Dhimitër Shuteriqi: Gratë më kanë rënë në qafë. Kur më janë vardisur, nuk kam ngurruar!

Pjesë nga ditari i Dhimitër Shuteriqit

(pjesë nga ditari 4.12.1969)

***

Gratë më kanë rënë në qafë, kurse unë jo. Kam vuajtur nga një fare timiditeti ndaj tyre, në mos droje. Kur më janë vardisur, nuk kam ngurruar.

Mendoj se gratë janë po aq “të pabesa” sa dhe burrat, ndonëse përmbahen më shumë – i përmban syn i shoqërisë. Përpara Kantit të ishin njësoj fajtore, se “nieti” s’u mungon, ndonëse mund ta realizojnë shumë më pak se burrat. E kanë në instinkt që të kërkojnë të pëlqehen, të përkëdhelen, të bëjnë naze. Zbulojnë mishrat pa ardhur mirë pranvera dhe u pëlqen. Që te syri e te dora, natyrisht, rruga është e gjatë, po, kur paraqitet rasti, ajo shkurtohet në mënyrë aq të papritur, sa nuk ta pret mendja.

1.e kam dashur për përkëdheljet, po jo me pasion. Edhe ajo po ashtu. Blansha qe grua plot gojën dhe e kam çmuar shumë si njeri e si femër, po nuk e desha me pasion si më deshi. Dashurinë e madhe e njoha me Myneverin. Për një grua si kjo mund të kisha lënë kokën që kuri. E zgjata eksperiencën e dashurisë dhe zgjodha. Është e vetmja rrugë ndofta për të jetuar i lumtur në dashuri.

S’jam xheloz. “Tradhtinë” që do të më bënte gruaja haptazi, do ta falja; fshehurazi, jo. Fshehurazi fillon pabesia.

Do të kisha qenë fatkeq, po të mos kisha patur fëmijë. Kjo më zvordhi nga Blansha; kjo do të më kishte zvjerdhur nga S.; prapë kjo nuk do të më kishte zvjerdhur nga Myneveri.

Im atë vdiste për fëmijët, nëna ime jo. Unë po çmendem edhe pas tim nipi.

***

Do të kisha qenë një udhëtar i përjetshëm. Zbulova se nuk ka vend që s’është i bukur.

Më ka pëlqyer natyra, veçimi, soditja, jo rrëmuja e qytetit, shokët e tepërt, panairet, ahengjet.

Më ka pëlqyer mali më shumë se deti. Isha njohës i florës alpine. Për një “edelweiss” desh kam lënë kokën. Për një “rodedendron” apo “lys martagon” kam ecur edhe 7 orë e 8.

Mal më të bukur se Tomorri nuk njoh – ndofta sepse jam shqiptar!

Kam qenë gjithmonë krenar se linda në Shqipëri dhe e kam pasur tmerr të mos vdes këtu. M’u paraqitën raste të mos kthehesha – u ktheva!

***

Më pëlqen të vishem mirë. Tani, në pleqëri, po vishem keq. Kështu edhe për të ngrënët.

U bëra njohës i kuzhinave, i gjellëve, ndonëse student i varfër. Më kanë pëlqyer shumica e kuzhinave, po jo ç’gatuajnë rusët, çekët, polakët. Serbët e bullgarët i ka mësuar Turqia të hanë. Ëmbëlsirat s’i kam dashur, as pijet. Po kam pirë një okë raki dhe s’jam dehur.

I kam admiruar gjithmonë “ashikët” (im atë qe i tillë). Karasevdallinjtë, jo.

Komoditetin e kam dashur minimal. As qilima, as mobilje të luksit. Kam dashur të kem një shtëpi timen, ndërtuar sipas qejfit tim, projektuar prej meje, jo për instinkt të pronës, po për një dhomë pune e biblioteke, ku të punoj e të mos më shkojë mendja të dal, dhe për një vatër e oxhak.

Pasurinë s’e kam çmuar asnjëherë. Paranë s’kam ditur ta ruaj. Të mos ishte Myneveri, do të isha pa brekë.

***

Midis njerëzve të thjeshtë, veten e kam gjetur zakonisht mirë; midis të mëdhenjve, rrallë. Të thjeshtët gjithmonë i kam dashur e më kanë dashur, të mëdhenjtë zakonisht më kanë cmuar.

Ndër punëtorët, në zemër më ka hyrë minatori; ndër fshatarët, malësori. Për ta kam pasur e kam dëshirë të shkruaj. Mirditori më ka magjepsur, si dhe shpataraku; e s’po lahem dot me ta.

***

Zakonisht hesht e dëgjoj, po kur nis e flas, mund të të shurdhoj.

***

Kam imagjinuar – që kur vajta në universitet e më kanë zbuluar një “ekstrasistol” – se kam sëmundje. Arrita të kem disa sëmundje, po s’kam njohur dëme të mëdha as nga zemra, as nga mëlçia, as nga endoarteriti, as nga veshkat. “Të tëra të vinë nga nervat”, më ka thënë dr. Hoxha në Tiranë, dr. Hajnali në Budapest, dr. Milku dhe Parhoni në Bukuresht, dr. Petrovski e Vishnevski në Moskë. Arrita t’u besoj. Po për shëndetin, edhe pse jam frikur, s’kam pasur kujdes kurrë, veç kur kam rënë në shtrat. Kam punuar pa hesap, gjer në 16 orë e më shumë ditën, kam pirë duhan pa hesap, gjer në 100 gr me llullë, i kam prishur të tërë dietat me t’i filluar.

***

Terjaqi i llullës. I kafes, jo. Dua të shijoj çdo duhan të ri që njoh, andaj edhe s’e pres dot kurrë seriozisht duhanin.

Kumar s’kam lojtur, po mësova shumicën e lojnave, gjer te pokeri e bilardua. Brixh, jo.

***

Mendova se, po të jetoj 49 vjeç (“gjysmë shekulli pa një”), boll do të ishte. U bëra 53. Ç’kam jetuar e do të jetoj plus, pra, e kam … qelepir.

***

Pëlqej vërtet vetminë, po më shumë atë çift. Me Myneverin mund të kisha vajtur në fund të botës; vetëm, as gjer në gjysmët.

Mërzitem për së gjati, i “këpus lidhjet’. Isha poet, u bëra prozator; studiova folklorin, vazhdova me historinë e letërsisë, për pak mund të jepem vetëm pas historisë. Po nuk do ma mbante të bëhesha… dramaturg. Kam lindur për kohën e enciklopedistëve dhe më vjen keq disa herë që nuk u bëra kimist (desha të studioj elektrokimi në Grenoble, se kish atje një institut me famë, po im atë s’më la), piktor, botanist (oh, ç’botë e mrekullueshme bimësia!), muzikant, arkeolog… Prapë, kurrë s’kisha menduar se do t’i vihem ndonjëherë punës shkencore. Kisha menduar se do të jem tërë jetën (s’ka çudi që të rikthehem përsëri te poezia, te dashuria e parë, më merr malli keq!). Më detyroi koha të bëhem historian i letërsisë, si dhe të merrem me shumë gjëra, po qejfi ma ka pasur po aq.

Kam pasur gjithmonë kurajo civile, po trim fizikisht nuk them se kam qenë. Sportist, pak a shumë. Për ushtar, sigurisht që nuk linda.

***

Feja më ka mbajtur gjer në moshën 15-16 vjeç me ritet e saj, ku gjeja shumë poezi. Pastaj u bëra shpejt armik i Zotit dhe i klerit. Familja ime qe e lidhur dobët me kishën. Babai qe skeptik, nëna praktikonte fare pak.

***

Këmbëngulës në mendime, po zakonisht ha arsye, “thyhem”, sado me vonesë, kur filloj e shoh se s’kam të drejtë.

Nuk jam hakmarrës dhe s’e lejoj hakmarrjen tek askush.

S’kam asnjë gram smire, asnjë derhem nakari.

Njerëzit i dua me shpirt dhe rrezikoj oportunizmin.

Ndjenjën e drejtësisë e kam të acaruar dhe rrezikoj të zihem me shumë vetë, me cilindo, për një gram drejtësi.                                                                                   ✓

Kam preferenca, po jo paragjykime. Ky është një virtyt, që ia çmoj shumë vetes,

se më bën edhe të arësyer, edhe realist, edhe të drejtë, objektiv.

S’jam lajkatar, pale me dy faqe. S’jam as diplomat. Ç’kam, e them brram dhe kjo më dëmton shpesh në jetë.

Nuk duroj të më marrin nëpër këmbë.

Dukem kryelartë, s’jam asnjë grimë./(voal.ch)

ObserverKult

LEXO EDHE:

DHIMITËR SHUTERIQI: NJË PASDREKË E RRALLË KORÇARE

BRANKO MERXHANI NË DITARIN E DHIMITËR SHUTERIQIT

DHIMITËR SHUTERIQI: NJË PASDREKË E RRALLË KORÇARE

17 VJET NGA VDEKJA E DHIMITËR SHUTERIQIT

“DHIMITËR SHUTERIQI E VJEDHI DORËSHKRIMIN E LEF NOSIT, TË EKZEKUTUAR NGA KOMUNISTËT, DHE E BOTOI ME EMRIN E VET…”https://observerkult.com/mitrush-dhimiter-shuteriqi-e-vjedhi-doreshkrimin-e-lef-nosit-te-ekzekutuar-nga-komunistet-dhe-e-botoi-me-emrin-e-vet/