Një kallëzim i ri për Janjevën

Nga Bajram Sefaj

Këtë shënim (a skicë për reportazh) nga Janjeva e këtyre ditëve, lokalitet ky që përnjëherë u gjend në artikujt e shtypit të ditës, të periodikut dhe në mediumet e tjera të informacionit, veçmas atij kroat. Megjithatë, e fillojmë me një rrotullim të shpejtë reminishent.

Ndonëse fjala është për një kallëzim të ri për Janjevën, sidomos për pjesën kroate të banorëve të saj nuk mund e të mos përkujtojmë, në viza të trasha, sa vijon.

Kroatët këtu erdhën para shtatë shekujsh

Tregtarët nga Raguza e lashtë  (Dubrovniku i sotëm) me karvanet e tyre – me kuaj e me mushka, të ngarkuara kryesisht me barrë kripë a ndonjë mall tjetër, merrnin rrugët e gjata për në Lindje! Njihnin ata, kështu, edhe Via – Ignacinë e famshme.

Në atë relacion të gjatë, midis Dubrovnikut, jeni Pazarit, Novobërdos e tutje Sofjes a ndonjë qyteti tjetër, atë botë, më të madh, një nga konakët e preferuara për fjetje, ç’lodhje  dhe këndellje, padyshim se ishte edhe Janjeva.

Njërit prej tregtarëve apo një grupi të vogël syresh, duhet t’i ketë ngjarë diçka defekt transportues (ngordhja e kalit a e mushkës) apo ndonjë gjë krejt tjetër.

Këtë nyje historike nuk jemi në gjendje ta zgjidhim dot akoma, por në anën tjetër, dihet me siguri se dyndja e një numri të vogël kroatësh këtu, merr një hapësirë kohore prej shatë shekujsh më parë (1.303). Kjo është e sigurt.

E dhënë historike është. E shënuar në teftere. Janjeva, pra, që moti ishe oaza e parë e kroatëve në Kosovë.

Sot ndërkaq, marrin një shtrirje paksa më të gjerë edhe ata, në numër shumë të vogël, i ndesh edhe në Letnicë, në Kabash, Vërrnakollë dhe në Suharekë. Enklava janë këto.

Burim kronikash dhe udhëshkrimesh

Janjeva, jo vetëm për atë veçori dhe specifikë që brenda kishte atë grusht banorësh kroatë, por edhe për shumë të mira tjera, përherë gjatë historisë së vet të lashtë ishte joshëse, për çdo kë.

Madje edhe për kronistët dhe udhëshkruesit e rryer. Vështirë se do t’i kishte ikur penës se Evilia Qelebliut dhe udhëshkruesve të  tjerë të njohur të kohës. Lokalitet idilik. Bukolik. I mbirë midis “shtatë kodrinash”. Me shumë vreshta të rrushit të ëmbël. Me kullosa shumë.

Me bagëti të qumështit dhe të mishit të freskët e të cilësisë më të lartë. Lokalitet me njerëz të mirë e bujq të vyeshëm. Zanatçinj të zejeve të lashta. Si e këtillë, Janjeva kronistit përherë i jepte burim të pasur. Për shkrim të mirë. Me frymëzim poetik. M emocione deri në tension.

E vërteta se për ato shtatë shekujsh të jetës së përbashkët të kroatëve ardhacakë me shqiptarët etikë, nuk kanë ndodhur as shtatë raste ngatërresash më të vogla e lëre me ndonjë konflikt më i madh ndërnacional, sikur thuhet sot, gjë kjo shumë e mirë, sidomos për shqiptarët shumicë.

Kjo jetë harmonike midis dy nacionaliteteve në Janjevë, përherë nënvizohej me vizë të bardhë. Në çdo rast e në çdo rrethanë.

Fletë kallëzimi të ri – shpërngulja!

Me shqiptarët së bashku, jetojmë shtatë shekuj. Do të jetonim edhe shtatë e edhe shtatëdhjetë shekuj të tjerë me ta e as ndërmend nuk do të na shkonte të braktisim shtëpitë tona, ta lëshojmë këtë vend që aq shumë e duam, na thanë gati – gati të gjithë kroatët e Janjevës kur i vizituam këto ditë dhe biseduam me ta. Por, ja që trysnitë e vazhdueshme të regjimit aktual serb, veçmas pas shpërthimit të luftës me Kroacinë, rëndojnë gjithnjë e më tepër. Rrethanë të ngushtë dhe të skuqur deri në pëlcitje vejnë ato (trysni) në jetën tonë, deri dje të rehatshme dhe idilike. Tash me të madhe e lëshojmë Janjevën. Braktisim shtëpi, troje e pasuri…

Për shpërnguljen e banorëve kroatë nga ky lokalitet, për fqinjësinë e mirë e tradicionale me shqiptarët, për kërcënimet e vojvodës çetnik Sheshel. Për…

Ndërkohë mësojmë se Janjevën e kanë braktisur rreth 500 banorë kroatë. Afro 200 shtëpi kanë mbetur të shkreta.

I kotë ishte mëtimi ynë, ashtu sikurse të kota e të dështuara ishin insistimet e shumë gazetarëve dhe të reporterëve të tjerë që, për një çast e vërshyen këtë lokalitet (veçmas ata të mediumeve informative nga Kroacia) për shënime e të dhëna pak sa më konkrete. Askush, gati-gati pa përjashtim, madje as njerëzit e autorizuar për këtë punë (ata të Bashkësisë së lokalitetit e të tjerë) nuk ishin të gatshëm të bisedojnë për asgjë e aq më pak për shpërnguljen.

Nuk dëshironin të identifikoheshin. Për arsye të sigurisë kolektive, para asaj individuale, thonë ata dhe shtojnë se banorët kroatë Janjevën nuk e lëshojnë për shkaqe ekonomike, të papunësisë (ndonëse edhe ato rëndojnë gjithnjë e më dendur) por largohën për shkak të presionit i cili ndaj tyre shtohet gjithnjë e më shumë. Sa për ilustrim ata përmendin shkrimet e njëpasnjëshme të gazetës “Jedinstvo” të Prishtinës me gjithfarë trillimesh dhe insinuatash gjoja se të rinjtë kroatë nga Janjeva inkuadrohen në radhët e luftëtarëve të Kroacisë, në gardën popullore të saj.

Posaçërisht i kishte frikësuar kërcënimi publik i vojvodës, çetnike – Sheshelit kur në një konferencë për shtyp, këtu në Prishtinë, ndër të tjera kishte deklaruar se ai vetë, personalisht do të shkojë në Janjevë dhe do të informohet për çdo gjë, para se gjithash, për të vërtetuar se sa janë të sakta të dhënat e gazetës së këtushme të serbëve dhe malazezëve “Jedinstvo” se gjoja pas zgjedhjeve të fundit në Kroaci, kroatët e Kosovës, nga ana e Tugjmanit janë furnizuar me armët më moderne!

Miku i mirë – për ditët e vështira! –

Përndryshe , shtojnë bashkëbiseduesit tanë anonimë, as që do të na shkonte ndërmend rruga e shpërnguljes për shkak të krizës së thellë ekonomike, që sidomos vietëve të fundit, ka pllakosur Kosovën.

Me popullin shqiptar të Kosovës, fatin e kemi ndarë gjatë jetë së përbashkët ndër shekuj, thonë ata dhe shtojnë se, kriza ekonomike shumëfish më shumë kërcënon popullatën shqiptare në këto troje dhe gjëkundi në Kosovë.

Janjeva e këtyre ditëve (viteve)  nuk ishte ajo që e njohim. Qytezë me gjallëri e ambient të ngrohtë. Me mysafirë shumë. Nga të gjitha anët. Me pijetore plot. Tash aty mbretëron një atmosferë tjetër. E zymtë. Gri. E panjohur për banorët e saj dhe vizitorin e rrallë të rastit që tani menjëherë bie në sy.

Ishim në Janjevë për të shënuar shpërnguljen e atyre 5-00 kroatëve në çastin kur nga Kosova po aq shqiptarë shpërngulen gjatë një dite të vetme.

Në çastin kur shpërngulja e shqiptarëve, e pjesës më vigale të kësaj popullate, të rinjve dhe të rejave, merr përmasat elementare të epidemisë, në çastin kur lumenj shqiptarësh derdhen në drejtime të ndryshme. Drejt Evropës, Amerikës… kryesisht.

Morëm kallëzimin (e ri) për shpërnguljen e atyre pak kroatëve nga Janjeva, në çastin kur këtë plagë, këtë kafshim të ri, e qesim të shqyrtojmë dhe analizojmë) në tryeza të rrumbullakëta.

Jemi krenarë që pikërisht në këto rrethana gjejmë fuqi dhe hapësirë informacioni për shpërnguljen e kroatëve nga Janjeva. Marrim brengën e tyre. Ani.

A nuk thotë mirë fjala jonë e urtë lashtësie se miku i mirë njihet në ditë të vështira!?

Derisa në çastet kur edhe ata pak kroatë të Kosovës përditë e më shumë braktisin shtëpitë e tyre, në anën tjetër, pushtuesi aktual serb, organizoi këto ditë në Prishtinë, një tubim të madh, me pjesëmarrje akademikësh. Madje temë kishte rikthimin (rikolonizimin) e serbëve në Kosovë.

Për këtë qëllim, u tha në atë tubim, urgjentisht do të ndërtohen madje gjashtëdhjetë vendbanime të reja për serbët në Kosovë!

Gaillard, 17/05/2023

*Reportazh i botuar shumë vjet më përpara (ribotohet me rastin e vizitës së para disa ditësh të ministrit të jashtëm kroat, në Kosovë)

ObserverKult


Lexo edhe:

CIZIA ZYKË, SHKRIMTARI FRANCEZ ME PREJARDHJE SHQIPTARE. PSE NUK NJIHET TE NE?

Në vend të homazhit për Cizia Zykë

Nga Bajram Sefaj

Më parë se për romanin e tij të fundit (kur njëmend është i fundit), atë më titull “Oro & Co“, sikur më shumë duhet folur e shkruar, për autorin e tij, Cizia Zykë-n.

Gjersa emri i tij është i njohur, jo vetëm në Francë, por edhe shumë më larg, për mrekullinë e zotit (në ndijimin negativ të fjalës!). Për këtë shkrimtar francez, me origjinë shqiptare, në mesin tonë, nëse nuk dihet fare, për jetën, ndryshe të bujshme, veprën e tij të madhe letrare, dihet fare pak, për të mos thënë aspak.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult