Nis hapja e shtigjeve për këmbësorët në qytetin e lashtë ilir në Persqopi

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha se Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Tiranë ka nisur punën për hapjen e shtigjeve për këmbësorë në qytetin e lashtë ilir në Persqopi.

Vetëm 17 km nga Tirana, ndodhet Persqopi, ky qytet i lashtë ilir, i ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. IV p. Krishtit. Muret mbrojtëse janë ndër më të mirëmbajturat në trojet shqiptare dhe hyrja është 2,6 m e gjerë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Tiranë ka nisur punën për hapjen e shtigjeve për këmbësorë, sistemim, disiplinim dhe çlirimin nga vegjetacioni i ulët, rreth e përqark bastionit jugor si dhe zbankimin e dheut, për evidentimin e të gjitha gjurmëve të monumentit. Ndërkohë, rilevim i saktë i murit është duke kaluar në fazën e dytë të projektit të plotë, të ndërhyrjeve konsoliduese.

“Synimi ynë parësor është mbrojtja e trashëgimisë kulturore, por edhe promovimi i saj, duke e kthyer në një destinacion kulturor. Afërsia e tij më Tiranën dhe kalanë e Petrelës, ofron të gjitha kushtet dhe mundësitë për të tërhequr vëmendjen e vizitorëve”, tha Margariti./ATSH