Në letrën e 27 janarit të vitit 1904, kritiku i heshur i të gjitha skemave qytetëruese dhe ato letrare, do të shkruante se “duhej të lexoheshin vetëm ata libra që vërsulen mbi ne, që na shkaktojnë dhimbje dhe huti, librat që mu si sëpata, e copëtojnë akullin në vetëdijen tonë”.
Ndërsa në vitin 1921, shkruante në ditar, se edhe për shkak të metaforave “sillet dëshpërueshëm në letërsi”, ndërsa me absurdin ka luajtur mu si një surrealist. Të rikujtojmë se te “Procesi”, perëndesha e drejtësisë mban në dorë peshore, ndërsa te sytë – shami, e krahët i ka te thembrat. Me fjalë të tjera, drejtësia është e verbët, ndërsa krahët gjithmonë na frikësojnë se do të fluturojnë në drejtim të panjohur. Perëndesha e drejtësisë edhe sot nuk na përgjigjet pyetjeve: Nga buron tjetërsimi në botën e urryer? Si është e mundur që në renditjen e lirë të miliarda informatave, të jetojmë me ndjenjën e të qenit të painformuar? Si ndodh që në botën virtuale të kemi ndjenjën e reales? Por, ndër absurdet e qytetërimit të sotëm, bën pjesë mbase pasqyra më absurde, më kafkiane: i ngulim sytë në ekrane, e aktivizojmë “trurin”, plotësisht e lëmë pas dore trupin dhe një ditë të gjithë shndërrohemi në njerëz statikë me koka të mëdha dhe me gjymtyrë të vogla të atrofizuara. Pothuajse plotësisht shndërrohemi në kandra kafkiane. A thua atëherë “Metamorfozën” do ta lexojmë si një prozë kryekëput realiste?
Pikërisht një koleksion të tillë, me dorëshkrime, letra personale dhe vizatime të shkrimtarit hebre, përfaqësues i ekzistencializmit, botohet për herë të parë në internet nga Biblioteka Kombëtare e Izraelit.
“Koleksioni është tanimë online, pas një procesi intensiv për vite të tëra”, – njoftoi biblioteka, duke shtuar se, ishte një nga më të mëdhatë në llojin e tij.
Midis artikujve, gjendet fletorja e studimeve në hebraisht, e Kafkës, si edhe tre drafte të “Përgatitjet e dasmës në vend”.
Dokumentet vijnë nga pasuria e mikut më të mirë të Kafkës, Max Brod. Brod, ishte një nga mbështetësit më të njohur të skenës së letërsisë, në gjuhën gjermane, të Pragës, në gjysmën e parë të shekullit XX, transmeton ‘konica.al’.
Para se të ndahej nga jeta më 1924, Kafka i kishte kërkuar Brodit që t’ia digjte punimet e megjithatë, Brodi në vend të kësaj i botoi ato, duke e bërë autorin, të famshëm në mbarë botën, pas vdekjes.