Nis konkurrimi për Master tek Filologjiku, ja kriteret dhe formula si do përzgjidhen fituesit

Duke e nisur nga dita e sotme, të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e parë “Bachelor” mund të aplikojnë për të vijuar programet e nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor” në degat e mësuesisë dhe profileve të tjera të Fakultetit të Histori-Filologjisë. Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, konkurimi do të zhvillohet me dosje, ndërkohë që kriter përzgjedhës për fituesit do të jetë mesatarja e studimeve të nivelit të parë. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë shpallur tashmë edhe kriteret që duhet të përmbushin aplikuesit për të hyrë në garë për kuotat e miratuara në 23 programet e studimit të nivelit të dytë që do të zhvillohen përgjatë vitit të ri akademik 2020-2021. Për secilin nivel në vijim gjeni jo vetëm degët në të cilat mund të konkurroni, por edhe dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzoni, si dhe ktegoritë që kanë prioritet në përzgjedhje.

Kushtet për konkurim

Sipas kushteve të përcaktuara, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të tij. Në këto programe mund të konkurojnë edhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA në afatet e konfirmuara.

Aplikimi me dosje

Për të bërë aplikimin kandidati duhet të paraqitet në sekretarinë mësimore të programeve Master personalisht, ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të kërkuara, ku duhet të përfshijë: diplomat e studimeve të nivelit të parë së bashku me listën e notave, diplomën e mbarimit të shkollës së mesme, formularin e aplikimit të plotësuar sipas formatit të përcaktuar, mjetin e identifikimit, dy fotografi personale. Pranimi i dosjeve do të bëhet çdo ditë ndërmjet orës 10:00-14:00. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe dokumentacionin shtesë që duhet të dorëzojnë kategoritë që do të përfitojnë nga kuotat e veçanta dhe ato për shtetasit e huaj. Në udhëzimin e miratuara më herët nga dikasteri i arsimit data 11 tetor është përcaktuar si afati i mbylljes së aplikimeve për programet e nivelit të dytë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik në vend.

Kriteret për fituesit në “Master profesional Mësuesi”

Kriteret e pranimit të studentëve në ciklit të dytë të studimeve “Master i profesional Mësuesi” për vitin akademik 2020-2021 do të jenë si vijon: Së pari kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, më pas studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve publike të akredituara, si dhe në fund studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universite me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta, të akredituara. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare të studimeve të nivelit të parë. Në të njëjtën formë do të veprohet edhe për rastet kur përzgjedhja do të zhvillohet për degët e tjera të Masterit profesional në këtë fakultet.

Programet e studimeve “Master profesional” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të krye.

Kriteret për fituesit në “Master i shkencave”

Për të konkuruar për programet e nivelit të dytë shkencor aplikuesit duhet të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjish, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B1, të certifikuar sipas testeve të miratuara nga MASR. Dokumenti i të cilës duhet të dorëzohet në dosjen e aplikimit.

Për të qenë fitues në këto programe fillimisht kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, për të vijuar me studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve publike të akredituara. Të tretët në përzgjedhje janë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës. Nëse do të ketë sërish kuota të lira përzgjedhja do të vijojë me studentët të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universitetet me programe më lëndë të njëjta, ose të përafërta. Ndërsa mundësia e fundit do t’u jepet studentëve që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të universiteteve private të akredituara.

Programet e studimit “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësi për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike.

Somarjo:

Në progrmet e “Masterit profesional në Mësuesi”, së pari kanë përparësi studentët të cilët kanë përfunduar studimet “Bachelor”, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, më pas studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në degë të njëjta të universiteteve publike të akredituara, si dhe në fund studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në universite me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta, të akredituara. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare të studimeve të nivelit të parë.

DEGËT PËR TË CILAT MUND TË KONKURRONI JANË:

Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore:

Master Profesional “Guidë Turistike”.
Master Shkencor “Arkeologji”.
Master Shkencor “Trashëgimi Kulturore”.
Departamenti i Gjeografisë:

Master Profesional “Mësuesi në Gjeografi për arsimin e mesëm”.
Master Profesional “Sistemet e Informacionit Gjeografik të Aplikuar”.
Master Shkencor “Gjeografi”.
Departamenti i Gjuhësisë:

Master Profesional “Mësuesi në Gjuhë-Letërsi për arsimin e mesëm”.
Master Profesional “Redaktori”.
Master Shkencor “Gjuhësi e sotme”.
Master Shkencor “Gjuhësi historike”.
Departamenti i Letërsisë

Master Profesional “Mësuesi në Gjuhë-Letërsi për arsimin e mesëm”.
Master Shkencor“Teori dhe kritikë letrare”.
Master Shkencor “Letërsi e përgjithshme dhe e krahasuar”.
Master Shkencor “Studime letrare shqipe dhe antropologji kulturore”.
Departamenti i Historisë

Master Profesional “Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm”
Master Profesional “Arkivistikë”.
Master Shkencor “Histori”.
Master Shkencor “Marrëdhënie ndërkombëtare”.
Departamenti i Gazetarisë:

Master Shkencor “Marrëdhënie publike”.
Master Shkencor “Gazetari europiane dhe ndërkombëtare”.
Master Shkencor “Komunikimin ndërkulturor”.
Master Shkencor “Marketing mediatik”.
Master Shkencor “Drejtimi dhe menaxhimi i medieve”.

Dokumentet që duhen për konkurim:

Diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP).
Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.
Formulari i aplikimit (sipas formatit të shtojcës nr. 5 dhe nr. 6 të Udhëzimit nr.17, datë 30.07.2019).
Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
Dy fotografi personale.
Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe.
Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.
Curriculum Vitae.
Deklaratën sipas shtojcës së përcaktuar.
Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
Kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian.
Deklaratën sipas shtojcës së përcaktuar./dita