
Nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit dhe në organizim të Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, dje (më 1 maj) nisi manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2025”.
Në këto aktivitete përkujtimore, sportive dhe kulturore në nderim të heroit kombëtar Agim Ramadani, ishin edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqirin, kryetarin e Këshillit të fshatit Zhegër Qahil Halilin, familjarë të heroit kombëtar Agim Ramadanit dhe qytetarë të shumtë.
Aktivitet filluan me turneun në futboll të vogël “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”, për të vazhduar në mbrëmje me ndezjen e “Flakadanëve të Lirisë”, kushtuar 114 dëshmorëve të rënë në betejën heroike të Koshares.
Kryetari i Komunës Alban Hyseni, tha se nisën shënimin e manifestimit tradicional me turnirin e futbollit të vogël, përmes të cilit kujtuan heroin Agim Ramadani me moton “Edhe me sport e kujtojmë Agimin”.
Sipas tij ky aktivitet shënon fillimin e tri ditëve përkujtimore që mbajnë gjallë kujtimin e një figure të pazëvendësueshme të historisë sonë.

Ky manifestim përfshin një sërë aktivitetesh përkujtimore, sportive dhe kulturore në nderim të heroit kombëtar Agim Ramadani.
Aktivitetet vazhdojnë nga 2 deri më 4 maj me ngjarje të shumta, përfshirë turneun tradicional në “Snooker”, një garë ndërkombëtare në karate më 4 maj, si dhe memorialin tradicional të peshkatarisë të organizuar nga SHPSR “Cormoran” në Gjilan.
Sot (më 2 maj), nga ora 14:00, u organizua aktiviteti poetik “Muza e Agimit”, ku poetë nga trojet shqiptare sollën vargje kushtuar heroit Agim Ramadani, duke përforcuar dimensionin kulturor të këtij manifestimi.
Dita e tretë, 3 maj, sjell përkujtimin e ditëlindjes së Agim Ramadanit dhe “Ditën e Shkollës”, që fillon në ora 11:00. Më pas, në ora 16:00, mbahet “Tubimi Qendror – I këndojmë Agimit”, ku do të marrin pjesë emra të njohur të estradës shqiptare.
Manifestimi “Ditët e Agimit” është shndërruar në një traditë të rëndësishme për Komunën e Gjilanit dhe për mbarë shqiptarët, duke përkujtuar me dinjitet figurën e Agim Ramadanit.
ObserverKult

Lexo edhe: