
Një sulm fizik dhe verbal mbi një futbollist 15-vjeçar të komunitetit ashkali gjatë një ndeshjeje futbollit në Obiliq, ka nxitur reagime të mëdha në gjithë vendin gjatë kësaj jave.
Belgin Jashari, 15 vjeç, u shkelmua nga një burrë gjatë një ndeshjeje të 15-vjeçarëve mes klubit të fij Fushë Kosova dhe shkollës së futbollit Arsenali më 21 prill në Obiliq, rreth 10 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.
Klubi i tij e publikoi një video ku shihet një burrë teksa i kalon rrethojat e fushës, futet brenda dhe e godet me shkelm Jasharin, si dhe e fyen atë në baza racore, sipas klubit.
Klubi tha se veprimi i burrit ka qenë i motivuar “për fat të keq, nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ashkali. Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dënoi dhunën ndaj Jasharit si akt “të papranueshëm dhe të patolerueshëm në shoqërinë tonë”.
“Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari”, tha Osmani.
Një burrë 47-vjeçar është dërguar në mbajtje për 48 orë si i dyshuar për sulmin ndaj Jasharit, njoftoi Policia e Kosovës më 26 prill.
Policia tha se e ka marrë në pyetje të dyshuarin, si dhe ka marrë edhe dëshminë e futbollistit të ri.
Reagimet kundër dhunës fizike dhe diskriminimit racor, si dhe mbështetja për Jasharin ishin të shumta.
Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e dënuan dhunën ndaj Jasharit dhe shprehën mbështetjen e tyre për futbollistin.
Federata e futbollit tha se ngjarjet e tilla janë “të papranueshme dhe bien ndesh me sportin dhe vlerat që ne i kultivojmë si shoqëri: respektin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor”.
Futbollisti Belgin Jashari, është ftuar nga kampi i Barcelonës në Kosovë
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të kampit.
Jashari ishte dhunuar fizikisht nga një prind i një fëmije gjatë një loje, sulm ky i cili kishte motive raciste.
Postimi:
Një ftesë që prek zemrën dhe ringjall shpresën!
Belgin Jashari, talent i jashtëzakonshëm nga komuniteti Rom dhe një shembull i vërtetë i guximit, i është bashkuar familjes së Barça Camp Kosova 2025 si i ftuar special!
Pas një përjetimi të rëndë dhune në sport, ne në Barça Camp Kosova duam t’i dërgojmë Belgin-it dhe gjithë fëmijëve mesazhin e qartë:
“Sporti është dashuri, respekt dhe bashkim – jo dhunë dhe paragjykim.”
Ftesa jonë për Belginin është një simbol i mbështetjes, respektit dhe besimit në fuqinë që ka sporti për të shëruar plagët dhe për të ndërtuar ura miqësie.
ObserverKult