Nga Muhib Kozhani
“Asnjë shkrimtar nuk mund të jetë artist çdo ditë. Krijimet e mirëfillta, të pavdekshme, që dalin nga dora e gjenive, seliten vetëm në disa minuta të pakta dhe të rralla frymëzimi”, thotë Stefan Cvajg.
Jo vetëm dy historitë qendrore të dy nënave nga Gjakova, por edhe storiet e tjera që e ka thurrur Ag Apolloni në dokuromanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, të mbajnë pezull që nga fillimi e deri në përfundim të leximit, ndërkohë që lidhjen mes tyre ta lejon ta bësh edhe vet, siç do ti.
Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse nis me një lehtësi emocionale, duke na futur drejt një dendësie, dhe nga fillimi e deri në fund, përveç stories kur përshkruhen fotografitë, ku kemi një storie lumturie, si një lloj oaze në shkretëtirë, kemi temën e dhembjes. Të dhembjen që na dhemb edhe sot. Ky libër të gjitha fjalitë i ka të renditura në mënyrë unike e drejt temës themelore.
Gjithashtu në këtë roman kemi një lidhje të fortë logjike ndërmjet fjalive, ndërmjet ngjarjeve, pavarësisht se kemi ikje e kthim në kohë. Megjithatë, historia e romanit prapë është e qartë çdo çast për lexuesit.
Në këtë roman të Ag Apollonit secila fjali e ka rëndësinë e vet, dhe jep emocionin që edhe vetë autori e ka marrë; historitë këtu, duke qenë se janë të vërteta, dhe kemi të bëjmë me një roman dokumentar, na bëjnë që t’i kushtojmë rëndësi çdo fjale e fjalie, sikurse dokumenteve në arkiva. Dhe nuk lihet hapësirë për futjen e mendimeve personale, por vetëm atyre të bazuara në burimet relevante që jep romani. Në këtë mënyrë ne si lexues i prekim faktet më veçantë se në çdo tip tjetër të romanit. Ndërkaq mjeshtëria e shkrimtarit Ag Apolloni na bën ta preferojmë këtë tip romani më shumë sesa tipat e tjerë.
Kur ulem ta lexojmë Ag Apollonin, vërtet ndihemi në siklet, dhe përgatitemi emocionalisht për t’u ballafaquar me realitetin që ai e paraqet në shkrimet e tij. Gjithmonë në shkrimet e tij gjejmë dhembjen dhe plagët që ende kullojnë dhembjen. Derisa te “Ulurima e ujkut” na i rikujton plagët e luftës, sidomos me pjesën “Lotët e lunatikut”, dhe në veprën “Zazen” na i shpreh pasojat pas luftës, kur sundon i pashkolli dhe çohet drejt vdekjes ai që përfundon studimet shkëlqyeshëm, këtë herë, me romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Ag Apolloni vërtet zë vendin si autori që më së shumtë është marrë me dhembjen që ka prodhuar lufta e fundit në Kosovë. Ndoshta se dhembjen personale, të vrasjes së axhës së tij e ka ende të gjallë, dhe nuk e lë të mos merret me temën e luftës së fundit dhe dhembjes që ka prodhuar ajo.
Të lexosh veprat e këtij autori do të thotë të kesh në duart e tua realitetin e vendit ku jeton. Si të realitetit të dikurshëm, ashtu edhe të këtij që e kemi sot. Ky autor nuk është shkrimtar që shkruan për poena politikë, por është shkrimtar që shkruan për poena artistikë e letrarë.
Gjatë këtyre ditëve në duart e mia kisha jo librin, por tragjedinë e Kosovës. Edhe pse kam lindur pas luftës, kjo tragjedi më bëri përjetues të saj. Dikur, me rekomandimin e një profesori të letërsisë, kam lexuar për një muze pafajësie në Stamboll. Tani, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e shoh si një muze fajësie në Kosovë. Një muze që na i tregon fajtorët, me emër konkret, kriminelët serbë, po edhe shqiptarët që patën mundësi të bënin diçka për t’i gjetur të zhdukurin mirëpo nuk bënë asgjë. Një muze që, sa herë ta harrojmë tragjedinë tonë, na drejton të shkojmë drejt Gjakovës, te një muze tjetër. T’i njohim ata që kanë humbur për të mos humbur. “…Zoti nuk do të na humbë!”, kishte pas thënë Halimi, burri i nënë Ferdonijes. “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një navigacion që na çon drejt Gjakovës, në Shtëpinë Muze të Familjes Qerkezi, që ta njohim Halimin, Artanin, Armendin, Ardianin, Edmondin, pastaj te nëna Pashkë, që iu dogj shpirti për Milanin e Gjovalinin, për të mos i lënë të humbur. Të paktën në kujtimet tona për ta.
Libri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit përshkruan tragjedinë më të madhe të vendit tonë. Ajo nuk është zhdukja apo vrasja e njerëzve në Kosovë, por është pakujdesia e jetesa në këtë vend, ku hajnia është zotësi, krimi trimëri, dhe ku çdo punë e ndyrë shihet si e virtytshme. Përderisa kemi nëna që jetojnë dhe shohin ëndrra, dhe presin një të ardhme, kemi edhe ato nëna që jetojnë me të kaluarën e tyre tragjike dhe që nuk kanë të ardhme. Kemi nënë që e shtron sofrën për gjashtë persona, dhe ha e vetme.
Ky roman po ashtu na tregon se kishim nënë, fjalët e të cilës, pasi e dërgojnë te mjeku për shkak të dhimbjeve të mëdha që kishte kur mori lajmin për bijtë e saj të zhdukur, pra të vrarë, ngaqë nuk do t’i harrojë kurrë, thërriste: “Oh, mos m’jepni inekci! Mos ma hiqni dhimbten, se asht dhimbta e djemve t’mij!”. Kjo nënë, duke mos mundur ta durojë indiferencën, e dogji veten me kantën e kuqe të benzinës, dhe me një fije shkrepëse e shoi shpresën e ushqyer prej vitesh se do t’i ktheheshin gjallë bijtë.
Si protestë, po ashtu, mirëpo në formë tjetër, vepron edhe nënë Ferdonija, e cila përkundër indiferencës, ka vendosur të jetojë, me fijen e shpresës, se burrit dhe dy djemtë e saj mund të kthehen. E nëse jo, të mos harrohen. Të paktën në kujtimet që rrinë varur në muzeun e fajësisë.
Çdo gjë e tyre qëndron në vendin njëjtë. Aty ku i lanë. Ku kanë lëvizur e ku kanë ecur. Rrobat e shqyera e të varura në dhomën e djalit të vogël janë po aty, tash e 20 vjet. Të na i kujtojnë ata. Dera e të cilit muze rri e hapur çdo ditë. Ndërsa dita, gjithmonë është e shtunë, pavarësisht se në cilën ditë e vizitojmë. Sepse jeta e nënë Ferdonijes ka ndaluar në atë ditë të shtunë, të zezë, dhe nuk ka lëvizur që nga aty. Si nënë Ferdonija. Të cilën tashmë na e kujton ta vizitojmë edhe romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Siç bëri autori i saj./ ObserverKult