Një “Symbol” për regjisorin e simboleve

Nga Ag Apolloni

Kur isha në shtëpinë e profesorit Isa Qosja për këtë intervistë, më bënë përshtypje shumë filma, libra e shpërblime, por sidomos më çuditi një poster i madh i vënë në mur të shtëpisë, para se të merrje shkallët për në studion që ndodhej lart. Derisa zbrisnim shkallëve, nipi i vogël i profesorit ishte zgjuar dhe ishte nisur për të ardhur në studio. U takuam para posterit dhe e pyeta:
-Të pëlqen kjo fotografi?
Ai pohoi me kokë.
-E di kush është aty?, e pyeta.
-Po. Aty jam unë me gjyshin, tha duke drejtuar gishtin kah profesori.
Ne qeshëm me përgjigjen, qeshi edhe nipi. E, si mund të mos qeshnim para posterit të Charlie Chaplin-it, i cili jo vetëm me filmin që na e kujtonte ky poster i The Kid (ku Chaplini dukej i ulur në prag me fëmijën), por edhe me shumë filma të tjerë, kishte treguar haptazi qëllimin për ta bërë publikun të lumtur.
Qosja, edhe pse adhurues i Chaplin-it, nuk ka bërë ndonjë komedi, përveç nëse me komedi, ashtu siç bënte Dante me komedinë e tij hyjnore, nënkuptojmë një fije shprese, si një fije drite (gëzimi, lumturie), që shfaqet në fund të dy filmave të parë të tij. Në filmat e Qosjes personazhet ëndërrojnë parajsën, duke menduar se janë në purgator, ndërsa, në fakt, janë me të dy këmbët në ferr.

***

Para nja dhjetë vjetësh pata botuar një shkrim mbi filozofinë e filmit dhe i pata vënë një titull jo të rëndomtë: Filmi i Zenonit në kinemanë e Platonit. Në të pata “argumentuar” se Zenoni ishte teoricieni i parë i filmit, kurse Shpellën e Platonit e shihja si kinemanë e parë. Më duket se pak qeshë ndalur edhe te kamerat e Aristotelit dhe Euklidit, për të kaluar pastaj nga filozofët grekë te teoricieni francez Roland Barthes, i cili në një shkrim për filmat e Eisenstein-it inauguronte teorinë e pozës, apo të fremit përfaqësues. Edhe më vonë kam shkruar herë pas here për filmin, por meqenëse idetë e mia teorike më dukeshin hipoteza lunatike, ose ua kaloja personazheve të mia, ose, në rastet më të guximshme, i diskutoja me profesorin tim, regjisorin Isa Qosja.
Isa Qosja ka dhënë mësim në Fakultetin e Arteve (UP), në të njëjtin fakultet ku unë jam përpjekur të marr mësim. Ai nuk më ka dhënë mësim në fakultet, sepse ligjëronte në Departamentin e Regjisë, ndërsa unë isha në Departamentin e Dramaturgjisë. Megjithatë, unë mësoja prej tij në kafenetë përballë fakultetit e, më vonë, në ëmbëltoren Fellini, ku kam ndjekur ligjërata për filmin më shumë se dhjetë vite, sado që, mjerisht, në ëmbëltore nuk japin diploma.
Nga takimet me profesorin në lokalin me emrin e njërit prej regjisorëve tanë të preferuar, jam informuar për shumë filma dhe fenomene kinematografike dhe jam familjarizuar me shumë emra regjisorësh, si: Eisenstein, Chaplin, Tarkovsky, Kieślowski, Bergman, De Sica, Welles, Wilder, Lumet, Lean, Lynch, Lang, Leone, Godard, Altman, Truffaut, Ophüls, Schlöndorff, Herzog, Wenders, Jarmusch dhe, natyrisht, Fellini, Bertolucci, Kubrick, Coppola, Hitchcock, Haneke, Forman, Polanski, Wajda, Costa-Gavras, Spielberg, Scorsese, Tarantino, Tornatore… e deri te më të rinjtë, si Paul Thomas Anderson e Christopher Nolan. Po ashtu, nëpërmjet atyre diskutimeve kam zgjeruar hartën e kinematografisë, me emra si Kurosawa, Misoguchi, Kore-eda, Ceylan, Farhadi, Kiarostami e shumë të tjerë.
Ashtu siç e njihte Virgjili ferrin, Isa Qosja e njihte filmin. Dhe ashtu siç e dëgjonte Dante udhërrëfyesin dhe poetin e tij të preferuar, e dëgjoja edhe unë regjisorin dhe profesorin tim të nderuar.
Natyrisht, intervista dhe vlerësimet e publikuara në këtë numër nuk arrijnë ta ngërthejnë, aq më pak ta zbërthejnë, krejt krijimtarinë e regjisorit tonë, por ky numër nuk ka pasur ndonjë pretendim të tillë. Në fakt, me këtë numër ne vetëm kemi hequr kapelën në shenjë nderimi para regjisorit tonë të madh.
Pas mbarimit të bisedës (intervistës), ju mund ta shihni që edhe pse kemi folur shkurt, përgjigjet e profesorit do t’ju sillen gjatë nëpër kokë. Ai në intervistë nuk mund të ishte ndryshe nga ç’është në filma.
Isa Qosja ka transponuar realitetin tonë në shenja vizuale, e ka përkthyer historinë dhe politikën në semiotikë, jetën e ka përkthyer në art. Në filmat e tij persekutohen heronjtë, të cilët i shtyp konteksti, ndërsa i ngre nënteksti. Ata pushojnë së qeni individë të thjeshtë dhe kthehen në figura domethënëse.
Në filmat e Qosjes, historia tregohet për të përfunduar në një simbol, simboli pastaj përfaqëson një histori. Kështu që, filmat e tij fillojnë sapo të mbarojë historia. Filmat e tillë na mësojnë se për aq kohë sa shpaloset në ekran historia, aq zgjat edhe shikimi. Sapo të mbarojë ajo, nis interpretimi. Prandaj, kohëzgjatja e asnjë filmi të tij kurrë nuk mund të matet dhe kurrë nuk mund të dihet, sepse ai është duke nisur mu atëherë kur duket se po kryhet.

(“Symbol”, nr. 16, 2019. Intervistën e gjeni në revistë e revistën e gjeni në librarinë “Dukagjini”, në Prishtinë)

ObserverKult