Në Universitetin e Arteve dhe konkretisht në galerinë “FAB” që është edhe galeria e “Fakultetit të Arteve të Bukura” është hapur edhe ekspozita më e re në Tiranë. Qëllimi parësor i kësaj ekspozite janë punimet e studentëve të nivelit bachelor në Programin Studimor Multimedia në “UA”
Pavarësisht se është pjesë e programit mësimor, kjo ekspozitë ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve të cilët kthehen nga rruga për ta parë, pasi kjo ekspozitë sjell edhe refleksionet e piktorëve të rinj në lidhje me pandeminë dhe periudhën e vështirë të izolimit.
Sipas termit “Katarsis” ky është edhe momenti më i përshtatshëm kur artistët në zhanret e veta e përkthejnë frikën dhe mëshirën në art cilësor dhe e ndajnë atë me publiku.
Në këtë ekspozitë të emërtuar “Njëmijë lejlekë” mund të shohim piktura, fotografi, projeksione në video dhe instalacione të cilat janë shumë të bukura dhe frymëzuese.
Edison Çeraj që është njëri prej pedagogëve udhëheqës, dhe tekstin kuratorial e ka hapur me një shprehje universale të Borges: “Çdo gjë që na është dhënë ka një qëllim. Artisti duhet ta ndiejë më thellë se askush këtë. Çdo gjë që na ndodh, duke përfshirë turpërimet, fatkeqësitë dhe dertet tona, të gjitha na janë dhënë si lëndë e parë, si argjilë, në mënyrë që t’i japim trajtë artit tonë”./ATSH