Një dorëshkrim i panjohur i Esad Mekulit për romanin e Rexhep Qosjes  “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

esad mekuli Shushuritja e leht’ e t’panjohtunit më treti fare dhe agime t’kaltërta andrrova… E nëpër kunorë lakmish për ‘limtare- si lulja q’i jep qiellit lulzimin, rinin ja dhurova. Shkëlqyen yjet e qiellit si syt e tijë të thellë dhe të ndritshëm dhe u shafit nën te e kërthnezta fuqi… -Sonte shushuritja e leht’e t’panjohtunit më treti fare dhe agimet e kaltërta andrrova.
Esad Mekuli

Nga Begzad Baliu

Ashtu sikur shihet edhe prej tekstit të Esad Mekulit, në versionin e parë të veprës autori e kishte pseudonimin Luan Dukagjini, ndërsa titulli i romanit “Vdekja më vjen prej syve tu” (Në dorëshkrimin që kemi ne, vepra ka nëntitullin “roman në trembëdhjetë tregime”.)

Luan Dukagjini, ishte pseudonim i Rexhep Qosjes në dorëshkrimin e tregimeve të botuara në revistën “Jeta e re” për të cilin dinte vetëm kryeredaktori Esad Mekuli.

Titulli i romanit: “Vdekja më vjen prej syve të tu”. Nëntitulli: – roman në trembëdhjetë tregime, përmirësuar me laps grafit (11) mes kllapave të mesme (me një pikëpyetje).

Me gjasë fjala është për mënjanimin e tregimeve “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të cilat Esad Mekuli i propozonte të mos përfshihen në vëllim ose tregimet “Mëkati” dhe “Laneti”, të cilat janë vendosur në përmbajtje por mungon teksti i tyre.

Të gjitha shënimet me laps grafit, sipas dëshmisë gojore të Profesor Qosjes janë të Esad Mekulit, të cilit i është dorëzuar (besuar) dorëshkrimi për botim në revistën “Jeta e re”.

Brenda e dorëshkrimit vepra “Vdekja më vjen prej syve tu”, tregimet fillojnë, secili me numrin një dhe përfundojnë me faqen e fundit të tregimit: Legjenda (f. 1-11); Trashja, (f. 1-18); Trilogjia (f. 1-12); Trekëndëshi (f. 1-20). Tregimet Mëkata dhe Laneti, (në përmbajtje janë shënuar, por teksti në brendi të dorëshkrimit mungon); Deklarata (f. 1-26); Vetmia (f. 1-35); Kryevepra (f. 1-45), Metamorfoza (f. 1-33); Vetëvrasja (f. 1-26); Romana (f. 1-32); Horostati (f. 1- 28). Tregimi Laneti mungon në përmbajtje dhe në brendi. (Nga vepra në proces)

(Botohet për herë të parë)

Ky roman, “Vdekja më vjen prej syve tu” – siç e titullon autori, Luan Dukagjini i ndarë në ca “tregime” si kapituj të tij, është vepër me brum alegoriko-satirik marr, të shumtën, nga realiteti ynë bashkëkohor.

Është një punim synimesh eksperimentative që sjellë dhe zbaton forma të reja në të shtruarit e lëndës të ngjashme me ato në prozën e Perëndimit ku, përkundër të kësaj këtu, në rastet e shumta forma mbizotëron çdo kërkesë tjetër dhe bëhet qëllim i vetvetes.

Është vepër më shumë meditativo-cerebrale se ndjenjore (megjithëse kapitujt “Trashja” dhe, sidomos, “Romana” dëshmojnë për mundësi jo të vogla të autorit për njomësimin letrarë të punimeve të veta) pra, na duket, në të parë, edhe më pak letrare në krahasim me shkrime të zakonshme me të cilat jemi mësuar të takohemi jo vetëm në prozën tanë.

Romani, kështu, ka peshën e vet edhe si prozë vërtet e angazhuar bashkëkohore, edhe si kërkim i rrugëve të reja të trajtimit të materies jetësore të këtij ambienti – çka është absolutisht pozitive.

Pasi autori punimin e vet na e ofron si një tërësi romaneske (roman në … tregime), të gërshetuar rreth një personazhi unik e jo si përmbledhje tregimesh, pra ngjarjesh dhe vehtesh të ndryshme pa lidhje organike më të afërt mes tyre, mendoj se duhen eliminuar ato kapituj (“tregime”) që nuk kanë të bëjnë me tërësinë e trajtuar e të këtilla janë: “Metamorfoza” dhe “Trilogjia”, të thurura pa lidhje direkte me protagonistin e veprës; është një gjë fare tjetër nëse auto rigjenë formë t’i adaptoi tërësisë.

Edhe kapitulli i fundit, “Herostriti”, është një pjesë, këtu, tepër e zgjatur që, si e tillë, nuk e mbyll librin aty ku duhet – me ngritjen e monumentit posmortal protagonistit, por trajton edhe çështjet që, këtu, nuk kanë të bajnë me koncipimin e librit. Pra, duhet ndërruar edhe titulli i kapitullit në “Endërra” pse, Xhezairi, i ndjekur dhe i përndjekur në atë rreth, vetëm kështu, në ëndërr do të mund ta siguronte nderimin e merituar edhe nga burokracia artistiko-shkencore.

E mira e së mirës do të ishte sikur i tërë romani do të tregonte në vehten e parë, por… megjithatë, kapitulli “Kryevepra” mund të ndërrohet në kësi lloj të treguarit, -çka do t’i ndihmonte veprës dhe zbulonte mundësinë edhe një të paraqituri të lëndës për të cilën autori veç ka dijtë, por për arsye laramanie nuk e ka përdorë me dashje. “Kryevepra”, përndryshe, dhe jo vetëm ajo, kërkon një kondenzim shumë më rigoroz – pse autori, shpesh, zgjatet pa nevoj në gjëra epizodike, detajizime dhe “filozofime” të tepruara, çka e bënë prozën e tij më pak letrare e më shumë eseistike.

Elementi i posaçëm, “modern”, është – përdorimi jo i zakonshëm i fjalëve dhe fjalive skarade, banale, “rrugaçe”; do aludimeve që i afrohen pornografisë.

Ardhë, prap, nëpërmes prozës “avangardiste” të Perëndimit dhe shundit, gjërave psikopatologjike (me qëllim të caktuar mohimi të peshës së fjalës së shkruar dhe ndikimit të saj më të gjërë ideo-politik dhe edukativ), kjo “modë” e pakuptimtë në kushtet tona, vetëm sa i bënë dam veprës e nuk ka të bëj me asnjë letërsi të mirëfilltë.

Jam apsolutisht kundër banalizimit e për ruajtjen e dinjitetit të fjalës së shkruar. Së këndejmi mendoj se patjetër, duhet spastruar edhe ky tekst serioz letrar nga gjëra që vetëm e zhvlerësojnë – çka duhet bë edhe në të gjitha botohen ndër ne! – pse kështu kërkon shoqëria jonë e shëndoshë dhe synimet pozitive për nderimin e njeriut dhe vlerave të tij.

Poashtu duhen ndreq edhe gjitha ato lëshime daktilografike e tjera – të përmirësuara me laps.

I marrun edhe njëherë nëpër duar, pa ngutje e me përkushtim edhe më të madh (pse – kush ngutet për…!), romani bëhet ajo që me dëshirë pritet – kontribut i vërtet dhe vlerë e pamohueshme e letërsisë sonë të re.

Prishtinë, 4. XII. 1973

rexhep qosja filmat

ObserverKult


Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: HERONJTË E LUFTËS DHE HERONJTË E MENDJES