Një tërmet intelektual në Shqipëri

Mbrëmë nga disa portale mora vesh që shkrimtari Agron Tufa me familje, pas një persekutimi të gjatë nga pushteti i keq dhe shoqëria e kuqe, ka kërkuar azil politik në Zvicër. Edhe pse isha i sigurt që kjo herët a vonë do të ndodhte, mbrëmë nuk doja t’u besoja lajmeve, por këtë e konfirmova shpejt nëpërmjet komunikimit direkt me familjen e persekutuar.

Nga Ag Apolloni

Natyrisht, u dëshpërova shumë për dy arsye: e para, sepse Agronin e kam mik dhe, e dyta, sepse ai është shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë. (Për veprën e tij kam shkruar disa herë dhe një nga shkrimet që jua sugjeroj ta lexoni është ai me titull “Dy tragjedi dhe një katarsis”, që flet për “Gurit të varrit ia rrëfej”, një roman i jashtëzakonshëm që thërret për një katarsis kombëtar).
Agron Tufa u persekutua, sepse duke i zbardhur krimet e komunizmit, tregonte se sa e nxirë është sot fytyra e Shqipërisë, që s’ka kaluar ende nëpër procesin e lustracionit.
Duke hulumtuar, gjeta një postim që kisha bërë më 29 prill të këtij viti për rastin e persekutimit të Agron Tufës. Shkurtimisht, ai përmban këtë shënim: “Në Shqipëri, këto ditë ka nisur një luftë mes shkrimtarit Agron Tufa dhe mbeturinave komuniste shqiptare. Pak më parë e pashë në një televizion shqiptar sesi fliste një militant komunist, njëfarë Arben Duka, që kishte kryer Akademinë Ushtarake, por që i pëlqente të njihej si poet (sepse kishte shkruar vargje të panumërta lavdëruese për Enver Hoxhën) dhe si gazetar i gazetës “Dita”. Ai thoshte se Agron Tufa ka hyrë në gjak me historinë dhe këtë nuk do t’ia falë populli. Kërcënimi ishte i pastër. Është e tmerrshme se si në Shqipëri, në vend se të jenë në burgje, këta Duka e duduka flasin në emër të popullit dhe të historisë”.
Herën e fundit kur u takuam me Agronin dhe Elvanën, këtu, në Prishtinë, para disa javësh, bëmë një bisedë heretikësh mesjetarë, domethënë folëm për kërcënimet dhe persekutimet në ditët e sotme. Shpresoja që tashmë heretikët duhet të fitojnë, jo Inkuizicioni. Por…
Tash nuk e di nëse Shqipëria po e përjeton muzgun e demokracisë, apo ndoshta demokracia atje ishte vetëm një iluzion./ ObserverKult