tria
dhe një natë lotin pyeta
mu përgjigj… Dashuria.

Fituesit e gjertanishëm të Festivalit të Këngës në RTSH:

Festivali 1 – Vaçe Zela
Festivali 2 – Vaçe Zela
Festivali 3 – Vaçe Zela
Festivali 4 – Tonin Tërshana
Festivali 5 – Vaçe Zela
Festivali6 – Vaçe Zela
Festivali 7 – Vaçe Zela
Festivali 8 – David Tukiçi
Festivali 9 – Vaçe Zela, Ema Qazimi
Festivali 10 – Tonin Tërshana
Festivali11 – Tonin Tërshana
Festivali 12 – Vaçe Zela
Festivali 13 – Alida Hisku
Festivali 14 – Alida Hisku
Festivali 15 – Vaçe Zela
Festivali16 – Vaçe Zela
Festivali 17 – Gaqo Çako
Festivali 18 – Avni Mula, Ema Qazimi, Zeliha Sina
Festivali 19 – Vaçe Zela
Festivali 20 – Ema Qazimi
Festivali 21 – Marina Grabovari
Festivali 22 – Tonin Tërshana
Festivali 23 – Gëzim Çela, Nertila Koka
Festivali 24 – Parashqevi Simaku
Festivali 25 – Nertila Koka
Festivali 26 – Irma Libohova, Eranda Libohova
Festivali 27 – Parashqevi Simaku
Festivali 28 – Manjola Nallbani, Julia Ndoci, Frederik Ndoci
Festivali 29 – Anita Bitri
Festivali 30 – Ardit Gjebrea
Festivali 31 – Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Viktor Tahiraj
Festivali 32 – Manjola Nallbani
Festivali 33 – Mira Konçi
Festivali 34 – Ardit Gjebrea
Festivali 35 – Elsa Lila
Festivali 36 – Elsa Lila
Festival 37 – Albërie Hadërgjonaj
Festivali 38 – Aurela Gaçe
Festival 39 – Rovena Dilo
Festivali 40 – Aurela Gaçe
Festivali 41 – Mira Konçi
Festivali 42 – Anjeza Shahini
Festivali 43 – Ledina Çelo
Festivali 44 – Luis Ejlli
Festivali 45 – Frederik Ndoci
Festivali 46 – Olta Boka
Festivali 47 – Kejsi Tola
Festivali 48 – Juliana Pasha
Festivali 49 – Aurela Gaçe
Festivali 50 – Rona Nishliu
Festivali 51 – Adrian Lulgjuraj, Bledar Sejko
Festivali 52 – Hersi Matmuja
Festivali 53 – Elhaida Dani
Festivali 54 – Eneida Tarifa
Festivali 55 – Linda Halimi
Festivali 56 – Eugent Bushpepa
Festivali 57 – Jonida Maliqi
Festivali 58 – Arilena Ara
Festivali 59- Anxhela Peristeri
Festivali 60- Ronela Hajati.

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

FLET RONELA HAJATI, JA ÇFARË DO TË NDODHË ME KËNGËN E SAJ