Sergej Esenin: Ti qaje atë natë…

sergej esenin

Poezi nga Sergej Esenin


Ti qaje atë natë qetësie
Dhe nuk i fshihje dot lotët
Unë kisha dhimbje, sa ti se dije
Por nuk mund të të falja dot.

Tani ke ikur, unë në vetmi,
Ëndrrat, s’kanë shije, as nuk kanë bojë
I mbyllur vetëm në shtëpi
Askush s’më sheh, as flet me gojë.

Kur bie mbrëmja, në mërzi
Vij tek ky vend, ah ç’mallëngjim.
E në çdo ëndërr më shfaqesh ti
Tek qan me lot, o shpirti im.

Përktheu: Servet Bytyqi

ObserverKult

———————————

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: RRIMË E DASHUR, PRANË E PRANË

Rrimë, e dashur, pranë e pranë
Shoku-shokun ta vështrojmë,
Të dëgjoj me mall murlanë,
Te të shoh me sy të njomë.

Ky flori vjeshtak i dashur
Dhe ky flok ku derdhet mushti
Mrekullisht na qënkan shfaqur
Për shpëtimin e një pushti.

Herët fshatin kam braktisur,
Ku bleron luginë e bukur,
Në qytet lavdi e hidhur
Më vithisi, rroj i humbur.

Do të desha larg prej botës
Të kujtoj një kopsht me fletë,
Ku nën këngën e bretkocës
Dje poet u rrita vetë.

Dhe atje si sot-kjo vjeshtë…
Panjë e bli dritares rrinë
Dhe me duar lehtë-lehtë
I kërkojnë ata që s’vijnë.

Shkuan larg në tjetër botë…
Në varreza hënë e mirë
Për ne kryqeve u thotë
Të na presin mysafirë.

Rrimë, e dashur, pranë e pranë
Shoku-shokun ta vështrojmë,
Të dëgjoj me mall murlanë
Te të shoh me sy të njomë.  

Përktheu: Dritëro Agolli