Nga Ndue Ukaj
Një pasdite të zakonshme, pas një dite të amullt, derisa po dilte nga shtëpia botuese ku punonte tash e disa vite Anton Shkëmbit i ndodhi diçka e papritur. Dy persona shtatlartë e të veshur me të zeza, dolën me shpejtësi marramendëse prej një makine të madhe e me xhama të zi dhe u ndalën përpara tij, duke ia ndalur ecjen.
Porsa e përshëndetën ftohtë, me një ndjenjë shpërfilljeje të habitshme, në dorë ia lëshuan një letër të mbyllur, duke i thënë: zotëri, kjo letër është për ju.
Antoni i habitur i shikoi dy burrat dhe me zë të qetë u tha: unë as s’ jam zotëri dhe as s’pres ndonjë letër.
Dy burrat pa folur gjë ngrysën vetullat dhe u qeshën me njëri-tjetrin. E, ky reagim, Antonit i shkaktoi ndjenja të përziera dhe pak i tensionuar i përshkoi fytyrat e tyre me sytë e tij të butë dhe të mëshirshëm.
Qielli ishte i trazuar dhe retë e errëta me shpejtësi pushtonin çdo vrimë të kupës qiellore.
Mes Antonit dhe dy burrave u plandos një heshtje fjalësh, ndoshta njëzetsekondëshe, derisa nga qielli u dëgjua një murmurimë e fortë.
Dy burrat trupgjatë u shikuan me njëri-tjetrin dhe duke mos e çarë kokën për çfarë u tha Antoni, i përsëritën fjalët e para me zë pak më kumbues: zotëri, kjo letër është për ju, dhe menjëherë filluan të largoheshin drejt makinës së tyre.
Atëherë, Antoni bëri disa hapa drejt dy tyre dhe deshi t’iu thoshte diçka, por ata s’e përfillën, si dy njerëz që kishin kryer një detyrë dhe shkonin në punën e tyre.
Duke e parë këtë gjendje, me një ton të pazakontë për natyrën e tij, Antoni dy burrave u tha: ku e dini ju, mund ta keni gabuar adresën, në qytetin tonë të gjithë i ngatërrojnë adresat.
Por dy burrat s’merakoseshin fare, kurse Antoni i habitur tej mase, foli edhe njëherë: kjo letër mund të mos jetë për mua, sepse unë s’pres asnjë letër.
Në fund, ai u bind se çdo gjë qe e kotë, ashtu siç qe e kotë të përpiqej t’i ndalte murmurimat e asaj buzëmbrëmje që dridhnin tokën. Në dorë mbante letrën, ndërkaq disa metra larg tij, dy burrat e panjohur kishin hipur në makinë dhe me një shpejtësi marramendëse u zhukën në një drejtim të panjohur.
Dhe ajo distanca e krijuar mes tij dhe dy burrave të panjohur iu duk si një humnerë gllabëruese, ku ai tani duhej të kalonte me një letër të lehtë në dorë.
Pa e lexuar përmbajtjen e letrës, Antoni e parandiente një mesazh të keq, sepse një letër e pazakontë, e dërguar në mënyrë të pazakontë, pa një adresë, nuk kishte sesi të përmbante një mesazh të mirë, ndaj iu bë sikur të mbante në dorë një lëndë të pazakontë, shpërthyese, një ide eksplozive, një kumt të tmerrshëm.
Një letër mund të jetë e lehtë, por brenda mund të përmbajë një mal gëzimi ose një varr trishtimi – mendoi me vete dhe këqyri përreth tij.
Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta.
Ishte i vetëm dhe asnjë njeri s’dukej në atë buzëmbrëmje të vranët, me re të dendura që kishin pushtuar qiellin.
Murmurimat shpeshtoheshin dhe pritej shi i furishëm.
Së paku, sikur ta dija kush ishin ata dy burra, murmuriti me vete dhe një dhimbje koke e shtrëngoi fort.
Mes qiellit e tokës, me një letër në dorë, ai vërtitej andej e këndej pa ditur ç’të bënte dhe kah t’ia mbante.
Në çaste të tilla, njeriut vetja i duket një varkë e rrëmbyer në ujëra të trazuara, prej ku kërkohet një fuqi e mbinatyrshme për t’i qetësuar dallgët dhe për ta çuar varkën drejt një limani të qetë.
Pa mundur të fliste gjë dhe pa e ditur përmbajtjen e letrës, në trup ndjente vrushkujt e rëndë që e fishkëllenin keq. I dukej se një grumbull grezish ishin ngjeshur në lëkurën e tij dhe e pickonin me ushtimën e tyre të frikshme.
Antoni kishte kaluar të pesëdhjetepestat dhe kishte një pamje të heshtur, të një burri të urtë. Nuk inatosej lehtë dhe ishte vështirë në fytyrën e tij pa ndonjë arsye madhore të vizatohej trishtimi.
Secila letër, siç ishte zakon i vjetër, duhej të kishte një adresë të dërguesit dhe të marrësit, por kjo s’kishte asnjërën. Atëherë, një e qeshur e inatosur iu ngrys në fytyrë dhe me vete mendoi për atë mesazhin që ishte brenda, e që ishte mbështjellë nga një bardhësi e frikshme.
Duke u tundur si një pemë në një fushë të pafund, nxori një frymëmarrje të rëndë dhe bëri disa hapa përpara.
Ishte buzëmbrëmje dhe një errësirë e frikshme e pushtoi qytetin me një shpejtësi marramendëse. Ai dukej i hutuar në rrugë dhe s’dinte kah t’ia mbante. Zemra i rrihte fort dhe një ndjenjë trishtimi i përhapej në turp, siç përhapen retë në qiell. S’dinte ç’të bënte, ta hapte letrën në rrugë apo ta linte kur të ishte vetëm në shtëpi, sipas zakonit të moçëm, që letrat duhej të hapeshin dhe të lexoheshin në ambiente intime.
Përballë një situate të tillë pakkush mund të ishte i qetë. Më së paku një shkrimtar që njihte zemrën e secilës shkronjë, e peshonte çdo fjalë në peshoren e ndërgjegjes, si të ishte një zemër e butë ose një prej guri, dhe e dinte mirë se ç’domethënie kishte një mesazh, një tingull, një fjalë, një figurë, një letër, e shkruar me shije ose e zhubravitur nga të tillë që dhunojnë shenjtërinë e shkrimit.
Antoni ecte i vetëm në rrugë dhe në dorë mbante një letër. Nuk kishte idenë kah t’ia mbante dhe një parandjenjë e keqe e ndrydhte, si të kishte rreth trupit të tij duar të forta që s’e linin të lëvizte.
Duke menduar për dy burrat me të zeza, makinën, zhurmën e tmerrshme që prodhoi largimi i tyre në një drejtim të panjohur dhe letrën që mbante në dorë, atij iu bë sikur në dorë të mbante një peshë të rëndë – disa gurë të fortë e të lëmuar – të cilët po t’i lëshonte, do t’ia copëtonin gishtat e këmbeve, e po t’i mbante, do t’ia gërvishtnin gishtat e duarve dhe do t’i pikonin gjak.
Kjo s’ ishte fatkeqësi, por diçka më pak, në kufij të fatkeqësisë, kur njeriu e sheh si varka e tij është duke u përmbysur dhe e kupton pafuqinë e vet për të parandaluar fundosjen.
I gjendur në këtë situatë kaq befasuese – krejt surreale – për pak sa s’ lëshoi një klithmë të furishme drejt qiellit, ku shtegtonin dy zogj të mërdhirë të vjeshtës së vonshme, ndoshta të fundit që kishin mbetur, teksa iknin drejt vendeve të ngrohta.
Në atë hapësirë boshe shpirtërore, e përreth të cilit kishte makina të zhurmshme, ndërtesa të shëmtuara ngjyrë gri, kush mund të dëgjonte zërin e një shkrimtari, më mirë se zogjtë e qiellit!
Në atë gjendje deshi të bërtiste me sa zë kishte, që zogjtë ta dëgjonin klithmën e tij dhe ta çonin përtej kufijve të lirisë së tokës së tij, diku ku liria mund të kishte trajtë e ngjyra tjetërfare, ku letrat nuk çoheshin nga njerëz të veshur me të zeza, por nga engjëj hijelehtë ose zogj të gëzuar që paralajmërojnë pranverë dhe mot të mirë.
Meqë qielli ishte i turbulluar, ai s’mundi të bënte shëtitje në parkun e qytetit, ku zakonisht kishte dëshirë të dilte në buzëmbrëmje, që t’i shmangej tollovisë së madhe dhe zhurmës histerike te njerëzve që ngarendnin si të trallisur. Letra e lehtë që mbante në dorë i bëhej sikur të ishte një eksploziv që mbante në trup.
Jo – s’është eksploziv – mendonte me vete, teksa përpara shihte një grup qensh që vraponin në drejtim të konvikteve të studentëve.
Mendimi se kjo letër ishte më shumë se eksploziv iu duke real, sepse eksplozivin mund ta hedhësh në një fushnajë dhe ai shpërthen, duke krijuar një zhurmë të frikshme disa sekondëshe, por një mesazh, një mesazh, po e more njëherë dhe e fute brenda, kurrë më s’ mund ta shqitësh nga vetvetja.
Ç’ndjenjë e llahtarshme ishte kjo, mund ta dinte vetëm një njeri që e njihte pushtetin e tingujve të fjalëve të pathëna.
Derisa ecte nëpër rrugët qarkore, tërë kohën përpiqej të gjente arsyen e asaj letre dhe të gjente një shteg të vogël për të dalë prej asaj mjegullnaje ku qe futur papritur.
Krejt i çekuilibruar shikoi qiellin e turbulluar, ku për çdo moment mund të fillonte një rrebesh i tmerrshëm shiu.
Se një letër mund të ishte një eksploziv hidhërimi, një diell shprese ose një kumt që përndez shpresat e humbura, kjo dihej prej kohësh. Antoni kishte disa ditë i mbërthyer nga mërzia, kurse sot, mërzia s’iu hoq aspak nga fytyra e qetë, ndonëse gjatë gjithë ditës mori letra e telefonata përgëzuese për poezinë “Lufta bëhet për lavdi” të botuar në të përditshmen më të madhe në vend. Kishte ditë prej kur e shoqëronte një paqëndrueshmëri shpirtërore. Gruaja i tij, një mësuese e vuajtur dhe e helmuar disa herë gjatë luftës së fundit në Kosovë, në pamundësi për të gjetur kurën e shërimit, kishte vdekur para një viti, kurse dy fëmijët e tij, pasi ishin rropatur nëpër qytet, të pa punë, kishin vendosur të emigronin në Itali. Dhe tani, ai kishte mbetur vetmitari më i madh i qytetit dhe jeta i ishte bërë shumë e mërzitur.
Sa herë zgjohej, pinte një kafe të idhtë dhe i dukej sikur me vete mbante tonelata mundime, libra dhe vetmi oqeanike, përbrenda së cilës peshonin vitet e stuhishme, prej kohës kur ai si student, me parulla në dorë kërkonte liri për vete dhe për popullin e tij.
Që ditën kur vajza i dha një lamtumirë pikëlluese dhe mori rrugën e emigrimit, atij shtëpia i ishte kthyer në varr, dhe rruga drejt saj i dukej si rruga te varrezat, ku e shpinte arkivolin e vet, të rrethuar nga një kor korbash vajtimtarë, që donin t’ia hanin sytë, si në ato këngët e vjetra shqiptare.
Antoni ishte në një gjendje të amullt, ndaj një situatë e tillë i dukej se ia kishte hapur dyert drejt asgjësë, dhe kjo ide çeli në kokën e tij një portë torturuese, një portë më të tmerrshme sesa vetë portat e ferrit. Në fund të fundit, ai e dinte se edhe prej ferrit njeriu mund të dalë një ditë, sikur të kishte një udhëheqës të mirë – siç e pati ai Dante i librit të madh- por nga asgjëja ose boshit, s’ ishte dëgjuar kush të kishte dalë diku, ashtu siç s’ ishte dëgjuar kurrë të thuhej se në boshësi ishte ndërtuar diçka madhështore. Sepse, asgjëja prodhonte vetëm asgjë. Ishte mungesë ekzistence, diçka më e trishtueshme se vetë ferri.
Vetja i dukej si një fletë e shkëputur në kulmin e një rrëfimi, që lexuesin e fuste në hullitë e çuditshme, aty ku deti i paqartësive ishte më i trazuar se ai i dimrit të stuhishëm.
Vërtet – ai kishte kohë prej kur lundronte në detin e trazuar të paqartësive, me një varkë plot mendime, pesha e të cilave ishte shumë më e rëndë sesa që kishte mundësi të mbante lundra e tij pesëdhjetepesëvjeçare, dhe ujërat e furishme në të cilat lundronte tash e sa kohë.
Qielli ishte i trazuar, por zbrazej, lëshonte shi hidhërimi, trazonte ujërat dhe pastaj shfaqej kupa e bukur qiellore dhe lumenjtë e lumturisë, por njeriu s’mund imitonte kaq bukur natyrën, ndaj kur mbushej hidhërim, vështirë zbrazëte zemrën e tij që të mbillte pemë të bukura gëzimi në të.
Antoni i përhumbur, pas gjysmë ore, u gjend në oborr. Dhe porsa hyri brenda, hoqi shallin që e mbante rreth qafës dhe menjëherë e shqepi letrën e mbështjellë, kurse gojën e kishte të qepur. Letra kishte një titull, disa rreshta, dhe një nënshkrim në fund, ku shkruhej:
“Në qytetin tonë, sot ka pasur afishe të shumta. Titulli i poezisë suaj “Lufta bëhet për lavdi” është përdorur për të poshtëruar luftën tonë, prandaj nesër që herët jeni të ftuar për sqarim në Komisionin e krijuar enkas për këtë punë në Ministrinë e Rendit dhe Qetësisë Publike, zyra numër 20, ku ju pret oficeri Rrahim Taravoli.”
O perëndi, ofshau, ç’janë këto marrëzira. Zëri i tij buçiti fort në shtëpinë e vetmuar, ku kishte kohë prej kur s’fliste njeri.
Atë natë dërmuar, as s’hëngri e as s’ piu gjë. U shtri në shtrat, ashtu siç erdhi prej pune dhe gjatë gjithë natës kishte parë ëndrra të çuditshme, por të nesërmen, asnjë s’ mundi ta rikujtoi.
Në mëngjes, s’ piu kafe siç e kishte zakon, por u nis më herët se kurrë për në punë. Porsa mbërrini te redaksia, në derën e zyrës së tij ishte vendosur një dry të madh. Dhe zemra i rrahu fort, teksa nëpër korridor i dëgjoi hapat e dikujt. U kthye dhe pa sekretaren me një letër në dorë, e cila, gjysmë e përlotur, pasi e përshëndeti me një mirëmëngjesi të përzier me keqardhje, ia lëshoi letrën në dorë dhe u largua plot trishtim prej tij.
Antoni e lexoi letrën pa e hapur fare. Ai tani e kuptoi se letra e dytë ia mbylli edhe një derë dhe ashtu iu bë sikur e pa varkën e tij drejt fundosjes. Në atë moment iu kujtua miku u tij që i kishte thënë – kur kishte dalldi politike nuk preferohej të bëheshe gur që pengon ecjen e njerëzve të tjerë në marshin e çmendur për lavdi.
Në zemrën e tij s’ kishte më vend për pikëllim, ndaj lotët e trishtimit iu rrokullisën në zemër, por jo në sy. Një tërbim kundër tij ishte rritur vrullshëm dhe tani kishte trajtat e një cikloni. Atë mëngjes gazeta qeveritare dhe kori i oborrtarëve qeveritarë, kishin shkruar editoriale dhe opinione për luftën, vlerat e saj dhe për gjoja poshtëruesit e tyre, kurse në ballinën e gazetës pro qeveritare ishte vetëm një titull: Luftërat s’bëhen për lavdi, por për liri.
Antoni i pushuar prej punës, si një kufomë që prisnin ta nduknin kobrat e natës, ecte drejt Komisionit, ku e priste oficeri i rendit dhe qetësisë publike, Rrahim Taravoli.
Atëherë iu kujtua se pikërisht aty, para tridhjetë vjetëve, ishte rrahur prej policisë së armiqve të vendit të tij.
Kohët kishin ndërruar, flamujt gjithashtu, dhe policët po, por duhma e lirisë ishte pa shije, si një kafe trishtimi, pasi të kishe humbur diçka të pakthyeshme.
Duke u tundur i rënduar iu kujtua një parullë: “Jo entuziastët, janë të rrezikshëm për vendin.”
Ai nuk e dinte nëse ishte i tillë, por një fat i tillë plandos mbi të.
Gjithçka që ndodhi më vonë ishte fundi i një ekzistence dhe jeta e një tjetre, dy botë që këqyreshin përherë me egërsi me njëra – tjetrën. Jeta e gangsterëve dhe e njerëzve të lirë. E shenjtorëve – zoti i të cilëve – siç kishte shkruar shkrimtari i tij i pëlqyer Umberto Eco, s’mund të ishte barku. Në ato ditë të zymta, kjo ishte shprehja e vetme që i dha oksigjen trupit të tij dhe ia çlironte mendimet nga kthetrat e liga që e kishin mbërthyer.
(Nga libri me tregime, Mbretëria e ëndrrave, Onufri, 2021)
ObserverKult
Lexo edhe: