“Një grusht i befasishëm më hodhi sërish përtokë- nga goja më doli gjak, më ishin thyer dy dhëmbët e parë”…

Foto ilustrim

Torturoheshin prej burrave të diktaturës. Rriheshin mizorisht. Mbi to abuzohej duke u ekzekutuar pa gjyq. S’kanë qenë as vjedhëse, as kriminele – janë 90 gra të zhdukura pa gjyq gjatë regjimit të diktaturës; Në nxjerrjen e “bilancit” të këtyre dënimeve rezultojnë me qindra ekzekutime, me mijëra vjet burgime dhe akoma më tepër internime.

Nga Violeta Murati

U desh vetëm një sekondë që torturuesi të ngrinte çizmen e tij me hekura e t’ia plaste në fytyrë, t’i futej me grushte, e ta rrëzonte përtokë, e të ishte gati ta bënte çika-çika sepse Marie Medicina ka dashur të rrëzojë pushtetin komunist. Ka filluar rrëfimi.

Në kampin e famshëm të Tepelenës, ku ishte internuar, Sute Basha për të qepur çorapet e fëmijës përdorte fijet e flokut në vend të perit sepse nuk i jepnin para… “Na jepnin vetëm një sapun në muaj për gjithë familjen”….Ishte kjo jeta e grave të internuara në regjimin komunist që kaloi Shqipëria që nga viti 1945 deri më 1990, vit kur erdhi liria. Shifrat duken ekzagjeruese kur thuhet se nga këta kanë mbetur gjallë 2 mijë persona të përndjekur nga diktatura, duke u parë si specie në zhdukje, të cilët ende nuk janë rehabilituar.

Në këtë zinxhir të padukshëm gratë kishin peshën e vuajtjeve, çdo burrë që ishte në burg kishte një grua që vuante. Ndërsa shumë të tjera ishin personalitete, gra që luftuan diktaturën dhe u ekzekutuan në heshtje.

“Asnjeri nuk është i interesuar të vërtetojë majat e ajsbergut komunist, siç ishin gjyqet speciale. Këtu ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre as historianët dhe as akademikët”, thotë Adrian Kati, drejtues i Qendrës së Traumës dhe Rehabilitimit (QSHRT ) në Tiranë. Lista emërore e grave të ekzekutuara tashmë është lëshuar. Krejt në të kundërt shifrat arkivore janë zhdukur. Janë 90 gra të ekzekutuara, ku jo të gjitha kaluan përmes gjyqit. Por, në Ministrinë e Brendshme, në sektorin e Arkivit Shtetëror të sistemit nuk ka dokumentacion. Nga kërkesa e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, verifikimi i listës emërore të 90 grave të pushkatuar me ose pa gjyq nga regjimi komunist, rezultonin vetëm tre gra të ekzekutuara me gjyq.

Ndërsa në vitin 2004, për herë të parë, QSHRT mori përsipër detyrën e verifikimit të të dhënave, të cilat i përmbante statusi dhe saktësimin për sa i përket numrit real të të përndjekurve. Nga të dhënat e përpunuara deri tani rezulton një total prej 9778 grash të përndjekura gjatë regjimit komunist, prej ku 90 gra janë të ekzekutuara dhe gjashtë të vdekura në burg. Ky studim është bërë në dy periudha të ndryshme kohore (periudhë dhjetëvjeçare), të cilët japin të dhëna mbi situatën sociale, ekonomike, fizike, dhe mendore të grave të persekutuara dhe të përndjekura politikisht gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

****
Deri tani nuk ka ndonjë studim metodologjikisht i pranueshëm dhe i besueshëm, që të merret edhe në mënyrë shkencore me çështje që kanë të bëjnë me persekutimin e grave gjatë regjimit komunist. Qartësimi i parë vjen në botimin “Gra të përndjekura politikisht”, ku janë përmbledhur dy studimet mbi gratë e përndjekura, ku thuhet se familje të tëra janë ekzekutuar dhe mijëra të tjera janë burgosur dhe dërguar në kampe të ndryshme internimi. Shtypja e vazhdueshme duket të ketë përforcuar zhvillimin e “identiteteve të dyfishta”, ku shqiptarët jetonin jashtë jetëve të tyre “reale”, moralit dhe normave me familjet e tyre ndërkohë që jashtë familjeve të tyre ata jetonin sipas ideologjisë komuniste.

Cila ishte tortura psikologjike? “Ata organizonin skena të atilla, ku unë të krijoja bindjen se është arrestuar nëna, se është arrestuar motra ime, se ata kishin folur etj.

Ata krijonin dhe duhet të kenë qenë incizime, në të cilat unë dëgjoja sesi nëna ime bërtiste, në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, lemeritëse.

Dhe ka mundësi të kenë qenë incizime, për arsye se kur kam dalë nga burgu, kam marrë vesh që nëna ime, kur ka ardhur nga vend-internimi i saj në Progonat, për të më ndjekur mua, ka kaluar disa momente jashtëzakonisht të rënda, të gjendjes shëndetësore dhe ka mundësi të ketë qenë zëri i saj se unë dëgjoja zërin e saj. Kur e pyesnin çfarë ke, çfarë do, unë dëgjoja zërin e nënës sime dhe mua më thoshin që është në birucë. Dhe zëri më vinte nga biruca…”, ka sjellë rrëfimin e saj, duke i ruajtur anonimatin, zonja B.B, rrëfim që u publikua për herë të parë.

Pikërisht këto ishin ato vuajtjet, që ajo ka rrëfyer tani në demokraci, duke kujtuar se tmerri i saj nuk ishte se do të pushkatohej vetë, por se dënimi i saj mund të bëhej shkak për të afërmit, dhe miqtë. Zonja B.B ka kaluar në burgjet e Spaçit, në Laç, Elbasan, Bënçë, dhe Burrel.

Një tjetër, Bukurie Kaloshi tregon se “na çuan në internim për të punuar në Tërbuf e Lushnjë. Rininë time atje e kalova, duke hapur kanale. Më kanë torturuar policët dhe aty më mbajtën tre vjet dhe prej aty më çuan në Karavasta…”

Maria Medicina që bën përshkrim të hollësishëm të torturës, rrëfen se ka qenë gjithnjë e survejuar, duke e bërë punë të detyrueshme…”më thoshin “po të kishte qenë me ne, nuk do të kishe përfunduar kështu”. Me zor arrija të shkoja tek njerëzit e mi, pasi kudo isha e survejuar nga Sigurimi i Shtetit e kudo nuk më linin të bëja asnjë hap në liri”.

Këto na vijnë si raste të pakta, të mbetura, që denoncojnë. Format e persekutimit dhe torturës që janë ushtruar mbi gratë shqiptare kanë një klasifikim mjaft unik:

“Ti je armikja e popullit. Ty do ta marrim shpirtin! Dy shuplaka të forta, si dy copa metali, më ranë në fytyrë, ndërsa një shkelm në bark më rrëzoi përdhe. Kisha dhimbje të forta, por sedra nuk më la të tregohesha e dobët përpara tyre…një grusht i befasishëm më hodhi sërish përtokë. Nga goja më doli gjak. Më ishin thyer dy dhëmbët e parë…ishte dita e parë e arrestimit….”, është një nga incizimet anonime që ruan Qendra e Traumës dhe rehabilitimit.

Qëllimi i persekutorëve: përulja, kontrolli i dinjitetit dhe mendjes njerëzore, zhvlerësimi e poshtërimi i gruas e konsideruar si një qenie inferiore e pa dinjitet.

Pengesat që iu vunë për shumë vite me radhë grave me biografi “të keqe”, në të gjitha hallkat e jetës së tyre, sollën së bashku me pasojën e mos shkollimit edhe mos mësimin e gjuhëve të huaja. Por, edhe për ato gra që dinin gjuhë të huaja nuk ishte e lehtë, sepse xhelozia e “komisarëve të PPSH-së” ishte aq e egër, sa jo rrallë këtë dhunti të tyren ato e kanë paguar shtrenjtë. Ka pasur raste kur gra edhe me katër gjuhë të huaja janë hequr nga puna me motivacionet “të deklasuara, si grua ose vajzë tregtari” etj. Në atë periudhë, këto gra nuk kishin sesi të imagjinonin se harresa dhe neglizhimi do të ishte armiku më i madh i të gjitha kohërave për to. Kështu pas ndërgjegjësimit për indiferencën, injorimin dhe papërgjegjshmërinë e shtetit dhe gjithë shoqërisë ndaj tyre, këto ndjenja u zëvendësuan me zhgënjimin e pakthyeshëm të përkthyer në pasivitet total, humbje të interesit për jetën politike, përpjekje për t’u integruar me forcat e tyre në jetën sociale, siç është rasti i Marie Medicinës, Liri Motrovicës, Elza Pogës etj. Kështu shpresa se një ditë mund të çliroheshin u zëvendësua nga apatia dhe ndjenja e hakmarrjes duke e bërë kështu edhe më të vështirë faljen, por edhe më të vështirë denoncimin.

***

Nga të dhënat e vitit 1993 të marra në Institutin e të Përndjekurve Politikë, rezultonin rreth 42000 persona të regjistruar si të përndjekur politikë në të gjitha kategoritë e statusit në gjithë Shqipërinë. Disa pyetje që kanë lindur gjatë studimit kanë qenë: Ku ndryshon reagimi i femrave nga meshkujt? A janë femrat më tolerante, a zhvillojnë ato të njëjtët mekanizma mbrojtës si meshkujt? A reagojnë ato me ndjenjën e urrejtjes apo hakmarrjes? Këto kanë mbetur pyetje në kornizat e integrimit të cilave sociologët thonë se mund t’u gjendet me anë të reflektimeve empirike dhe përmes studimeve të tjera. Në një studim të vitit 1995 janë intervistuar 500 gra e vajza ish të persekutuara. Format e persekutimit kanë qenë të shumta, por ato janë klasifikuar në grupe si direkt vetëm më burgim, vetëm internim, burgim dhe internim etj.

Rreth 25 % e grave të intervistuara kanë qenë të burgosura gjatë periudhës së diktaturës komuniste, prej të cilave 75% referojnë se kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet periudhën e dënimit/ burgimit. Ndërsa 80.6% e tyre kanë qenë të internuara gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Viti 1945 shënon fillimin e arrestimeve, burgosjeve dhe dënimeve për gratë e intervistuara me një shifër prej 9.1% të tyre, kulmon në 15.2% të tyre në vitet 1952 dhe 1967 dhe mbaron në vitin 1989 me 35 të grave të intervistuara. Gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste, 27.8% e grave të intervistuara janë arrestuar të paktën një herë. 25% e grave të intervistuara kanë qenë të burgosura gjatë asaj periudhe me një kohëzgjatje të burgimit që varion nga 2 vjet në 14 vjet. 80.6% kanë qenë të internuara familjarisht. Nga totali i  të intervistuarave, 46.2 % e tyre tregojnë se kanë qenë të keqtrajtuara gjatë periudhës së burgimit apo internimit. Kthimi në “jetë” pas rënies së diktaturës, ndërsa priste që të përfitonin nga rehabilitimi vërehet se 83.3% e grave tregojnë se nuk kanë pasur asnjë përfitim nga rehabilitimi i të përndjekurve politikë në këto vite.

Duke iu referuar të dhënave të IPP (Instituti i të Përndjekurve Politikë), janë 90 gra të ekzekutuara gjatë regjimit diktatorial të E. Hoxhës. S’kanë qenë as vjedhëse, as kriminele. Jo pak janë edhe gratë e burgosura dhe të internuara, që iu privua liria. Arsyet e vërteta? Kjo iu lihet vetëm atyre që krijuan atë sistem, të tmerrshëm vuajtjesh dhe torturash.

Nga të dhënat që na japin studimet, shihet se jo pak gra kanë përjetuar një përndjekje politike të trefishtë d.m.th kanë qenë në burg, më pas janë internuar dhe plus kësaj kanë pasur mbi shpatulla pjesën e tretë të përndjekjes, indirekten, atë të dënimit të njerëzve të tyre të afërt, ekzekutimin, burgimin ose internimin e prindërve, vëllezërve, motrave, fëmijëve dhe të afërmve të tjerë. Në nxjerrjen e “bilancit” të këtyre dënimeve rezultojnë me qindra ekzekutime, me mijëra vjet burgime dhe akoma më tepër internime.

***

Potenciali intelektual i këtyre grave dhe vajzave ishte në të njëjtin nivel apo ndoshta edhe më i lartë se i një pjese të asaj shoqërie komuniste e cila, për interesa të ngushta politike ose jo, ishte e privilegjuar dhe e mundësuar për t’u shkolluar dhe arsimuar edhe në arsimin e lartë. “Ndërsa shifrat e punësimit duken më interesante, sepse për një që nuk e ka njohur realitetin shqiptar do të thoshte: “Pse ankohen këta njerëz, kur në këtë periudhë ka qenë një përqindje kaq e lartë e zënies së tyre me punë? Atëherë ne duhet të themi dhe të konkludojmë se komunizmi paska qenë një sistem tepër serioz e human, sepse paska pasur mjaft vende pune dhe se këto gra dhe vajza kot ankohen?”- vijnë në këtë dilemë nga “imazhi” fiktiv që ka përcjellë QSHRT-ja.

Nga të dhënat e përpunuara rezulton se puna “e preferuar” për gratë e vajzat e ish të persekutuara ka qenë bujqësia dhe këtu duhet theksuar, se në këto sektorë bujqësie “specialiteti” i tyre i veçantë ka qenë vetëm kazma dhe lopata. Ndërkohë që paguheshin vetëm për një copë bukë thatë me të cilën ushqenin fëmijët e tyre, të destinuar gjithashtu të vuanin edhe më shumë. “…Jeta në kampin e Tepelenës ka qenë mjaft e vështirë. Aty kanë qenë 5 kazerma. Kishte njerëz nga Berati, Kuçova, Gjirokastra, të gjithë të përndjekur. Punonim nga mëngjesi në darkë në mal. Ktheheshim në kazerma dhe na priste një bollgur me krimba brenda e groshë me miza, ha po deshe. Unë detyrohesha të shisja racionin tim për të ushqyer fëmijët. Nuk na linin të dilnim në Tepelenë….”, jep historinë e saj Sute Basha.

***

Studimi mbi gratë e përndjekura, të cilat ishin direkt viktima të persekutimit, përfshin moshën e tyre në adultërinë e mesme e sipër. Pjesa më e madhe tyre janë mbi 70 vjeç, pasi kanë kaluar mjaft vite që nga fillimi i persekutimit të tyre. Ndërthurja e karakteristikave të moshës me rrëfimin e historisë së tyre të persekutimit, ka zbuluar se ato i tregonin historitë e tyre sikur po i jetonin sot. Është viti 1945 ai që mbahet si fillimi i datimit të persekutimit, pra kohë kur gratë e intervistuara ishin në moshën më të bukur, në adoleshencë. Pothuaj gjysma e tyre kanë qenë e keqtrajtuar në mënyra të ndryshme që nga llojet e torturës fizike deri në atë psikike. Ndërsa psikologët tregojnë se te të mbijetuarat manifestojnë ngarkesa të mëdha emocionale vjen kur ato pyeten për metodat e torturës që kanë pësuar dhe kur falsin për vuajtjet  e tyre.

“Më kanë marrë e më kanë shti në burg. Më kanë pyetur, dhe internuar me fëmijë të vogël, s’kam pas qumësht më i dhënë fëmijës. S’kishte as dyqan, as furnizime, kemi jetuar si mos më keq. Kisha 5 vajza e një djalë. Ai i frontit më ka shtyp djalin 7 vjeç me makinë, që i shkoftë shpirti atje ku nuk thuhet! Ai i është përgjigj shoferit që mbyti një kriminel, kulak, mos i shko tek dera…”, ruan ende me hidhërim të madh, vitet e internimit, Hyrie Metalia.

Çdo 26 qershor në të gjithë botën celebrohet Dita ndërkombëtare ndaj viktimave të torturës  ku: “Me torturë kuptohet çdo akt i kryer për të shkaktuar dhimbje e vuajtje të rënda si fizike ashtu dhe psikike, me qëllim përfitim informacioni nga ai apo nga dikush tjetër, o për një konfesim, një ndëshkim ndaj një akti të kryer, frikësim o nënshtrim i bazuar mbi një diskriminim të çdo lloj tipi me kusht që dhimbja e vuajtja të kryhet me urdhrin apo me pëlqimin e një prokurori apo të një personi me funksion zyrtar”- thuhet në art. 1.1 të Konventës së ONU kundër torturës më 1984.

Me gjithë stigmatizimin zyrtar, tortura nuk është mundur akoma e vazhdon të praktikohet duke shkaktuar vuajtje psiqike në një formë të re, për këto gra të përndjekura- kur persekutorët e tyre ende nuk i janë nënshtruar drejtësisë, dhe debatet e fundit mbi përdhunimin e grave në diktaturë duket se kamuflojnë historinë, dhe shtojnë vështirësinë për të denoncuar. Ndërsa gratë e burgut presin prej 25 vitesh të rehabilitohen.

Rrëfimet

B.B

Cila ishte tortura tjetër psikologjike? Ata organizonin skena të atilla, ku unë të krijoja bindjen se është arrestuar nëna, se është arrestuar motra ime, se ata kishin folur etj.

Ata krijonin dhe duhet të kenë qenë incizime, në të cilat unë dëgjoja sesi nëna ime bërtiste, në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, lemeritëse.

Dhe ka mundësi të kenë qenë incizime, për arsye se kur kam dale nga burgu, kam marrë vesh që nëna ime, kur ka ardhur nga vend-internimi i saj në Progonat, për të më ndjekur mua, ka kaluar disa momente jashtëzakonisht të rënda, të gjendjes shëndetësore dhe ka mundësi të ketë qenë zëri i saj se unë dëgjoja zërin e saj. Kur e pyesnin “çfarë ke, çfarë do”, unë dëgjoja zërin e nënës time dhe mua më thoshin që është në birucë. Dhe zëri më vinte nga biruca. Nuk përjashtohet mundësia që ndoshta është edhe një përfytyrim i imi, por kam mendimin që është përdorur kjo metodë.

Pikërisht këto ishin ato vuajtjet, dhe mbi të gjitha ishte që  unë të tmerrohesha, jo se do të pushkatohem vetë, por se mos arrij deri aty saqë do të marr në qafë e do të bëhem shkak për dënimin e të afërmve të mi, shokëve të mi etj…

Dhimbja më e madhe e imja është që në mënyrë të veçantë nuk gjeta nënën time, e cila nuk më është ndarë duke ardhur vazhdimisht nëpër burgje në Spaç, Laç, Elbasan, Bënçë, Burrel, a ku di unë, megjithëse plakë e drobitur dhe vdiq e verbuar, e paralizuar, dhe vdiq fill pasi amnistia e nëntorit të 1989 mua nuk më fali. Dhe tërë shpresën e kishte pasur që unë do të lirohem se kishte vdekur dhe diktatori E. Hoxha, por diktatori tjetër R. Alia nuk bëri një gjë të tillë. Kjo është ana më e dhimbshme e imja, të paktën t’i kisha dhënë këtë gëzim, lirimin tim nga burgu.

Bukurie Kaloshi

Na çuan në internim për të punuar në Tërbuf e Lushnjë. Rininë time atje e kalova, duke hapur kanale. Më kanë torturuar policët dhe aty më mbajtën tre vjet dhe prej aty më çuan në Karavasta. Qëndrova tre vjet atje, në kënetë me ujë, kam jetuar për gazep rininë time. Atje më vdiq edhe nëna, isha rrit jetime, ma vranë babën në oborr….

Marie Medicina

U desh vetëm një sekondë që torturuesi të ngrinte çizmen e tij me hekura të ma plaste në fytyrë, të më futet me grushte, të më rrëzojë përtojë dhe më tha ty do ta bëjmë trupin çika-çika se ke dashur të rrëzosh pushtetin tonë.

Çfarë mund të them, çimentot vetëm ujë, vetëm një tas të vogël me gjellë dhe pak bukë, mezi haja duke ruajtur tulin për ta zbutur me ujë, sepse nuk kishte njeri të më sillte ushqimin, sepse vëllain nuk e linin të më takonte. Punova në fermë, të ministrisë së brendshme, kam qenë prapë e survejuar, isha e prekur, kohët e fundit, që më futën të laja dyshemetë, më mirë të punoja në fushë se në lokal dhe me futën në Lulishten 1 Maji. Më thonin “po të kishte qenë me ne, nuk do të kishe përfunduar kështu”. Kjo ishte puna që unë bëja. Me zor arrija të shkoja tek njerëzit e mi, pasi kudo isha e survejuar nga Sigurimi i Shtetit e kudo nuk më linin të bëja asnjë hap në liri.

Sute Basha

Si familje na çuan në Tepelenë. Jeta në kampin e Tepelenës ka qenë mjaft e vështirë. Aty kanë qenë 5 kazerma. Kishte njerëz nga Berati, Kuçova, Gjirokastra, të gjithë të përndjekur. Punonim nga mëngjesi në darkë në mal. Ktheheshim në kazerma dhe na priste një bollgur me krimba brenda e groshë me miza, ha po deshe.

Unë detyrohesha të shisja racionin tim për të ushqyer fëmijët. Nuk na linin të dilnim në Tepelenë. Vetëm në rastet kur u çonim dru familjeve të oficerëve. Ata na detyronin megjithëse gra ti mbanim drutë, deri në dhomat e tyre. Për tre muaj e gjysmë nuk kishim pe për të qepur, dhe kam përdorur fijet e flokut në vend të perit për të qepur çorapet e fëmijëve se nuk na jepnin; na jepnin 1 sapun në muaj për gjithë familjen.

Hyrie Metalia

Më kanë marrë e më kanë shti në burg. Më kanë pyet, internuar, me fëmijë të vogël, s’kam pas qumësht më i dhënë fëmijës. S’kishte as dyqan as furnizime, kemi jetuar si mos më keq. Kisha 5 vajza e një djalë. Ai i frontit më ka shtyp djalin 7 vjeç me makinë, që i shkoftë shpirti atje ku nuk thuhet! Ai i është përgjigj shoferit që mbyti një kriminel, kulak, mos i shko tek dera./(lapsi.al)

*Shkrim i publikuar më 30/11/2015