Nis restaurimi i Xhamisë historike të Plumbit

Në Xhaminë e Plumbit, Shkodër, do të nisë së shpejti puna për zbatimin e projektit të restaurimit të thellë.
Po ashtu edhe transformimi i mjedisit përreth duke u kthyer besimtarëve një tempull në kushte optimale.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektuan nga afër xhaminë.

Gjatë vizitës Kryeministri Rama tha se,

“Kjo ishte një kërkesë që unë e kisha prej kohësh për të mbështetur rindërtimin e thellë të disa xhamive që janë monumente kulture të jashtëzakonshme.
Kjo është një nga ato xhami dhe më në fund do të realizohet. Këtu problematika ka qenë e lidhur me gjithë terrenin dhe për këtë është gjetur zgjidhja.
Besoj do dalë shumë bukur dhe duhet dhënë një zgjidhje e bukur edhe për pjesën e hapësirës brenda”.

“Kështu është jeta, erdhi një katolik ja u rregulloi”, – tha Rama.

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari i tha kryeministrit Rama se,
“Ju duhet të jeni Kryeministri i parë i 100 viteve që shkelni në këtë xhami”.

Momenti kur u angazhuan myslimanë dhe katolikët për të hapur edhe këtë xhami

Kryeministri Rama u shpreh se,
“në fakt, këtu kam shkel për herë të parë atëherë kur kemi ardhur për meshën që bëri Dom Simoni tek varrezat e Rrmajit.
Ishte ai momenti që u angazhuan myslimanë dhe katolikët për të hapur edhe këtë xhami, ishte fantastike fare. Në fakt, që ta dish, shtysa reale është gjysma ime myslimane që kam në shtëpi”.

“Ajo që është vlera më e madhe e shtuar në këto ndërhyrje dhe disa për fat të keq nuk duan të kuptojnë është se përveç se padiskutim komuniteti është përfituesi kryesor. Komuniteti i besimtarëve qoftë kur restaurohet një xhami apo kishë, por vlera e shtuar është historia pranë gjeneratave të tjera që fëmijët tanë ta kenë parasysh gjatë gjithë kohës gjithë atë thesarin e trashëgimisë, sepse përtej besimit të drejtpërdrejtë, feja është kulturë dhe histori”, – tha Rama.

Kryeministri propozoi që hapësira përreth xhamisë të mbillet me pemët e Kur’anit.

“Do t’iu sugjeroja që në të gjithë pjesën e tokës të konceptohet një park të mbillen të gjitha bimët e kuranit të bëhet një kopsht me të gjitha pemët që përdoren në Kur’an.
Sa bukur mund të jetë për fëmijët dhe besimtarët ku të ketë vende për t’u ulur dhe meditimi. Bëhet një park fantastik”, – tha Rama.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në 1773 nga Mehmet pashë Bushatlliu

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se
“i gjithë procesi që po kryejmë me qeverinë turke me departamentin e vakëfeve për gjithë pjesën e rishikimit të projektit të Xhamisë së Plumbit. Pasi nënshkruam marrëveshjen në Turqi për financimin e saj faza e parë ka qenë ajo e rishikimit të projektit që është hartuar më parë në bashkëpunim edhe me Institutin tonë të Monumenteve. Kemi pasur grupin e ekspertëve që kanë ardhur kanë bërë vizitën direkt në terren”.

“Janë bërë të gjitha azhornimet e situatës së gjithë terrenit përreth, pjesa më problematike është në shekuj, sepse nuk është një problem i vonë i përmbytjes së gjithë zonës përreth xhamisë, është rishikuar nga grupi i ekspertëve ka një zgjidhje elegante dhe paksa dinamike. Në pjesën e rrethimit do të ketë një gardh, i cili do të ketë një panel alumini, i cili do të ngrihet në momentin e shtimi të fluksit të shirave dhe ujit dhe do të bëjë të mundur moslejimin e mbushjes së kësaj pjese”, – shtoi Margariti.

Ministrja bëri të ditur se, “xhamia është ndërtuar në 1773 nga Mehmet pashë Bushatlliu dhe është ndërtuar me gurë lokalë. Për këtë xhami kemi dëshmi edhe nga Eduard Lir, që e ka gjetur me pjesën përreth të përmbytur. Kjo ka ndodhur për shkak të një devijimi të lumenjve Kir dhe Drin që e kanë sjellë gjithmonë në këtë lloj situate”.

Nuk do të ketë tjetërsime

Sipas saj, elementët e restaurimit që do të kryhen në xhami janë konservuese, nuk do të ketë tjetërsime dhe nuk do të ketë elementë çimento në ndërhyrje.

“Me ndihmën e ekspertëve gjeologë do të jetë hera e parë që bëjmë një projekt restaurimi të këtij niveli dhe nuk bazohet vetëm tek monumenti, por në të gjithë territorin përreth. Është një zonë e larmishme me objekte të kultit, kemi një xhami tjetër këtu afër, kemi disa rrënoja arkeologjike. Kjo xhami i përmbahet stilit arkitekturor të arkitekt Sinanit në objektet e kultit në Turqi dhe do t’u rikthehet besimtarëve totalisht funksionale”, – tha Margariti.

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari tha se, “kjo xhami është shqiptare, sepse ne kemi pasur fatin e madh që arkitekt Sinani, ai njeri i madh me famë botërore, ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në arkitekturën shqiptare. Kjo xhami është gjurmë e asaj fryme”./ATSH

LEXO EDHE: GJENDJA E MONUMENTEVE TË KULTURËS NGA MOTI I KEQ: VETËM XHAMIA E PLUMBIT NË SHKODËR E PËRMBYTUR