Ja çka kishte thënë njeriu që punoi me Ali Pashë Tepelenën

Libri në gjuhën frënge, “Vie d’Ali-Pacha, visir de Janina, surnommé Aslan ou le Lion – Jeta e Ali Pashës, vezirit të Janinës, i thirrur Asllan ose Luan”, të autorit Alphonse de Beauchamp, botuar në Paris në vitin 1822, solli një fragment të veçantë, në faqen n°180, mbi rrëfimin e një filozofi shqiptar* për Ali Pashë Tepelenën.

Më poshtë, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

“Qeveria e tij kishte megjithatë apologjetë; Konsulli i Francës (François Pouqueville) citon si dëshmi, mendimin e një filozofi shqiptar, që e njihte Francën, që kishte qëndruar në Paris dhe frekuentuar shkrimtarë, bashkohorë si Volteri.

Burri i moshuar i ka shprehur atij, këto fjalë:

Në Prémiti (Përmet) kam lindur. Njeriu i mençur dhe i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo. Për këtë, unë jam një shembull i padiskutueshëm. Kam parë Versajën dhe mbretin e Francës; kam parë qytetërimin më të shkëlqyer; kam jetuar në mesin e popullit më të sjellshëm në botë; dhe pavarësisht kësaj, kam dëshiruar të kthehem në atdheun tim.

Pesëmbëdhjetë vjet shërbeu si përkthyes

Për pesëmbëdhjetë vjet kam shërbyer si përkthyes, vezirit Ali Pasha, pa pasur prej tij mosmirënjohje, apo nder të madh. Qeveria e tij, të cilën ju me siguri do ta gjykoni me ashpërsi, është në raport me njerëzit që ai urdhëron; padrejtësitë dhe mizoritë e tij, gjithçka është e zbatueshme dhe proporcionale me natyrën e egër të shqiptarëve.

Duhej një tiran, për të nënshtruar një popull grabitqarësh. Fjalët e mia, ju çudisin, e pranoj; por dhjetë vjet më parë, ju do të ishit vrarë ose shitur si skllav, nga ata që sot ju shoqërojnë dhe mirëpresin.”

* Identiteti i filozofit shqiptar nuk është përmendur në libër, por sipas kërkimeve mund të bëhet fjalë për Konstandin Dukën nga Përmeti.

Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

———————

Lexo edhe:

Ali Pashë Tepelena u tradhtua nga njeriu më i afërt i tij

ObserverKult