“Nisi në terrin e burgut”, ish-kryeministri i Kosovës flet për librin e tij të ri

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, promovoi së fundi librin ‘Enciklopedia imagjinare/Postroman’. Në atë që e konsideron si librin e tij të jetës, shkrihen dijet e tij si studiues, gazetar e albanolog, si dhe ka ndër të tjera personazhe e ngjarje historike. Ai tregon pse është tërhequr nga jeta politike dhe ndalet edhe tek raporti mes dy vendeve.

Studiuesi, gazetari, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumin solli në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë botimin e tij më të fundit “Enciklopedinë imagjinare/Postroman” të botuar nga “Toena”, derisa këtë libër e konsideron si librin e jetës.

“Nuk është një roman klasik. Forma që unë kam zgjedhur është një qasje enciklopedike ndaj jetës, ku ka gjithçka ti mendon si thelbësore që të përfshihet për lexuesin”, shprehet Kosumi.

Kjo vepër tregon autori është e tija sa Kozmosi i Zotit, ndërsa lexuesin prej zanafillës së rrëfimit, në zbulim të brendisë së librit, e vendos në rolin e Evës dhe Adamit.

“Enciklopedia fillon me këtë fjali ‘Ju jeni koha, unë jam udhëtari’! Kjo është esenca! Letërsia është për lexuesin, me të prekur lexuesin nuk i takon më autorit”, thotë autori.

Jo vetëm në jetën e tij si autor, ‘Enciklopedia’ vjen si një ogur i mirë për letërsinë vendase në kërkim të risive. 772 faqe nisin të shkruhen prej ’85-ës, kur Kosumi gjendej në burgun e Nishit dhe përfundon vitet e fundit.

“Ku ka ishull më të madh se sa i burgosur me muaj të tërë në nëntokë, krejt i vetëm në terr”, shton më tej.

Imazhi i shkëmbit ishullor që e ilustron librin, udhëheq drejt përmbajtjes. Simbolika e izolimit përcillet dukshëm, ndërsa ishullorët thotë ai mund të jenë edhe shqiptarë.

“Ishulli nuk është thjesht një vend, mund të jetë edhe një koncept. Për qindra vjet ne jetojmë të izoluar në atë lëvoren tonë, egoizmin tonë etj. Dhe, ajo qyteza është një ironi. Kryeqyteti mitik i Ishullit quhet Gumur, që do të thotë varrezë e lashtë ilire”, shpjegon Kosumi.

‘Enciklopedia’ e Kosumit vjen me ngjarje e personazhe kyçe nga e kaluara historike, por edhe e tashmja, me politikanë aktiv protagonistë, krahas Kosovës edhe të Shqipërisë. Këto ngjarje sjellin edhe një qasje të raportit mes dy vendeve deri në ditët e sotme.

“Ne mendojmë Kosovë-Shqipëri, por para shekullit të XX-të s’kanë menduar Kosovë-Shqipëri. Shqiptarët e kanë ndjerë veten njësoj. Mbas vitit 1912, copëtimi i trojeve shqiptare për 80 vjet ka lënë gjurmë shumica negative”, thotë ai.

Studimet janë angazhimi i tij i parë, teksa shpjegon tërheqjen nga jeta politike.

“Unë i takoj brezit të politikanëve që në një pjesë të madhe politikën e kanë pasur si ideal. Kjo që është sot është tamam politikë dhe unë s’jam i gatuar për këtë politikë. Dhe unë s’do të bëja kurrgjë në këtë politikën e sotme” shprehet Kosumi.

Zhvillimet politike për Shqipërinë e Kosovën përpiqet t’i shikojë me optimizëm ndonëse nuk mungojnë kritikat për politikbërjen e dy shteteve.

“Ajo që s’më pëlqen është fakti se kanë një diskurs politik të kundërshtimit me çdo kusht. Nuk i bën kjo mirë politikës. Nuk është diskursi politik sharje. Diskursi politik është kush të gjejë zgjidhje më të mirë për popullin”, thotë studiuesi.

Kosumi është autor i disa librave, përfshirë “Letra nga burgu” dhe “Lirikën e Fishtës”. /Report Tv

ObserverKult  


nëne esenin

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: TI QAJE ATË NATË…

Poezi nga Sergej Esenin


Ti qaje atë natë qetësie
Dhe nuk i fshihje dot lotët
Unë kisha dhimbje, sa ti se dije
Por nuk mund të të falja dot.

Tani ke ikur, unë në vetmi,
Ëndrrat, s’kanë shije, as nuk kanë bojë
I mbyllur vetëm në shtëpi
Askush s’më sheh, as flet me gojë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

—-

SERGEJ ESENIN: RRIMË E DASHUR, PRANË E PRANË

Rrimë, e dashur, pranë e pranë
Shoku-shokun ta vështrojmë,
Të dëgjoj me mall murlanë,
Te të shoh me sy të njomë.

Ky flori vjeshtak i dashur
Dhe ky flok ku derdhet mushti
Mrekullisht na qënkan shfaqur
Për shpëtimin e një pushti.

Herët fshatin kam braktisur,
Ku bleron luginë e bukur,
Në qytet lavdi e hidhur
Më vithisi, rroj i humbur.

Do të desha larg prej botës
Të kujtoj një kopsht me fletë,
Ku nën këngën e bretkocës
Dje poet u rrita vetë.

Dhe atje si sot-kjo vjeshtë…
Panjë e bli dritares rrinë
Dhe me duar lehtë-lehtë
I kërkojnë ata që s’vijnë.

ObserverKult