Nga Jeton Neziraj
Në fund të muajit mars, ish Qeveria e Kosovës mori vendim të ndajë një fond prej pesë milionë eurosh për sportistët dhe artistët e skenës së pavarur kulturore. “Pakoja emergjente”, siç u quajt, synonte t’u vinte në ndihmë artistëve dhe sportistëve, në kohën kur për shkak të pandemisë, aktivitete kulturore e sportive ishin ndërprerë krejtësisht. Kishte vend për entuziazëm. Ta hajë dreqi, thoja, më në fund po ndodhë diçka normale në këtë vend. Kur gjatë asaj kohe, në zoom-diskutimet e ndryshme që kisha, u tregoja kolegëve dhe miqëve ndërkombëtarë, të gjithë ngeleshin të befasuar për të mirë. Paj, sepse një fond të ngjajshëm kishte ndarë Gjermania, Zvicra… dhe ndoshta shtete të tjera të perëndimit. Por Kosova?!! Një kolege e imja rumune më tha me humor se na e kishte zili dhe se pas pandemisë do të vinte të jetonte në Kosovë.
Pesë milionë eurot e premtuara nuk u janë ndarë akoma artistëve e sportistëve. Dhe me gjasë, nuk do t’u ndahen kurrë. Mund të konstatojmë se u mashtruam. Por, duhet ta themi, mashtrimi ishte pjesë e një komploti të përmasave euro- atlantike. Bash aso çfarë ndodhë në filmat holivudian!
Ish qeveria që akordoi fondin, u rrëzua në një seancë mosbesimi, pas vetëm rreth pesëdhjetë ditësh qeverisje. U rrëzua, siç spekulohej, për “mos-bashkëpunim” me administratën e Trump-it, e cila thuhet se e ka përngutë një marrëveshtje të shpejtë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, sepse i intereson një sukses në diplomacinë ndërkombëtare, para zgjedhjeve në vjeshtë atje.
Kur u premtua fondi pesë milionësh, unë bëra një llogaritje të shpejtë dhe besoja që, mua do të më takonin rreth 2,000 euro, në mos më shumë. Shkova në shitoret e afërta dhe bleva, jo më vetëm gjërat esenciale, por edhe alkool e proshutë të shtrenjtë derri! Shitësve që hezitonin të më jepnin veresi, ua tregoja titujt e gazetave. Dhe bindeshin. Hyra borxh edhe në disa farmaci, porosita mobilje të reja për dhomën e ditës, bleva një kompjuter të ri e kështu me radhë. 2,000 eurot që besoja se do të më takonin, i bëra rrush e kumbulla.
Përfundimin besoj mund ta imagjinoni.
Tani e kam ndërmend që të ngre një tendë para ndërtesës së Qeverisë dhe të fle aty, si akt proteste. Jam i sigurtë që do të më bashkangjiten edhe dhjetra artistë e sportistë të tjerë kosovarë, të cilët, njejtë si unë, kanë bërë rrush e kumbulla paratë e premtuara. Madje, jam duke menduar që t’ia kërkoj një çek dy mijë eurosh drejtëpërdrejt Donald Trump-it. Edhe mund të kem sukses, kurrë nuk i dihet!
*Botuar fillimisht në tri gjuhë në: LCB diplomatique, portalit të lajmeve alternative të Literary Colloquium Berlin www.lcb-diplomatique.net