Fjalët bartin kujtime, histori, frymëzim, por edhe përgjegjësi, luftë e shkatërrim. Në gjuhë nuk ekzistojnë dy fjalë me kuptim saktësisht të njëjtë, prandaj edhe përkthimi është një rrugëtim sfidues ngaqë nuk është shkencë ekzakte dhe nuk mund të gjykohet si i tillë.
Nga Vlora Konushevci
Përkthyesit pra nuk mund ta shqyrtojnë tekstin si artefakt, por si mjet komunikimi, dhe jo vetëm gjuhësor por edhe kontekstual dhe kulturor. Kjo përfshinë analizë të tekstit dhe të kontekstit që kontribuon në kuptim më të drejtë. Apo siç do të shprehej Edward Sapir, antropolog e linguist amerikan, ndër më të njohurit për zhvillimin e hershëm të disiplinës së linguistikës: “Nuk ekzistojnë dy gjuhë mjaftueshëm të ngjashme që e përfaqësojnë të njëjtin realitet shoqëror”.
Detyra e përkthyesit pra është që ta përcjellë të njëjtën frymë, emocion dhe të njëjtin bollëk figurativ, në mënyrë që lexuesi pastaj të arrijë në interpretimin e tij. Në këtë kontekst përkthyesit e teksteve letrare duhet të jenë edhe interpretues artistik, krijues madje kur arrijnë që veç përkthimit të kuptimit të ofrojnë edhe tonin e gjuhës, ndjesinë, ngarkesat emocionale dhe veçoritë stilistike.
Historia e përkthimit
Praktika e përkthimit daton qysh në fillet e historisë së njerëzimit të shekullit të parë p.e.s kur ishte përdorur si mjet nga Cicero dhe Horaci ndërkaq më vonë Shën Jeronimi përkthyesi i Biblës. Megjithatë përkthimi si disiplinë akademike nuk është themeluar deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur James S. Holmes publikoi punimin e tij në zhvillimin e fushës së përkthimit si një disiplinë e veçantë me emrin “The name and nature of translation studies” (Emri dhe natyra e studimeve të përkthimit) (1972/1988), duke ofruar në këtë formë bazën për themelimin e përkthimit si disiplinë akademike.
Deri atëherë, përkthimi në qarqet akademike është parë si aktivitet për mësimin e gjuhëve të reja. Fjala “shkencë” në kuptim të përkthimit u përdorë për herë të parë nga linguisti Eugene A. Nida në titullin e librit të tij “Towards a sience of translating” (Drejt një shkencë të përkthimit) (1964), veç kësaj Nida me zhvillimin e teorisë së ekuivalencës dinamike, në përkthimin e Bibles, njihet po ashtu si një nga themeluesit modern të disiplinës së studimeve të përkthimit. Sidoqoftë, publikimi i Holmes siç e përshkruan edhe Edwin Gentzler, Profesor Emeritus dhe ish drejtor i qendrës së përkthimit në Universitetin e Massachusetts, në librin e tij “Contemporary Translation Theories” (Teoritë bashkëkohore të përkthimit-1993), njihet si “deklaratë themeluese përgjithësisht e pranuar për këtë fushë”. Prandaj, Holmes njihet dhe vlerësohet si studiuesi i parë që i dha emër kësaj fushe disiplinore e cila më vonë u bë një disiplinë akademike.
Përkthimi letrar
Teoritë e përkthimit janë të shumta njëlloj sikurse edhe metodat dhe llojet e tij. Sidoqoftë, dihet botërisht që përkthimi letrar konsiderohet forma më e lartë e përkthimit ngaqë përfshinë shumë më shumë sesa përcjelljen e kuptimit dhe kontekstit të tekstit letrar nga gjuha burimore në gjuhën e synuar. Ky proces përfshin edhe përkthimin e nuancave të përshtatshme kulturore, humorin, ndjesisë dhe elemente të tjera delikate përveç elementeve stilistike.
Prandaj, përkthyesit e letërsisë kanë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme para vetes. Ata, jo vetëm që i zhdukin kufijtë kulturor por edhe bartin kultura të ndryshme rreth e rrotull botës duke hapur për lexuesin dritaren më të rëndësishme atë të njoftimit me botën.
Përkufizimet për përkthimin letrar janë të shumta sikurse edhe sfidat, ndër to besnikëria ndaj origjinalit është sfidë që edhe sot diskutohet. Besnikëria vs Tradhtia, megjithëse sot nuk është ndarja kaq e ngurtë dhe metodologjia e përkthimit “sense for sense” (kuptim për kuptim) e ka relaksuar dhe përmirësuar cilësinë. Kjo ka bërë që një përkthyes i mirë të jetë i padukshëm, të mos vërehet përkthimi, natyrisht me kusht që përkthyesi përveç aftësisë gjuhësore të ketë edhe aftësinë e shkrimit krijues. Prandaj përkthyesit letrarë njihen si heronjtë e heshtur të botës sonë.
Kujtoj që David Bellos, Profesor i Letërsisë Krahasimtare në Universitetin e Princetonit në SHBA, përkthyes i shpërblyer me çmimin letrar ndërkombëtar “Man Booker International Prize” për përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë në gjuhën angleze e ka përkufizuar më së bukuri procesin e përkthimit letrar:
“Një nga të vërtetat më të vështira dhe më të mrekullueshme në lidhje me përkthimin është kjo: edhe fjalitë më të thjeshta nuk e kanë vetëm një përkthim. Nuk ka sinonime të përsosura, veçanërisht jo në të gjitha gjuhët. Kjo vlen posaçërisht për përkthimin letrar, ku qëllimi i përkthimit nuk është thjesht komunikimi i përmbajtjes së një mesazhi të caktuar kur dihet mirë që përkthimi nuk mund të gjykohet si një test matematikor. Disa “kritere” mund të përmbushen – skema e rimës mund të mbetet e paprekur, metaforat të jenë të kënaqshme, një sasi e mjaftueshme e aliteracionit mund të ruhet, përpjekje për ruajtje të stilit origjinal të autorit mund të bëhet dhe kuptimi të ruhet, çfarëdo qoftë – por kur vjen puna tek procesi, përkthim letrar është një vepër arti, si origjinali, andaj edhe duhet të vlerësohet si i tillë”.
Përkthimi i mbështetur institucionalisht
Në Kosovë është bërë fare pak për avancimin e kësaj fushe. Mund të thuhet lirisht që edhe ato pak përkthime cilësore që janë bërë janë rezultat i vullnetit dhe punës individuale të përkthyesve, porse jo i kujdesit institucional. Stimulimet financiare janë të pakta andaj kam drojë se arti i përkthimit letrar nëse vazhdohet me këtë ritëm do të pësoj regres. Shtetet në rajon kanë themeluar Fondin e Përkthimit Letrar në përpjekje të ruajtjes dhe stimulimit të kësaj zeje sa të bukur aq edhe të nevojshme. Ndaj, është koha e fundit që Ministria e Kulturës të reflektoj mbi këtë fushë dhe ta themeloj edhe në Kosovë Fondin e Përkthimit Letrar si një domosdoshmëri për afirmimin e vlerave krijuese, por edhe për tejkalimin e barrierave gjuhësore në raport me krijimtarinë.
Me këtë Fond, lexuesit kosovarë do të mund t’i lexojnë veprat të rëndësishme artistike të letërsisë evropiane dhe asaj botërore në gjuhën shqipe. Shqipëria e ka një fond të tillë që nga viti 2016. Krijimi i një Fondi të tillë në Kosovë do të krijojë mundësi ideale për rritjen e cilësisë së përkthimeve, por edhe sjelljes së titujve nga letërsia bashkëkohore botërore për lexuesit tanë.
ObserverKult