Për herë të parë, një film me produksion shqiptar dhe me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit hollivudian, Danny Glover, mund të jetë pjesë e Netflix.
Fatmir Doga, regjisori i filmit “Prokurori”, i cili do të shfaqet në rrjetin e kinemave “Cineplex” nga data 10 tetor, rrëfen se në ditën e premierës së filmit në Tiranë do të vijë edhe një përfaqësues i platformës gjigante Netflix, për të parë reagimin e publikut shqiptar për filmin.
Në një intervistë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Doga tha se filmi “Prokurori” do të ketë 5 sezone me nga 12 seri, duke e bërë një projekt gjigant kinematografik.
“Do të vijë natën e premieres, në 10 tetor, dhe do të jetë dikush nga Netflix, i cili do shikojë reagimin e audiencës shqiptare për filmin. Kjo do të jetë një ndër ato që do të ndikojë në vendimmarrje. Zakonisht, Netflix edhe i dublon filmat, por shumë njerëz kanë dëshirë ta shohin me titra, për të dëgjuar gjuhën origjinale. Po të më pyesin mua, unë do u thosha të mos e dublojnë, shqipja është shumë e bukur, sidomos kur nuk e sforcon. Skeleti i kësaj ngjarje është bërë për 5 vjet, çdo vit nga 12 seri, është prodhim gjigant”, nënvizoi ai.
Episodi i parë i serialit vjen në kinematë e Tiranës nga data 10 Tetor, me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Subjekti i filmit i zhanrit aksion/dramë e merr spunton nga ngjarje të përditshmërisë tonë, me fokus në reformën në drejtësi dhe luftën e një prokurori të ndershëm për t’u përballur me krimin e organizuar dhe politikanë të korruptuar.
ObserverKult
Lexo edhe: