Nga varri në varr

(Philip ROTH: Një Njeri i Zakonshëm, roman, Skanderbeg Books, Tiranë, 2020)

Gentiana Softolli

  1. Autori

Philip Roth, shkrimtar dhe romancier amerikan, në letërsi frymëzimin tij më të madh e kishte nga kultura hebreje dhe familjet e tyre, që jetonin në tokat amerikane. Roth e nisi karrierën me tregime të shkurtra në fund të viteve 1950. Ndryshe, Philip Roth njihet edhe për “revolucionin seksual”, që e bëri me librin “Ankimi i Portnoit” për të cilin mori kritika të shumta në lidhje me përshkrimin erotizues, madje nga kritika u cilësua edhe si shkrimtar skandaloz. 

 Në vitin 1959, ka fituar Çmimin “National Book Aëard” me librin “Goodbye Columbus”. “Ankimi i Portnoit” është libri i tij më i shitur, i botuar në vitin 1969. Roth ka marrë çmime edhe me “Sabbath’s Theatre” dhe së fundmi, Çmimin Pulitzer për romanin “American Pastoral”. Veprat e tij që janë botuar së voni,  janë edhe “Everyman (2006) dhe “Nemesis” (2010).

  • Romani i zakonshëm

Romani Një njeri i zakonshëm, nuk është veçse një roman i zakonshëm, edhe përkundër faktit se e gjithë përmbajtja që trajton ky roman lidhet me jetën e një njeriu të rëndomtë. Në qendër të këtij romani është jeta dhe vdekja e një njeriu të zakonshëm. Roth, para lexuesit shpërfaq storjet dhe përjetimet e këtij personazhi në formën më të çiltër dhe të sinqertë, me një diskurs të drejtpërdrejtë, gjë e cila edhe e karakterizon këtë shkrimtar. Romani Një Njeri i Zakonshëm nis dhe përfundon në varreza, dhe kjo ndodh jo rastësisht, sepse gjatë gjithë rrëfimit personazhi kryesor ndeshet me aq shumë sëmundje, operacione, e qëndrime në spital, saqë krijon përshtypjen  sikur ankthi i vdekjes ka për të ardhur nga çasti në çasti.

  • Vetmia e madhe

Një njeri i zakonshëm është një hypertekst mbi një jetë të tërë të një personazhi të zakonshëm, rutina e të cilit bën që të lërë mbresa të veçanta te lexuesi. Jeta e personazhit në fjalë është e mbushur me punë dhe sakrifica, sa sfiduese aq edhe kalitëse, të cilat nuk rreshtin së shfaquri që nga fëmijëria e tij e hershme kur edhe e ndien për herë të parë nga afër trishtimin nga vdekja (me vdekjen e djalit me të cilin ndanin të njëjtën dhomë, kur ai ishte shtrirë për herë të parë në spital).

Sado i vetmuar dhe i mbyllur të ketë qenë personazhi Roth-it, nëse e shikojmë me objektivizëm, ai kishte njerëz që e rrethonin në zbrazësinë e tij. Pra, romani ka edhe personazhe të tjerë, të cilët për nga rëndësia, nëse i krahasojmë me personazhin kryesor, ata  si dytësorë, që janë i japin kuptim kryepersonazhit dhe kryetemës. Tabloja e personazheve të Roth-it, në këtë rast, plotësohet me prindër të kujdesshëm; me një vëlla të dashur,  i cilin e kishte trashëguar nga prindërit gjithë cilësitë e dëshiruara, me gra sa “të trasha” nga mendja, e sa besnike (por martesë me mungesë pasioni) nga djem përbuzës dhe një vajzë e çiltër e sinqertë, e cila për fat të mirë, nuk i kishte ngjarë të atit, por që ky i fundit ishte shumë i lidhur me të.

  • Fokalizmi

Kronologjia e ngjarjeve brenda këtij romani jepet në sekuenca të ndara në formë zigzage, mbledhja e të cilave i vendos kapakun storjes. Sasia e kohës që autori u rezervon këtyre sekuencave është në përputhje me rëndësinë që kanë në përbërjen e fabulës si dhe me sasinë e kohës që marrin këto elemente në fabul. Narratori në këtë roman është autor, mirëpo ai nuk rrëfen i vetëm vazhdimisht sepse me raste ia kalon këtë funksion personazhit kryesor. Por, përveç narracionit brenda këtij romani hasim shpesh edhe opinione apo informacione rreth sëmundjeve të ndryshme, që e përplotësojnë me diskurs faktik e eseistik, me një dozë të mirë erudicioni. Pra, përveç këtij tipari kemi edhe elemente të tjera ndërtuese të këtij romani të cilat ngjasojnë me jetën e autorit, e që na shtyjnë të mendojmë për involvim tipik të autorit autobiografik  përbrenda strukturës tekstore.

Fokalizmi është relacioni midis atij që percepton dhe asaj që perceptohet, duke e ngjyrosur ngjarjen me subjektivitet, dhe pikërisht te romani i Roth-it, nëse ndalemi dhe i peshojmë emocionalitetin, sentimentalizmin dhe diskursin e drejtpërdrejtë dhe personal, shohim lidhshmërinë mes asaj që autori ka dashur ta artikulojë, në mënyrë që lexuesi ta krijojë  perceptimin e tij sa i përket personazhit, të cilit ai ka vendosur t’ia mvesh tiparet që do ta përcjellin atë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.

  • Motivimi

Motivimi është aspekt i retorikës narrative (realiste) dhe brenda këtij romani arrijmë të identifikojmë motivin e përshkrimit si nevojë të autorit. Philip Roth jo pa qëllim ka zgjedhur që në romanin e tij të trajtoj një temë të tillë me motive sociale dhe me një diskurs herë -herë personal. Pothuaj i gjithë romani zhvillohet në dy linja narrative, të cilat sa të ndryshme janë edhe aq plotësuese për njëra-tjetrën. Njëra linjë trajton problemet me sëmundjet, vetminë operacionet, shtrimin në spital, qëndrimin indiferent dhe afrinë e familjarëve, e cila mund të themi se është linjë unifikuese për sa i përket ndërtimit të romanit, ndërsa linja tjetër trajton jetën intime të personazhit, tri martesat e dështuara të tij, aferat e dashurisë në zyrë dhe në vende të ndryshme kinse “vende pune”, por në një diapazon më të rrudhur në krahasim me librat e tjerë të tij, ku e kishte shtruar gjerë e gjatë çështjen e seksualitetit.

  • Pasioni  

“Një artist jeton ashtu si do ose ashtu si mundet”, ndaj edhe personazhi i këtij romani zgjodhi të bënte të veten. Kurrë nuk është vonë të bëjmë atë që duam dhe ndiejmë. Pasioni dhe përkushtimi është ajo që të plotëson shpirtërisht pa marrë parasysh koston financiare. E, pasionin ndaj pikturës, personazhi i Roth-it e kishte ruajtur ta konsumonte si ilaç pas pensionimit të tij, me shpresën se në këtë periudhë të vështirë jetësore, piktura si dashuria e tij e fundit do ta gjallëronte dhe do ta mbushte jetë. Por, edhe pasi pikturoi për një kohë të gjatë pothuaj ditë për ditë, edhe pasi arriti të vendosej me vendbanim buzë detit për ta bërë ecjen e mëngjesit ditë për ditë aty, për një kohë të shkurtër e pa se vetmia ishte ajo që po e gërryente përbrenda. Ndaj e dinte se kudo që të shkonte e të vendosej, nuk i shpëtonte dot kësaj hijeje që e ndiqte sikur të ishte e tij. Kështu pasioni për pikturën dikur zvenitet përballë vetmisë së madhe që e kërkonte ky medium, por që tashmë personazhi vështirë e përballonte.  I gjendur, kështu përballë të një realiteti të pazakontë,  përmes njeriut të zakonshëm, Philip Roth përcjell një mesazh  ftohtë: “Realitetin nuk e ndryshon dot, thjesht merre  ashtu si ai të vijë”, nga lindja deri në vdekje, por edhe figuartivisht nëse ajo përplaset nga “varri” ne varr.