Një muzë si Mona Liza

Nga: Gentiana Softolli

(Gëzim ALIU – Katedralja pa kryq, PA, Prishtinë, 2014)

Gjuha dhe ngjyrat e Leonard Kurtit

Katedralja pa kryq është romani i autorit Gëzim Aliu, i cili është krijuar duke u mbështetur në dy linja narrative, kur rrëfen autori dhe kur rrëfen kryepersonazhi, pra piktori. Linjat narrative nëpërmjet të cilave realizohet i gjithë rrëfimi paraqesin gërshetimin e gjuhës, pendës e letërsisë me artin e pikturës dhe ngjyrat si pasqyrë e shpirtit të artistit. E veçanta te Katedralja pa kryq qëndron pikërisht në këtë gërshetim artesh, kur realja e sfidon fantazinë, kur njeriut i kërkohet të vërë bast apo të zgjedh mes monotonisë dhe të jashtëzakonshmes. Me një narracion retrospektiv, në një hapësirë reale ndërtohet rrëfimi të cilin piktori deri në një akt e përshkruan me anë të shkrimeve në formë ditari personal apo letrave, ndërsa pjesa tjetër zhvillohet në trajtë dialogu. Fabula e këtij romani flet për piktorin Leonard Kurti, i cili pas shumë kohe në kërkim të motivit të tij rreth ciklit të pikturave të titulluar Shtatë ditët, arrin ta njoftoi Mona Lizën e tij, të cilën përveçse do ta adhuroi gjatë pikturimit në pëlhurë, do të dashurohet marrëzisht me të. Katedralja pa kryq është një intertekst, pasi që edhe arsyeja e titullit të pikturës si e tillë nga Leonardi vjen si ndikim nga tregimi Mona Liza i autorit në fjalë. Mona Liza do të jetë shkaku i njohjes mes autorit e piktorit, kur ky i fundit do t’i rrëfejë historinë me Mona Lizën e tij duke i kërkuar që ato shkrime e letra t’i kthejë në roman, pra të rrëfehet me gjuhën e ngjyrave.

Ikona e vetme e Katedrales pa kryq

Mona Liza është ikona e vetme e Katedrales pa kryq të piktorit Leonard Kurti. Kërkesës së Katedrales pa kryq për motiv e art i përgjigjet Mona Liza, e cila përmbushë ciklin Shtatë ditët, duke u bërë ikonë e kësaj katedraleje dhe njëkohësisht duke e trazuar Leonardin, për të ndërhyrë kështu në rrathët e stabilitetit siç i quante ai.

Praktikisht si një lloj katedraleje na del shtëpia e artit të cilën autori do ta zbuloi diku nga gjysma e rrëfimit, por, një katedrale e vërtetë është ajo brenda shpirtit siç e pohon edhe vet kryepersonazhi; Aty nuk ka dyer e dritare! Nuk ka fillim e mbarim! Nuk ka rende! Kjo katedrale, kjo ngrehinë së cilës nuk i gjen papërsosmëri.

Baraspesha mes jetës dhe artit

Arti është botë më vete pa kufij dhe barriera, ndaj edhe është shumë e vështirë për artistët t’i nënshtrohen monotonisë së realitetit. Mirëpo shmangia e tërësishme e kësaj të fundit brenda në roman është pothuajse e pamundur. Kur nis relacioni në mes Leonardit dhe Mona Lizës, piktori sikur i jep jetë ikonës së tij jo vetëm me ngjyra në pëlhurë por edhe në dashuri, sikur e ringjallë duke e bërë të duket si një lule e cila më në fund ka absorbuar sasinë e dëshirueshme të ujit. Me gjithë lumturinë e dashurinë që Leonardi i falë Mona Lizës, në anën tjetër ajo është një femër e fejuar me të dashurin e saj, prej të cilit është ftohur prej kohësh, ndërsa tani është duke e tradhtuar me Leonardin. Pra, është pikërisht momenti kur personazhet tentojnë për të krijuar baraspeshë mes jetës reale dhe kënaqësisë që ofron arti. Ndonëse tradhtia që këta të fundit u bëjnë partnerëve të tyre është gjest i ulët dhe plotësisht në kundërshtim me normat shoqërore, prapëseprapë lexuesi qëndron përherë përkrahës i saj edhe përkundër dispozitave kushtëzuese. Siç u tha edhe më lart arti nuk njeh barriera, nëse do të krijosh diçka të veçantë duhet të jesh pak i krisur sepse pikërisht përmes asaj plasurine depërton drita e vërtetë.

Një muzë si Mona Liza

Kryepersonazhi i romanit Katedralja pa kryq është Leonardi, por ikona siç e quan edhe ai është Mona Liza. Secili prej nesh ka Mona Lizën brenda dhe secili nga ne e shpreh në formën e vet, njësoj ndodh edhe me Leonardin, atij i duhet prania e saj, dashuria, çiltërsia, pra, arti i tij varet nga ajo. Mona Lizën e tij Leonardi e kishte takuar rastësisht për t’i shpeshtuar pastaj takimet me të në kafene të ndryshme duke shkëmbyer puthje pasionante derisa ata kishin krijuar folenë e tyre të dashurisë në atelienë e Leonardit, ndërsa kur nuk takoheshin relacionin e tyre e mbanin me anë të emaileve e letrave, e që një pjesë të vogël të tyre edhe ia kishte dorëzuar autorit.  Ndonëse lidhja e tyre po pësonte ulje dhe ngritje vazhdimisht, kur arrihet pothuaj në përfundim të pikturës edhe rrjedha e ngjarjeve merr kahje tjetër. Krejt konflikti nis kur Leonardi dashurohet çmendurisht në Mona Lizën duke i kërkuar asaj që të ndahet nga i fejuari me arsyetimin se nuk mund të pranonte ta ndante atë me dikë tjetër dhe e donte vetëm për vete. Së këndejmi duke qenë dy meshkuj që luftojnë për një femër, muza e tyre do të ik dhe do të largohej nga të dy. Kjo në një formë shpreh edhe konfuzitetin i cili po e gërryente përbrenda Mona Lizën, pasi që në njërën anë e dinte që nuk mund të ishte kurrë gruaja e Leonardit, ndërsa në anën tjetër nuk donte të qëndronte në një bashkëjetesë pa dashuri dhe kështu zgjidhja e vetme mbetet ikja.

Përfundimisht arrijmë të shohim se Leonardi nuk ia doli që Mona Lizën ta mbajë më pranë se në pikturë. A ishte kundërpërgjigje e realitetit apo gabim i Leonardit pse gjërat rrodhën në këtë formë i mbetet lexuesit të vendosë. Ai e përfundoi ciklin prej Shtatë ditësh por ndikimi që pati Mona Liza, atij i theu të Shtatë rrathët e stabilitetit rreth zemrës. Mirëpo përtej kësaj Katedralja pa kryq mbetet ikonë e një dashurie të madhe ndërsa kureshtja për të parë prapa dyerve të mbyllura është ajo e cila do të çojë në përfundimin e hidhur e të zymtë të kësaj historie.

ObserverKult

Gezim Aliu

Lexo edhe:

ARS: INTERVISTË ME SHKRIMTARIN DHE STUDIUESIN GËZIM ALIU (VIDEO)

TREGIM NGA GËZIM ALIU: MONA LIZA

NOVACIONET NË TREGIMET E GËZIM ALIUT