Një vit pa Kristaq Dhamon, Tinka Kurti e Margarita Xhepa flasin për “babanë” e filmit shqiptar

Familjarë, miq e kolegë kujtojnë kineastin Kristaq Dhamo një vit larg ndarjes fizike nga jeta. E bija tregon dashurinë e tij të madhe për filmin, njerëzit por edhe vendin e tij. Ndërsa dy ikonat Tinka Kurti e Margarita Xhepa rrëfejnë regjisorin si zbulues talentesh e mësues të brezave

Mungesa e tij është vetëm fizike… Një vit pas ndarjes nga jeta të regjisorit Kristaq Dhamo, karriget e pritjes në sallën “Bogdani” të 15-katëshit, janë plot…

“Jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar Kristaqin tonë të dashur, së bashku me të gjithë ata që e kanë dashur dhe që kanë kaluar me të pjesë të jetës së tij”, thotë e bija, Rudina.

Në radhët e para, krahas dy bijave Rudinës e Delinës, qëndrojnë dy ikonat, Tinka Kurti e Margarita Xhepa…

“Prania juaj sot tregon se sa e thellë është trashëgimia e tij shpirtërore dhe artistike që me siguri nuk do të humbasë”, shton ajo.

Familjarët dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit kanë dashur ta kujtojnë përmes veprës kinematografike e humane.

“Kishte një lidhje të fortë me vendin e tij të cilin nuk e harroi dhe e kujtonte me nostalgji deri në ditët e fundit të jetës”, tregon Rudina duke falënderuar më tej Arkivin dhe regjisorin Joni Shanaj, që është duke përgatitur një dokumentar për të.

Kryeinxhinieri i ish-Kinostudios Abaz Hoxha, rrëfen për regjisorin pas kthimit nga Budapesti ku studioi, kur përpiqej bashkë me të tjerë, të vendoste gurë themelet e kinematografisë shqiptare…

“Ai kishte tri cilësi kryesore; ishte artist, mësues i brezave dhe njeri i shkëlqyer”, thotë ish-kryeinxhinieri i Kinostudios, një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, Abaz Hoxha

Filmi i parë artistik i gjatë vendas ‘Tana’, siç thotë, ai u realizua në kushte tepër të vështira, në vitin e largët 1958.

“Ishin disa prozhektorë të mëdhenj që prishnin dhe planin e dytë dhe u vrisnin sytë aktorëve, mikrofona të papërshtatshëm, kushte teknike shumë të vështira, në të cilat punoi Kristaq Dhamo”, tregon Hoxha

Tinka mes emocioneve, tregon momentin kur Dhamo i kthyer nga Hungaria me buzëqeshjen e paqtë e elegancën karakteristike e përzgjedh si protagonisten e filmit të tij të parë.

“Sapo ishte kthyer nga Budapesti, dhe ne ishim me një grup artistësh do jepnim shfaqje. Ai u afrua me sjelljen e tij të qetë dhe më tha: Ti do të jesh Tana! Dhe kështu u bë! Kemi punuar shumë bukur bashkë, ai ishte njeri i rrallë”, tregon aktorja Tinka Kurti, protagoniste në filmin ‘Tana’.

Kolegët e kujtojnë si mësuesin e kineastëve që e pasuan.

Margarita Xhepa sjell ndërmend, kur shoqëroi për dy javë në Dardhë të Korçës dyshen e regjisorëve Ibrahim Muço e Kristaq Mitro për filmin  “Dimri i fundit”.

“Ka ndenjur dy javë me ne në Dardhë. E kujtoj kur teksa bisedonte me mjeshtrin e kamerës Ilia Tërpini, komentonte se sa bukur i dukej skena e grave të zeza në dëborë të bardhë. Një kontrast që sipas tij, edhe nëse do të ishte filmi me ngjyra duhet të ruhej i tillë”, thotë aktorja Margarita Xhepa.

Aktoret thonë se prej tij mësuan sekretet që e ‘zhvishnin’ interpretimin në film nga teatraliteti.

“Unë pata fatin të punoj dy filma me Kristaqin “Vitet e para” dhe “Gjurmët” . I ndante me kujdes dhe karakteret e vogla”, thotë Xhepa.

Në sheshxhirim, por edhe si udhëheqës artistik i Kinostudios, ai përpiqej t’u jepte artistëve hapësirë. Me thjeshtësi të ekuilibronte raportet mes tyre, duke u përpjekur t’u mësojë edhe përmes sjelljes së tij, thjeshtësisë, se të qenit njeri vjen mbi gjithçka..

“Shpeshherë themi për dikë, sa artist i mirë apo sa njeri i mirë ishte… Kristaq Dhamo i kishte të dyja. Ishte artist i shkëlqyer. Ishte modeli më i bukur i njeriut që i pikonte mirësi, thjeshtësi”, shprehet Xhepa./shqiptarja.com

ObserverKult

Kristaq Dhamo

Lexo edhe:

FILMI “TANA” I RESTAURUAR SHFAQET PREMIERË NË KORÇË- I DEDIKOHET REGJISORIT TË NDJERË, KRISTAQ DHAMO