Të hënën në Bibliotekën Universitare në Prishtinë është mbajtur ceremonia hapëse e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Ceremonia filloi me performancën e sopranos, Besa Llugiqi.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, u shpreh mirënjohës ndaj pjesëmarrësve vendas dhe të huaj, si dhe ndaj atyre që, siç tha, punuan me përkushtim për realizimin e këtij seminari.
“Të nderuar miq, i nderuar nikoqir Bardh Rugova, e nderuar ministre Nagavci e ministër Çeku, të nderuar seminaristë, ne jemi tejet të gëzuar që keni vendosur të na bashkoheni, interesimi juaj për albanologjinë është testament i rritjes së përbashkët dhe ky seminar është i rëndësishëm jo vetëm për fakultetin”.
“Suksesi i seminarit mbështetet në vazhdimësi me idenë e bartjes së rezultateve shkencore studentëve e studiuesve që pasojnë. Përtej mbështetjes së domosdoshme materiale i shpreh mirënjohje institucionale të gjithë kolegëve për përkushtimin”, u shpreh Qerimi.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, tha se Seminari ka marrë përsipër rolin që të promovojë vlerat e gjuhë shqipe jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Ajo shtoi se për këtë shkak gjuha jonë vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë nga mban globi, për çka përgëzoi organizatorët që e mbajtën gjallë Seminarin për shumë vjet.
“Kjo ngjarje sot është rritur e zgjeruar duke u bërë një platformë për gjuhën jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Letërsia është shprehja e saj përmes fjalës së shkruar. Andaj edhe ky seminar ka përsipër rolin promotor të këtyre vlerave. Në ditët tona gjuhët dhe kulturat po ndërlidhen më ngushtë se asnjëherë më parë”.
“Sot kur seminari po hyn në dekadën e pestë të jetës, të gjithë e dimë rrugëtimin jo të lehtë të seminarit ndër vite prandaj më lejoni të shpreh përgëzim të veçantë për ata që e kanë vazhduar atëherë kur ishte më së vështiri nga represioni. Ndikimi i seminarit bëhet edhe më i qartë duke iu bashkuar jo vetëm ata nga trevat e banuara me shqiptarë. Gjuha jonë vazhdon të jetë me interes për studiues e gjuhëtarë nga mban globi. Ju uroj punime të mbarë dhe frytdhënëse”.
Nicolas Abbott, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, u shpreh se e vlerëson shumë Seminarin, duke folur për rëndësinë e shkëmbimit kulturor e gjuhësor.
Ai shtoi se bota është e bukur për shkak të diversitetit, për çka është e rëndësishme ruajtja e gjuhës autoktone, por edhe të respektohen vlerat e tjetrit.
Sipas tij, veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e të tjerëve kanë krijuar urë lidhëse midis kulturave, raporton EkonomiaOnline.
“Është nder dhe kënaqësi të jem sot këtu në hapjen e Seminarit të gjuhës shqipe. Javën e kaluar isha në Dokufest dhe mund të them se rëndësia e shkëmbimit të gjuhëve nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Megjithatë pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimin e gjuhës. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi. Letërsia shqipe me rrënjët e saja të thella ofron një dritare të gjerë”.
“Veprat e Ismail Kadaresë, Naim Frashërit e të tjerëve kanë krijuar urë lidhëse midis kulturave. Kur një gjuhë humbet një këndvështrim me botën humbet. Ne duhet të avokojmë për ruajtjen e gjuhës dhe urat ndërkombëtare që ajo ndërton. Bota jonë është e bukur për shkak të diversitetit të saj, ashtu siç e çmojmë trashëgiminë tonë gjuhësore ta ruajmë edhe atë të të tjerëve. Le të ruajmë jo një thesar gjuhësor, por edhe lidhjet që ajo ka krijuar”, tha Abbott.
Bardh Rugova, drejtor i Seminarit, foli për shqipen dhe rrezikun që i kanoset gjuhës në vazhdimësi.
“Secili fjalim i secilit drejtor të këtij seminari na përkujton shpërfilljen e kësaj shoqërie ndaj shqipes. Shqipja ka status të pafavorshëm në vendet ku është pakicë e departamentet e shqipes në botë po zvogëlohen e po shuhen e ne nuk po bëjmë gjë. Më lejoni të ju uroj mirëseardhjen, dyzet herë një drejtor ka dal për t’iu uruar mirëseardhjen”.
“Që Prishtina të jetë qendër u ka penguar shumëkujt dikur. E ja ku jemi drejtues e të suksesshëm. Mirëpo të gjithë ne që merremi me emergjenca shkojmë, por çka mbetet të dashur miq është kultura. Vetë shëmbëlltyra e tij mbetet”, u shpreh profesori Rugova.
Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të zgjasë deri më 25 gusht.
ObserverKult
Lexo edhe:
MË 14 GUSHT NIS SEMINARI NDËRKOMBËTAR PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE