Ngjarja makabre: Nëna ime e kishte djalë xhaxhai Enverin, por ai na ekzekutoi vëllanë…

Publikohet historia e panjohur Abaz Omarit me origjinë nga Gjirokastra, nëna e të cilit, ishte kushërira e parë e Enver Hoxhës, pasi i ati i saj, Hysen Hoxha, ishte xhaxhai i Enverit. E gjithë historia e panjohur dhe fundi tragjik i Abaz Omarit, që nga fëmijëria kur luante me kushëririn e tij në kalldramet e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, studimet në Francë, ardhja në Shqipëri, angazhimi me organizatën nacionaliste, “Balli Kombëtar”, dhe raportet tejet të acaruara me kushërinin e tij, Enverin që tentoi ta eliminonte fizikisht që në vitin 1943 në Fier, incidenti i tyre tek shtëpia e Bahri Omarit në Tiranë, arrestimi i Abazit dhe refuzimi që Enveri i bëri motrës së tij, Feros, për t’ia falur jetën, e deri tek pushkatimi i Abazit në qershorin e vitit 1945, ku në mënyrë makabre iu pre dhe koka…?!

Diku në rrethinat e Beratit, në verën e vitit 1993, një grup familjarësh arritën të gjejnë vendndodhjen e një varri të përbashkët, ku në korrikun e vitit 1945-së, ishin pushkatuar dhe groposur pesë kundërshtarë të regjimit komunist. Mbasi u gjend vendndodhja e varrit të humbur për gjysëm shekulli, filluan gërmimet dhe eshtrat e të pestëve po konturoheshin pak e nga pak. Por, nga pesë skeletet e gjetura, njërit i mungonte kafka e kokës. Të nesërmen e asaj dite, nga gërmimet e tjera, rreth gropës së madhe, disa metra larg saj, u gjetë dhe kafka që i’u mungonte. Kjo ngjarje, pra gjetja e eshtrave të pesë viktimave të regjimit komunist, po atë ditë u pasqyrua në të gjithë emsionet e lajmeve nga Radio-Televizioni Shqiptar, nëpërmjet gazetarit të njohur, Shpëtim Roqi, i cili prej kohësh e kishte në fokus të punës së tij ngjarje të tilla që i përkisnin krimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kush ishin ata të pestë dhe pse ishin pushkatuar? Përse eshtrat e trupave gjendeshin në një gropë të përbashkët dhe kujt prej tyre i mungonte kafaka?! Pas ekzaminimeve të bëra nga ekspertët përkatës të mjeksisë ligjore, si dhe me ndihmën e të afërmëve dhe familjarëve të tyre, u zbulua idenditetet e sakta dhe midis tyre ishte dhe ajo e Abaz Omarit, (të cilit kafaka i’u gjet një dit më pas), një ish avokat i njohur, i diplomuar në Paris në periudhën e Monarkisë së Zogut, dhe gjatë periudhës së pushtimit të vëndit (1939-1944), eksponent antikomunist i organizatës nacionaliste, “Balli Kombëtar”, i cili gjithashtu ishte nipi i Enver Hoxhës, pasi nëna e Abazit, ishte vajza e xhaxhait të Enverit, Hysen Hoxhës, apo xhaxha Çenit siç e quante ai. Lidhur me këto dhe të gjithë historinë e panjohur të Abaz Omarit, që nga fëmijria kur luante me kushërin e tij në kalldramet e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, studimet në Francë, ardhja në Shqipëri, angazhimi me organizatën nacionaliste, “Balli Kombëtar”, raportet tejet të acaruara me kushëririn e tij, Enverin, që tentoj dhe urdhëroi eliminimin e tij fizik që në 1943-in në Fier, incidenti i tyre në shtëpinë e Bahri Omarit, arrestimi dhe dënimi me vdekje i tij, refuzimi që Enveri i bëri motrës së Abazit, Feros, për t’ia falur jetën vëllait të saj, si dhe pushkatimin e tij, ku në mënyrë makabre iu pre dhe koka, na ka rrëfyer publikisht vite më parë, Mërkur Omari, vëllai më i vogël i Abazit. Po kështu përveç dëshmive të tij, për historinë tragjike të Abaz Omarit shkruan në kujtimet e vetë Enver Hoxhës, të shkruara në dy libarat e tij: “Kur lindi Partia” dhe “Kur hidheshin themelet”, si dhe në dokumentet arkivore që gjënden në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë.

Kush ishte Abaz Omari?

Abaz Omari kishte lindur në qytetin e Gjirokstrës në vitin 1906, dhe fëmijëria e tij kishte kaluar tek shtëpia e Hoxhave, pranë gjyshit të tij nga nëna, Hysen Hoxhës. Në këtë shtëpi të madhe, Abazi  luante me shokun dhe kushëririn e tij, Enver Hoxhën, që ishte vetëm dy vjet më i vogël nga ai. Abazi në fillim shkoi në shkollë aty në qytetin e lindjes së bashku me Enverin, për të vazhduar më tej mësimet në Leçe të Italisë. Pas kthimit nga Italia, Abazi dërgohet nga familja për të vazhduar mësimet në Liceun francez të Korçës dhe pasi e mbaroi atë me rezultate të larta, ai fito një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta, në Francë. Pasi studioi dhe u diplomua në shkencat Juridike në Montpelje me rezultate të larta, në vitin 1939, Abazi shkoi në Paris ku studjoi dhe mori leksione në një kurs të gjatë për Histori Arti, pranë Akademisë së Arteve të Bukura të këtij qyteti. Gjatë atyre viteve të qëndrimit në Paris, Abazit i erdhi në dhomën ku banonte, kushëriri i tij Enver Hoxha, i cili kishte qenë për studime në Montpelje. Përveç shkollës fillore në Gjirokastër, Abazi me Enverin kishin studjuar bashkë dhe në Korçë në Liceun Francez. Arsyeja e vajtjes së Enverit për tek Abazi në Paris, ishte sepse në Montpelje ku kishte studjuar për gjashtë muaj, qeveria shqiptare (ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj), i’a kishte prerë bursën, pasi ai nuk kishte mundur të shlyente dot asnjë provim. Abazi e mbajti Enverin për disa muaj në dhomën e tij, ku të dy jetonin vetëm me kursimet që ai kishte lënë mënjanë gjatë atyre viteve që studjonte në Paris. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija vite më vonë, në mes të tjerash Enver Hoxha do të shkruante: “Pasi kishim ngelur në një gjendje të vajtueshme bashkë me kushëririn tim Abaz Omarin, shkonim në restorante kineze të Parisit dhe hanim vetëm pilaf”. Duke parë gjendjen e keqe financiare në të cilën kishte ngelur Enveri pas prerjes së bursës, Abazi për ta ndihmuar sadopak, ndërhyri tek Eqerem Libohova, (Ambasadori i Mbretërisë Shqiptare në Francë) që ishte miku i ngushtë i Bahri Omarit. Ambasadori shqiptar Libohova e rregulloi studentin gjirokastrit Enver Hoxhën, që të fillonte punë si sekretar i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Bruksel. Konsulli, që ishte një milioner me origjinë hebre, e mbajti Enverin për disa muaj në punë dhe më pas e përzuri. Pas kësaj, Enveri i ngelur pa asnjë mjet jetese dhe në gjendje të mjerueshme, si ngeli gjë tjetër, veçse të kthehej në Shqipëri.

Enveri në Fier, për të eleminuar Abazin

Në vitin 1939, pasi Abaz Omari përfundoi studimet dhe u diplomua në Francë, u kthye në Shqipëri ku filloi punë si Jurist në Ministrinë e Financave. Pasi punoi për disa muaj në Tiranë, ai u kthye në qytetin e Fierit, ku ishte vendosur familja e tij pas shpërnguljes nga Gjirokastëra. Me të vendosur në këtë qytet, Abazi u lidhë me disa nga intelektualët e njohur antifashistë që kishin filluar të grupoheshin për tu organizuar kundra pushtuesëve italianë. Lidhur me këtë, Veli Frashëri, përkthyesi (anglishtes) i Mithat Frashërit, në kujtimet e tija midis të tjerash ka shkruar: “Në shtëpinë e Abaz Omarit në Fier, ne formuam grupin e rezistencës kundër pushtuesëve italianë që në vitin 1939. Në këtë grup, përveç Abazit bënin pjesë dhe Myzafer Trebeshina, Tefik Cfiri e ndonjë tjetër. Grupimi ynë i rezistencës kishte ide dhe program social-demokrat dhe më vonë ne u bashkuam me grupin e Vlorës, që drejtohej nga Skënder Muço”. Pas formimit të Grupit të Rezistencës në qytetin e Fierit, me nisiativën direkte të Abazit, u krijua çeta e parë antifashiste e Mallakastrës, e përbërë prej 7-8 vetësh. Veli Frashëri, Abaz Omari dhe Nexhat Peshkëpia, (burri i motrës së Abazit) në vitin 1942, u lidhën dhe me Skënder Muçon në Vlorë dhe formuan një grupim social-demokrat, që një vit më vonë në 1943-in arritën ta kristalizonin si parti. Asokohe ata nxorrën në Fier dhe numrat e parë të gazetës së tyre “Zëri i Lirisë”, të cilën e drejtonte intelektualja e njohur Musine Kokalari e cila ishte lauruar në Romë për Filozofi, dhe shkrimet kryesore në atë gazetë ishin nga prof. Jusuf Luzaj, Abaz Omari, Skënder Muço etj. E gjithë veprimtaria e Abaz Omarit dhe grupimit ku bëntë pjesë ai, do të tërhiqte vëmëndjen e Enver Hoxhës gjatë një udhëtimi që ai kishte ndërmarrë nga Tirana për në Vlorë. Sipas kujtimeve të mëvonëshme të Enver Hoxhës, (Libri “Kur lindi Partia”, botuar në vitin 1981) ishte: “likujdimi i grupit franksionist të Xhepit e Qorrit” siç i etiketonte ai me pseudonimet e Luftës, dy nga krerët kryesorë të Grupit Komunistë të të Rinjëve, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, që në atë kohë dominonin qarkorin e partisë së Vlorës. Gjatë atij udhëtimi për në Vlorë, Enver Hoxha, qëndroi disa ditë në qytetin e Fierit, duke u strehuar në shtëpinë e Llaz Sukut. Gjatë atyre ditëve që qëndroi në shtëpi, Enver Hoxha u informua rregullisht për të gjithë veprimtarinë e Abaz Omarit dhe grupimit social-demokrat që vepronte në atë qytet. Sipas disa dëshmive, pretendohet se që në atë kohë, ka pasur dhe një plan nga Enver Hoxha për eleminimin e Abaz Omarit. Lidhur me këtë gjë, vëllai i Abazit, Mërkur Omari, midis të tjerash na tregonte: “Në shtëpinë e Llaz Sukut ku ishte strehuar, Enveri thirri Rakip Kryeziun, një gjirokastrit shumë i varfër, që ishte komandant i Njesiteve Guerile të Fierit, të cilit i parashtroi planin e eleminimit të Abazit, duke i thënë se ajo, ‘ishte porosi e udhëheqjes së Partisë’. Në mbremjen e asaj dite, teksa po rrija para shtëpisë, më thërri Rakip Kryeziu dhe më tha që të shkoja në shtëpinë e tij, se do të më jepte një porosi për Abazin. Unë pa dyshuar aspak, e ndoqa prapa dhe kur shkuam në dhomën e tij, ai së bashku me një tjetër që ishte aty, më thanë që atë darkë ta lija portën e shtëpisë të hapur pa çelës, pasi ata do vinin për ta marrë Abazin për një problem që kishin. ‘Të japim fjalën e komunistit, se Abazit nuk i bëjmë asgjë’, më thanë ata. Unë kisha ngelur i shtangur dhe nuk pranoja, kurse Rakipi më kërcënonte me një revole që kishte në dorë dhe më thoshte se po ta bisedoja me njeri atë gjë, isha i dënuar me vdekje. Unë portën nuk e lashë të hapur dhe nga frika atë natë nuk i thashë gjë Abazit. Të nesërmen i tregova gjithshka dhe ai mori masa për tu mbrojtur. Pas tre ditësh ata e kuptuan se unë i kisha treguar Abazit dhe na dërguan fjalë se ishim të dënuar nga Partia me vdekje të dy. Pas dështimit të këtij plani, për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Abazit, Enver Hoxha mori masa që gjithshka të mbetej e fshehtë. I vetmi njeri që mund ta dekonspironte atë aksion, ishte Rakip Kryeziu, i cili ato ditë u rrethua në një shtëpi në periferi të Fierit nga forcat balliste të Bajrush Kosovës, dhe u vra prej tyre, si shkak për aksionin e rrëmbimit të Abazit”, kujtonte Mërkur Omari tentativën e parë të Enverit për ta eliminuar fizikisht Abaz Omarin

Incidenti me Abazin në shtëpinë e Bahri Omarit

Në kohën që Enveri qëndroi në Fier ku dhe thuri planin për të eleminuar Abazin, ai nuk kishte më asnjë kontakt me të, pasi i kishte ndërprerë lidhjet që pas ardhjes nga Franca. Në fakt, për herë të fundit ata ishin takuar në Tiranë në shtëpinë e Bahri Omarit, aty nga fundi i viti 1941. Lidhur me këtë takim, në librin e tij “Kur hidheshin themelet”, Enver Hoxha midis të tjerash dëshmon: “Jam zënë keq njëherë me Abaz Omarin, një kushëririn e Bahriut nga i ati, por dhe i yni, sepse xhaxhai im Hysen Hoxha, e kishte nip (djalin e vajzës). Njiheshim që fëmijë, kur ishim të rinj vinte shpesh në shtëpinë tonë. Edhe ai kishte bërë Liceun e Korçës dhe kishte vajtur në Paris, por pasi kishte qëndruar nja katër vjet me paratë e babait që e kishte pronar të madh tokash dhe tregtar të madh në Fier, ishte kthyer pa diplomë në Shqipëri dhe ca kohë ushtroi zanatin e të jatit. Më vonë ai mori një grua me prikë (pasuri) të madhe dhe me të hollat e saj u kthye në Francë e mori diplomën në Drejtësi dhe erdhi e u bë avokat. Kisha kohë që nuk isha pjekur me të, sa një ditë pas pushimit e gjeta tek motra ime Fahrija. U puthëm e u ngalasëm dhe e urova, e pas bisedave të zakonëshme, filluam ato politike. Mbaja mënd se dikur Abazi shfaqej si antifeudal demokrat i majtë. Por ç` të shihja, kur fola për luftën, për domosdoshmërinë e saj, na doli se Abazi, nga i majtë, na ishte bërë i djathtë, nga demokrat na ishte bërë një mbrojtës i madh i të pasurve, me një fjalë kishte ndërruar lëkurën. U grindëm e kushedi se si do të kishte mbaruar grindja, po të mos kishte ndërhyrë në mes motra ime, Fahrija. Më nuk e pashë këtë njeri që u bë një qen zinxhiri i Ali Beut (Këlcyrës) e u bë ballist e bashkpuntor i gjermanëve”. Por ndryshe nga sa shkruan në kujtimet e tij, pas viteve ’90-të, njerëz të afërt të Enver Hoxhës, japin version tjetër nga ai episod që shkruan ai, duke e treguar të gjithë ngjarjen me grindjen që ndodhi në mes dy kushurinjve. Këtë gjë e konfirmonte dhe Mërkuri, vëllai i Abazit. Në atë darkë, Bahriu kishte ftuar dhe Nexhat Peshkëpinë e Abazin. Gjatë darkës, Enveri filloi të bënte propagandë komuniste dhe ende pa mbaruar fjalën, Abazi i kthehet atij gjithë inat duke i thënë: “Si s`të vjen zor që flet në këtë mënyrë, ti je përzier më një grup aventurierësh antishqiptarë e vagabondë, që kudo që shkoni bëni propagandë bolshevike”. I prekur rëndë nga fjalët e Abazit, Enveri nxehet keq dhe i`a kthen: “Kur të fitojë Stalini, ne komunistët do t`iua presim kokën ju mutistëve”. Fjalët që tha Enveri i shoqëroi dhe me xheste të duarëve. Pas kësaj, Abazi mori një pjatë dhe qëlloi drejt Enverit, i cili largoi kokën dhe pjata u thye në mur. Darka u prish dhe Nexhat Peshkëpia e mori me vete Enverin në shtëpinë e tij për të mbyllur sherrin. Ky ishte dhe takimi i fundit që patën dy kushërinjtë, të cilët ndonëse ishin rritur në një shtëpi, kishin mësuar në të njejtat shkolla, kishin ndjekur drejtime të ndryshme për shkak të bindjeve të tyre politike.

Fjala e Abazit në Kinema “Kosova”

Në fillimin e vitit 1944, në një takim që organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” kishte organizuar me intelektualët e Tiranës në Kinema “Kosova”, kishte planifikuar q ëtë fliste dhe Abaz Omari. Dhe ashtu ndodhi, pas profesor Abaz Ermenjit, e mori fjalën Abazi, ku midis të tjerave u shpreh: “Nëse komunizmi vjen në vatrat tona, meritë e tij do të jetë mjerimi dhe për popullin uria. Njerzit do të vihen në rresht për një copë bukë. Kam jetuar shumë vjet në Francë. Atje librat për komunizmin mbeten rrugëve se nuk i lexon njeri. Këtu njerzit të gënjyer nga disa aventurierë po përkrahin komunistët. Ata do të kujtojnë Siberinë ruse me kampet e përqëndrimit që do hapin”. Dhe profecia e Abaz Omarit fatkeqëisht do të bëhej realitet vetëm disa muaj më vonë. Kështu, në vjeshtën e 1944-ës kur komunistët ishin afër triumfit pasi gjermanët po tërhiqeshin edhe nga Shqipëria, shumë nga krerët e dy organizatave nacionaliste, “Ballit Kombëtar” dhe Legalitetit, u grupuan në Shijak dhe në Prezë, në pritje për tu larguar me anë te detit nga Shqipëria. Në një takim të madh që u mbajt në Shijak, Abazi i’u bëri thirrje atyre që të mos largoheshin, por ta vazhdonin luftën deri në fund. Pak ditë pas atij takimi, Abazi arrestohet nga partizanët në Shijak, së bashku me shokun e tij, Qazim Shehun të cilët më pas i sjellin në Tiranë, në një shtëpi që ishte kthyer si burg pranë rrugës “Qemal Stafa”.

Enveri pret në shtëpi, motrën e Abazit

Pasi u mbajt për tre muaj në atë shtëpi-burg në Rrugën “Qemal Stafa”, Abazi u dërgua në Berat, për të dalë në gjygj, pasi Berati kishte nën juridiksion edhe Fierin, ku Abaz Omari kishte pasur aktivitetin e tij kryesor gjatë periudhës së Luftës. Sipas dëshmive të Mërkur Omarit, një muaj pas arrestimit, motra e tij Ferro, (gruaja e Nexhat Peshkëpisë) bashkë me Mërkurin (vëllanë e vogël), shkuan dhe trokitën në shtëpinë ë Enver Hoxhës (vila në qëndër të Bllokut), i cili pasi u lajmërua në telefon, i ftoi të hynin brenda. Pasi ata hynë në shtëpi, Enveri që po hante drekë, i priti shumë ftohtë. Ferro me Mërkurin duke parë atë situate, nuk e hapën fare muhabetin e Abazit dhe Enveri rëndë rëndë ju drejtua Mërkurit: “Hë mor ballist, si i ke punët, sikur ta kam lexuar emrin në gazetë…”?! Mërkuri ngeli i habitur e nuk dinte se si t’i përgjigjej, pasi në fakt ai kishte qenë partizan. Në ato momente kur ai u mat t’ia thoshte atë gjë, në shtëpi hyri Nako Spiro, dhe Enveri u largua bashkë me të, pa i përshëndetur dy kushërinjtë. Pas disa ditësh, Ferro shkoi dhe njëherë tek shtëpia Enverit, i cili ja preu shkurt: “Abazin ne do ta dënojmë, se nesër mund të vritet djali yt”. Ferro mbeti e shtangur dhe u largua nga ajo shtëpi pa e kuptuar kurrë kuptimin e atyre fjalëve që i tha kushëriri i saj, dhe njëkohësisht, kryeministri i Shqipërisë, gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, i cili i kishte arrestuar vëllanë dhe priste ta ekzekutonte.

Enveri: Na njoftoni ekzekutimin e Abaz Omarit me shokë

Sipas fjalës që i tha kushërirës së tij, Ferros, për vëllanë e saj, më 7 korrik 1945, gjashtë muaj më vonë, Enver Hoxha do e mbante “premtimin”. Në një radiogram, dërguar Gjykatës Ushtarake të Korpusit të IV-të në Berat, ai shkruante:

“Në përgjigjie të shkresës suaj nr. 140. dt.7.VI.1945, aprovohet dënimi me vdekje i Abaz Omarit me shokë.

Na lajmëroni datën e ekzekutimit”.

Komandanti i Përgjithshëm

Gjeneral-kolonel

Enver Hoxha

Pas pak ditësh ajo Gjykatë Ushtarake me Prokuror M. Bllaci. e gjygjtar M. Karafili, F. Bedeni e N. Lekdushi, sipas porosisë së Komandantit, zbatuan detyrën. Pas pushkatimit, një dorë e stërvitur (Demir K. nga Kallarati i Vlorës), me një sëpatë të rëndë, ju preu kokat duke i groposur në një gropë të veçantë pak më larg trupave. Vetëm 48 vjet më vonë ai njeri do të pohonte: “Kisha urdhër, po të mos j`ua prisja unë, bashkë me kokat e tyre do shkonte dhe e imja…”./Memorie.al


Lexo edhe:

DITA KUR NDËRROI JETË ENVER HOXHA, HISTERIA KOLEKTIVE NË TË QARA E SHKULJE FLOKËSH… (FOTO)