Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë…

i dashur Shqipja në Maqedoni është vetëm gjuhë e përkthyer.

“Një ditë kjo ka për të kaluar dhe ne do t’i kthehemi poezisë” ishte një grafitë siriane që e pashë para dy javësh diku në postimet e feisbukut dhe që tërë ditën më bëri të ndjehesha si të kisha gëlltitur një humnerë. Ishte çasti kur një zë njeriu nga lufta artikulonte dëshirën për poezi, e poezia në atë fjali shumëfishohej në një grumbull kuptimesh që kishin të bënin me njerëzoren, me ndjenjën, me nevojën për t’iu kthyer jetës, për t’iu kthyer gjërave aty ku i kishin lënë.

Nga Vjollcë Berisha

Përtej dobësisë njerëzore për tjetrin që vuan, përtypa në mendje plotninë e fjalës Poezi. A ishin poezi vetëm ato krijime letrare të shkruara në vargje? S’do mend që jo. Një grafitë e thjeshtë, shkruar në kohën kur njeriut i mungon gjithçka dhe e kërcënon pothuajse gjithçka, ishte zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhej poezisë, atij krijimi të epërm ku përthyhen të gjitha ndjenjat, ku poeti është bashkarkitekti i gjësë që shpreh, se tjetri arkitekt është lexuesi, i cili s’dihet se sa është në numër dhe çfarë në të vërtetë i shton asaj. “Dhe ne do t’i kthehemi poezisë” thotë artisti gjenial i atij shkrimi në mur, që ne e lexojmë: do t’i kthehemi asaj që kishim të shtrenjtë, jetës sonë normale me poezi brenda, ëndërrimit tonë, honeve të fshehta të vetes sonë, dashurive tona, udhës për në koncertin me harqe, vizores së thyer në fund të çantës… Ai premton poezinë, si shpresën e epërme, si blatimin më të lartë ndaj vuajtjes së njerëzimit.
E ndesha një ditë të rëndomtë këtë fjali që ma shndërroi në një muranë ditën e bardhë, të cilën ma mbanin në këmbë plot xhingla-mingla të rutinës. Ishte njësoj si të thyente një gotë dikush kur qeshë përhumbur në një këngë të qetë a në një roman të thellë. Mu ashtu më zgjoi dhe mendova për jetët e njerëzve që kishin dalë nga binarët dhe që ende diku shpresonin t’i ktheheshin poezisë për të ‘ngirë ujën’ elementare të qytetërimit.
Vetëm pas disa ditësh u detyruam të dilnim nga rutina e jetës sonë edhe vetë. E ndjeva mirë se ç’do të thoshte të dëshiroje t’u ktheheshe gjërave të tua të zakonshme, itinerareve të vogla të përditshmërisë, ndaj të cilave jorrallë kemi vjellë vrer përtacie e lodhjeje të gjithë.
Sakaq ia behën miliona ankime, shprehje bezdie nga qëndrimi mbyllur në shtëpi, deklarata trimërie se po ia dilnin të rrinin në shtëpitë e veta, pamje triumfuese nga lojëra e aktivitete familjare si të ishin gjërat më të pazakonshme që na kishin ndodhur. Po ku paskemi ndenjur ne më parë?! Pse u dashka gjithë ajo trimëri për të qëndruar brenda?! Përse gjithë ajo shprehje mërzie?! Fundja, nuk na ka internuar kush. Jemi nën kulmin tonë. Përnatë i veshim pizhamet tona, mbajmë në dorë filxhanin e preferuar të kafesë, dëgjojmë këngët që duam, u japim mundësi grumbullit të librave që s’kemi pasur kohë t’i lexojmë, vëmë rregull në sirtarët e kuzhinës, në podrumin e shtëpisë apo në mendimet tona, hapim arkivet personalë të tryezës së punës, gajasemi me banalitete të vogla të së djeshmes, me fotografitë e vegjëlisë, qëndrojmë pranë njerëzve të familjes, hera-herës zihemi, flasim me zë të lartë, pastaj qeshim… Është ajo që kemi bërë përditë në ditët tona në shtëpi, e ne të gjithë jemi kthyer përditë në shtëpi pranë familjeve. Po ç’ka më të bukur se një familje?! Aq e ngjashme dhe aq e ndryshme secila nga tjetra! Do të doja t’i kundroja tinëz si vepër arti të gjitha, me shend e kërshëri.
Ajo që në të vërtetë na rëndon është frika nga e panjohura, është bllokimi i jetës normale jashtë pragut të derës, mbyllja e shkollave, lëvizja e kufizuar, mbidozimi me rrjete sociale, malli për ta shtrënguar dorën e një miku dhe një listë gjërash të vogla, por tejet njerëzore.
Jemi në shtëpi e shtëpia është po ajo që ishte edhe më parë. S’ka pse ndjehemi si në gjemba. Është një fundjavë e (tej)zgjatur që ndoshta e kemi ëndërruar me vite, por ne duam që kjo të mbarojë sa më parë dhe t’i kthehemi poezisë, asaj të vërtetës, asaj që i jep shije jetës…
Ne jemi në shtëpi pranë telefonit, televizorit, frigoriferit, gjërave tona, bibliotekës, pranë buzëqeshjes së atyre që duam… por ne na merr malli për të vajtur në teatër, për të pirë një birrë të ftohtë në banakun e një kafeneje, për të vajtur te parukierja, për të vallëzuar në ditëlindjen e nipit, për të blerë gazetën nga shitësi esmer i rrugës, për të vajtur në stadium e për të thirrur deri sa të na ngjiret zëri, për të mbledhur qershigla në mal, për t’u përshëndetur pa frikë me gruan që pastron shkallën e për t’i ndërruar dy-tri llafe mbi njerëzit e papërgjegjshëm që hedhin bishta cigaresh në tokë, për të kënduar në korin amator të qytetit, për të bërë palestër… e shumë gjëra të tjera që ndodhte t’i zhvlerësonim e të na lodhnin jo rrallë.

Sot është dita e poezisë dhe unë ndjej mungesën për të qenë pjesë e një ore letrare në cilëndo shkollë apo pjesë e cilitdo emision letërsie që (përse ta fsheh?) ka ndodhur ta kem përjetuar si barrë ndonjëherë. Sot është dita e poezisë dhe e shumta që mund të bëj është të lexoj pa fund vjersha për ta mbushur honin që ma gërryen e panjohura përditë. Gjej një grumbull poezish në rrjetet sociale dhe uroj të ketë vërtet aq shumë dashamirë arti suprem, ose përnjëmend të jetë aq shumë në numër ajo elitë e zgjedhur njerëzish që kanë nevojë për të.
Kjo ka për të kaluar, pranvera të tjera do të vijnë. “Se pas dimrit vjen një verë” thoshte Noli ynë dhe e besoj nga zemra këtë. Do t’i kthehemi espresos, pritjes në semafor, bisedave për politikën, rendjes për gjithkund dhe gjithë atyre gjërave që janë përcjellës të pashqitshëm të stresit të ditës sonë.

Po a do të jemi të njëjtët?

Mendoj se jo. Frika dhe kufizimet do të na e kenë dhënë një ngjyrë tjetër, ose do të na kenë bërë të tejdukshëm. Do të mund të shohim te njëri-tjetri rikujtimin se planet që i bëjmë përditë dhe vrapi i pafre për gjithkund, duke e dëgjuar rrallë e më rrallë trokitjen e zemrës, mund të kërcënohet, ndalohet e rrënohet edhe nga diçka krejtësisht e vogël që mund edhe të mos shihet me sy. Po më kryesorja, ne do të jemi në gjendje ta bëjmë listën e njerëzve pa të cilët nuk mundemi.

Gëzuar ditën e poezisë! Një ditë domosdo do t’i kthehemi përnjëmend asaj./ ObserverKult