Gjendja e monumenteve të kulturës nga moti i keq: Vetëm Xhamia e Plumbit në Shkodër e përmbytur

Punonjësit e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në të gjithë Shqipërinë janë në gatishmëri maksimale dhe fatmirësisht në zonat më të prekura nga reshjet e shiut, ku ka patur dhe përmbytje në Shkodër e Lezhë, nuk hasen problematika të mëdha në monumentet e kulturës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se i vetmi monument kulture i përmbytur është Xhamia e Plumbit, Shkodër.

“Në këtë situatë të ngarkuar për shkak të reshjeve të ditëve të fundit, punonjësit e drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në të gjithë vendin janë në gatishmëri maksimale. Pas inspektimeve në terren u konstatua se edhe në zonat, ku janë shkaktuar përmbytjet më të shumta, në Lezhë e në Shkodër, nuk hasen problematika të mëdha në monumentet e kulturës. I vetmi monument i përmbytur është Xhamia e Plumbit, Shkodër, për restaurimin dhe sistemimin e së cilës, sapo nënshkruam një marrëveshje me Qeverinë Turke”,- deklaroi Margariti./ATSH